Duro gol, por i vetëm s’ndal dot Robinjo & CO
Jetmir Halilaj
Sfidat e mëdha e frymëzojnë gjithnjë, ndoshta kjo shpjegon faktin që Klodian Duro arrin të jetë gjithnjë protagonist. Dje i ka shënuar një eurogol Mançester Sitit në ndeshjen e vlefshme për Kupën UEFA. Në minutën e 49-të ka qenë mesfushori i përfaqësueses shqiptare, ai që ka zhbllokuar rezultatin duke ndëshkuar ekipin e udhëhequr nga Robinjo, teksa ka ekzekutuar mjeshtërisht një goditje dënimi. Megjithatë kjo nuk e ndihmoi skuadrën e tij që të merrte një rezultat pozitiv në këtë përballje, pasi Omonia ka pësuar dy gola që mbanin firmën e sulmuesit Xho. Sulmuesi që u ble nga Spartaku i Moskës shënoi në minutat 59-të dhe të 72’. Ndeshja e luajtur në Qipro përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të ekipit anglez dhe Duro është cilësuar si një nga më të mirët e ekipit të tij në këtë takim. Fantazisti kuqezi ka bërë dje një nga ndeshjet e tij më të mira duke treguar se po kalon një moment të shkëlqyer. Në minutën e 43-të ai ka marrë një karton të verdhë për ndërhyrje të ashpër ndaj një futbollisti kundërshtar, por kjo nuk ia ka prerë hovin, madje ka qenë ai që ka zhbllokuar rezultatin e ndeshjes. Ky ishte goli i tretë në UEFA për shqiptarin në për këtë sezon, pas dy golave që i realizoi AEK-ut të Athinës.
Premtimi
I intervistuar një ditë para ndeshjes nga “Panorama”, mesfushori i Kombëtares ishte shprehur se do të donte që ta fitonte ndeshjen përballë Mançester Sitit të Robinjos. Ai e ka mbajtur fjalën teksa ka ndëshkuar skuadrën angleze, por ekipi i tij nuk ka mundur të marrë një rezultat pozitiv. Megjithatë, na planin personal Duro e ka fituar duelin e fantazistëve, pasi ka bërë gjithçka në fushën e lojës. Ka dhënë asiste, ka mbuluar mjaft mirë në fazën defensive dhe ka shënuar gol. Megjithatë kjo nuk i ka mjaftuar futbollistit që të ndjehej i gëzuar, sepse ekipi i tij u mund në fushën e vet. Duhet përmendur fakti se në ndeshjen kundër AEK-ut ishte pikërisht mesfushori kuqezi ai që i dhuroi kualifikimin Omonias, me dy golat që i shënoi ekipit të Rivaldos. Ai bëri gjithashtu një paraqitje shumë të mirë edhe me Kombëtaren, teksa bashkë me kuqezinjtë e tjerë arriti të ndalte Suedinë e Ibrahimoviçit dhe të shënonte në fitoren 3-0 ndaj Maltës. 31-vjeçari është shndërruar në një pedant e rëndësishme jo vetëm te skuadra e Omonias, por edhe në ekipin përfaqësues. Ai është shqiptari që ka shënuar më shuam gola në kompeticionet evropiane këtë sezon. Duro ka realizuar gjithsej tre herë në Kupën UEFA, dy kundër AEK-ut dhe një kundër Mançester Sitit.