Gjykata lë në qeli të akuzuarit për vjedhje
Tiranë - Gjykata e Tiranës dha dje masën arrest me burg për gjashtë të arrestuarit gjatë operacionit “Feniks”. Me fat ka qenë vetëm njëri prej tyre, duke fituar lirinë falë garancisë pasurore. Prokurori kërkoi caktimin e masës “arrest me burg” për shtatë të akuzuarit për 25 vjedhje në disa qytete. Pasi ka dëgjuar provat e akuzës, pretendimet e palëve dhe kërkesat për masa më të buta, gjykata caktoi masën “arrest me burg” për gjashtë nga 7 të arrestuarit dhe “detyrim paraqitje” për shtetasin Gazmir Shehu, i cili ofroi garanci pasurore 2 milionë lekë. Sipas burimeve nga Akuza, këta persona prej tre muajsh ishin kthyer në makthin e banorëve dhe tregtarëve të periferisë së Tiranës, ndërsa pre e grabitjeve të tyre ishin edhe turistët kosovarë në Durrës. Policia ka identifikuar si drejtuesit e këtij grupi Adnand Dautin. Këtij të fundit i është bllokuar njëra prej pistoletave dhe arma e llojit antitank. Sipas burimeve, grabitësit vepronin në mënyrë mjaft profesioniste, duke mos lënë prova për policinë. I vetmi gabim i tyre duket se ishte sulmi me eksploziv në automjetin dhe banesën e biznesmenit Tonin Rama, në dalje të Kamzës, emrin e lokalit të të cilit, "Feniks" do ta mbante operacioni i policisë për kapjen e grabitësve. Personat e arrestuar dhe të shoqëruar dje për masë kanë qenë Adnand Dauti, 22 vjeç, Pajtim Cahani, 24 vjeç, polici ushtarak Ismail Gjanaj, 24 vjeç, Behar Rexha, 18 vjeç, nga Tirana, Ermal Dida, 24 vjeç nga Durrësi; Gazmir Shehu, 23 vjeç nga Kavaja dhe Besmir Toçilla, 23 vjeç nga Kukësi. Të arrestuarve mësohet se u janë dokumentuar të paktën 10 vjedhje e grabitje të kryera kryesisht me armë, nga muaji gusht i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti. Numri i grabitjeve të kryera nga të arrestuarit dyshohet të jetë më i madh, me mbi 25 ngjarje të tilla. Përfshirja gjeografike e aktivitetit të të arrestuarve shtrihej në zonën e Kavajës, Durrësit dhe Tiranës. Grabitja e fundit e dokumentuar është ajo e familjes së Isuf Matraxhiut në Laknas, ku grabitësit lidhën dhe u bllokuan gojën me natriban pjesëtarëve të familjes.
Gjendet i vdekur në banesë 60-vjeçari i divorcuar
Vlorë - Është gjendur i pajetë në banesë nga fqinjët e tij një 60-vjeçar nga qyteti i Vlorës. Ai banonte i vetëm në një banesë njëkatëshe në lagjen “Pavarësia” të qytetit, pas divorcit nga bashkëshortja. Burime policore kanë bërë të ditur për gazetën se Agim Baraj, 60 vjeç, lindur në fshatin Kuç e banues në Vlorë, prej kohësh jetonte i vetëm. Prej dy ditësh askush nuk e kishte parë 60-vjeçarin, që ndonjëherë punonte si taksist të dilte nga shtëpia. Kanë qenë komshinj që kanë shkuar të marrin vesh se çfarë bënte dhe pasi kanë parë makinën e tij të parkuar në oborr dhe dritën e dhomës së brendshme ndezur kanë trokitur në derën e banesës, e cila ishte e mbyllur nga brenda. Pas kësaj kanë parë nga xhami i dritares të shtrirë përtokë, përmbys trupin e tij.
Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka shqyer derën e banesës, ku brenda është gjetur trupi i pajetë i Barajt. Ai kishte mbi 48 orë që kishte ndërruar jetë, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrore.
4 Shkurt 2009