Memushi synon debutim me fitore
Eqerem Memushi, trajneri i ri i Flamurtarit (pasoi Edmond Liçaj e shkarkuar pas humbjes 0-2 me Apoloninë në Vlorë), duhet të rivendosë nderin e humbur të skuadrës më të famshme shqiptare në Europë në përballjen shtëpiake me Teutën, takim që do të luhet ditën e mërkurë, më 4 shkurt. Akuzat e ashpra për shitje ndeshjeje (nga klani kroat) nga Edmond Liçaj, teknikut të vetëm që i ka dhënë një titull kampion Flamurtarit (1990-1991), kanë krijuar një atmosferë të trishtuar në klubin e dy herë fituesve të Kupës së Shqipërisë. Liçaj, një ish-lojtar virtuoz i Flamurtarit, gjatë 9 javëve nën drejtimin e tij, koleksionoi numrin “3”, 3 fitore, 3 barazime, 3 humbje, duke grumbulluar 1 pikë më shumë sesa paraardhësi i tij, kroati Slavko Kovaçiç, i cili në po 9 ndeshje ka 3 fitore, 2 barazime e 4 humbje. Flamurtari, tashmë nën drejtimin e dyshes Memushi-Gjondeda, synon rikthimin te fitorja pas dy humbjeve rresht me Partizanin e Flamurtarin. Një objektiv në pamje të parë jo i lehtë pasi përballë do të ketë Teutën, me të cilën humbi fazën e parë, por që vjen edhe ajo pas dy humbjeve rresht me Besën e Elbasanin. Eqerem Memushi, i shkarkuar sezonin e kaluar si pasojë e eliminimit të skuadrës vlonjate nga Kupa e Shqipërisë, nga skuadra e Kastriotit (1-1 në Vlorë, 0-1 në Shijak) në fazën e 1/16 të edicionit të 56-të (u pasua nga Slavko Kovaçiç), beson se e ka formulën e suksesit për të përçuar te skuadra mentalitetin fitues. Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Vlorë, dy skuadrat u ndanë në barazim 2-2, ndërkohë që statistikat e 15 ndeshjeve të fundit midis dy ekipeve flasin dukshëm për superioritetin e Teutës: 9 fitore, kundrejt 3 të Flamurtarit (3 barazime).
Apolonia–Bylis, derbi i hakmarrjes
Pas gjashtë pikëve të grumbulluara në dy takimet e fundit, Apolonia po përgatitet për të realizuar jo vetëm “tripletën” e fitoreve, por dhe të marrë hak ndaj fqinjit të përjetshëm, Bylisit, ndaj të cilit humbi 1-0 fazën e parë. Në fakt, Apolonia-Bylis është më shumë se një derbi prefekture, pasi përballë do të jenë dy skuadra tërësisht me “ngjyra ndërkombëtare”, duke parë edhe grupin e lojtarëve të huaj që kanë dy skuadrat, ku mbizotërojnë ata serbë. Te Apolonia, që pas 18 javëve të para ka grumbulluar katër pikë më shumë së Bylis (17), besojnë te vazhdimësia e sulmuesit Mlladën Bërkiç (5 gola këtë sezon), por dhe te rikthimi i kapitenit Marenglen Shoshi. Statistikat e sezonit nuk janë frymëzuese për formacionin ballshiot të drejtuar nga Hysen Dedja. Bylis është e vetmja skuadër e Kategorisë Superiore, që ende nuk ka fituar një ndeshje në transfertë në 9 takime të zhvilluara (3 barazime, 6 humbje). Gjithsesi, në ndeshjen e fundit të luajtur në “Loni Papuçiu”, atë të sezonit 2002-2003, Bylis ka fituar 2-1, në një sezon ku të dy ekipet për shkak të riformatimit të kampionatit nga 14 në 10 skuadra ranë nga kategoria. Në ndeshjen e fundit, Bylisi humbi në shtëpi me Partizanin (0-1) dhe një ndeshje tjetër pa pikë do t’i ndërlikonte seriozisht pozitat e skuadrës së financuar nga Besnik Kapllanaj.
Dajti–Skënderbeu, bilbil ndërkombëtar
Kategoria e Parë rikthehet të mërkurën me fazën e dytë, kur do të luhen shtatë nga tetë takimet e javës së 16-të (Burreli-Ada luhet të enjten). Skënderbeu, kryesuesi i këtij kampionati, që në bankinë ka një emër të ri, Indrit Fortuzin, do të përballet në transfertë me Dajtin në fushën e rikonstruktuar të kamzalinjve. Ndeshja është e “rëndësisë së veçantë” dhe i është besuar ndërkombëtarit Albano Janku. Laçi i vendit të dytë pret në shtëpi Sopotin e Librazhdit, ndërkohë që skuadra simpatike nga Erseka, Gramozi, do të luajë në Pukë kundër Tërbunit vendas. Kastrioti, një tjetër ekip i katër vendeve të para që diskutojnë ringjitjen në Kategorinë Superiore, pret në shtëpi Pogradecin.
KATEGORIA E PARË
Java XVI, 04.02.2009
Luftëtari-Besëlidhja (Lapi)
Bilisht S-Naftëtari (Bogdani)
Laçi-Sopoti (Mustafaraj)
Skrapari-Turbina (Beqiri)
Kastrioti-Pogradeci (Latifi)
Tërbuni-Gramozi(Hoxha)
Dajti-Skënderbeu (Janku)
05.02.2009
Burreli-Ada (Jorgji)
4 Shkurt 2009