E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitjet me armë, pesë veta në pranga në Durrës e Vlorë



Tiranë – Pesë persona janë vënë në pranga në Vlorë, Shkodër dhe Durrës. Burime policore thanë për gazetën se arrestimi i tyre është bërë pasi dyshohen si grabitës me armë. Dy prej të ndaluarve nuk kanë mundur ta kryejnë veprimin e nisur për shkak të rezistencës së familjarëve, ndërsa të tjerët janë vënë në pranga pasi u është dokumentuar vepra penale.
Ngjarja në Durrës
Tre nga personat që u arrestuan dy ditë më parë si anëtarë të një grupi që vidhte me armë dhe dhunë, janë identifikuar dhe si autorë të një grabitjeje të kryer në rrethin e Durrësit katër javë më parë, gjatë së cilës mbeti i plagosur rëndë një person. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Durrësit thanë për gazetën “Albania” se Besmir Toçilla, 23 vjeç, lindur dhe banues në Kukës, Armand Dauti, 24 vjeç, lindur dhe banues në Kukës dhe Ermal Dida, 25 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Lagjen 14, Shkozet, më 8 janar të këtij viti tentuan të grabisnin banesën e shtetasit Zenel Berberi, në fshatin Rrashbull të Durrësit. Ndaj tre personave të arrestuar, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale të kryera në Tiranë, tashmë do të rëndojë dhe kjo çështje, që do të hetohet nga Prokuroria e Durrësit.
Tentativa në Vlorë
Dy persona të dyshuar si grabitës me armë janë arrestuar mëngjesin e djeshëm nga Policia e Vlorës. Burime zyrtare nga uniformat blu lokale thanë për gazetën se janë prangosur dy persona, të cilët kanë tentuar të grabisin me armë. Sipas tyre, dy personat e arrestuar janë Dritan Muça, 26 vjeç dhe Gentjan Luzaj 38 vjeç. Të sipërpërmendurit, sipas policisë, kanë tentuar të grabisin një familje duke përdorur armët. Ata nuk kanë mundur ta bëjnë grabitjen, pasi kanë hasur në rezistencën e familjes. Burime nga policia kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur një natë më parë në fshatin Nartë. Tentativa e grabitjes ndodhi në familjen S. Papa. Grabitësit kishin tentuar t’i merrnin lekët familjes Papa, por u ndeshën me reagimin e pjesëtarëve të saj. Tentativa e grabitjes u bë me armë gjahu. Pas kësaj ngjarjeje familja viktimë ka njoftuar policinë dhe këta të fundit kanë mundur që brenda pak kohësh të arrestojnë të dyshuarit.

Ishin tmerri i banorëve të Shkodrës, kapen djemtë plaçkitës

Katër djem, të cilët kryenin plaçkitje në kuadrin e një bande që nuk linte pronë private të piketuar pa vjedhur, janë arrestuar sot nga policia e Shkodrës. Të arrestuarit janë Elvedin Lami, 21 vjeç, Rafael Zefi, 20 vjeç, Grasiel Nika, 19 vjeç dhe Pjetër Ç., 16 vjeç, që të katër, lindur e banues në Shkodër. Të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë dhe vende të ndryshme, grabisnin qytetarë dhe objekte private në rajonin e Shkodrës.
Burimet policore konfirmuan se disa nga plaçkitjet që u janë provuar katër djemve. Më datë 30.01.2009, në lagjen “Perlat Rexhepi”, Shkodër, kanë vjedhur një banesë. Më datë 31.01.2009, në lagjen “Tom Kola”, Shkodër, kanë vjedhur çantën e një qytetareje. Më datë 23.01.2009, në lagjen “Fahri Barbullushi”, Shkodër, kanë vjedhur çantën e një qytetareje. Më datë 31.01.2009, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, kanë vjedhur një biçikletë. Policia tha se janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një çantë dore femrash, dy biçikleta të markës kineze, një biçikletë fëmijësh, një kalorifer.

Tentoi të vriste, gjendet dhe ndalohet
Durrës – Forcat e Policisë së Durrësit kanë ndaluar shtetasin i Alfredo Seferi, banues në Durrës, i dënuar më parë për kundërshtim të punonjësit të policisë në detyrë. Shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Durrësit bënë të mundur gjetjen e vendndodhjes dhe arrestimin e tij. Shtetasi Alfred Seferi ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë së Durrësit, pasi disa ditë më parë ka tentuar të vrasë shtetasin Fatmir Buzi, banues në Lagjen 14 të Durrësit. Ngjarje kjo e ndodhur në autobusin e linjës Durrës-Porto Romano, ku pas një grindjeje të çastit për motive të dobëta, Alfredo ka goditur me një thikë Fatmir Buzin në pjesë të ndryshme të trupit.

Kapen autorët e plagosjes në Korçë
Korçë – Është bërë i mundur nga forcat e policisë së Korçës identifikimi dhe shoqërimi i autorëve të “plagosjes së lehtë me dashje në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 89 dhe 25 të Kodit Penal. Kjo ngjarje ndodhi më 31.01.2009 në Lagjen 13 Korçë. Autorë të kësaj ngjarjeje janë Olger Gjoni, Origert Haxhilari, Rezart Spaho dhe Saimir Zaçellari. Të katër këta shtetas do të ndiqen në gjendje të lirë.

Arrestohet 37-vjeçari i akuzuar për tentativë vrasjeje

Durrës - Policia e Durrësit arrestoi natën e kaluar një 37-vjeçar, i akuzuar për tentativë vrasjeje, pas një grindjeje për motive të dobëta. Burime zyrtare thanë për ATSH-në se "Alfredo Seferi, banues në Lagjen 15 të qytetit bregdetar, u arrestua me urdhër të Prokurorisë së rrethit, pasi më 21 janar të këtij viti, teksa udhëtonte me autobusin e linjës Durrës-Porto Romano, goditi me thikë bashkëmoshatarin e tij, Fatmir Buzi".

Arrestohet 17-vjeçari, ishte në kërkim për plagosje

Elbasan - Një 17-vjeçar, i shpallur në kërkim për plagosje të rëndë me dashje, u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Policia e Elbasanit. Burimet thanë se 17-vjeçari F. Q. akuzohet për plagosjen me thikë të dy bashkëmoshatarëve të tij, ngjarje kjo e ndodhur më 30 janar, pas një grindjeje për motive të dobëta.

Mamurras, kufoma e gjetur i përket një 27-vjeçari

Është identifikuar trupi i pajetë i gjetur pasditen e sotme në një fushë sporti në hyrje të qytetit të Mamurrasit. Trupi i përket Lulzim Mallkuçit, 27 vjeç, dhe sipas policisë mendohet se vdekja e tij ka ardhur si pasojë e konsumimit të alkoolit. Kufoma u gjet nga kalimtarë të rastit pasditen e sotme. Sipas të dhënave nga policia, ka qenë një telefonatë e bërë në zyrën e Drejtorisë së Policisë së Lezhës, ku u njoftua për gjetjen e trupit të pajetë të 27-vjeçarit, Mallkuçi. Pas mbërritjes së policisë në vendngjarje u bë i mundur identifikimi i kufomës. Sipas të dhënave paraprake dyshohet se vdekja e 27-vjeçarit të këtë ardhur nga konsumimi i tepërt i alkoolit. Trupi i pajetë është transportuar për në murgun e Spitalit të Laçit për ekzaminime të mëtejshme mjeko-ligjor

4 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›