Në flakë makina e turkut,dyshime për konkurrencë
GJIROKASTER – Automjeti i një shtetasi turk rezident në Gjirokastër është përfshirë totalisht nga flakët mëngjesin e së enjtes. Në momentin e zjarrit automjeti ka qenë i parkuar përpara një servisi në pronësi të rezidentit turk. Sipas versionit zyrtar të policisë së Gjirokastrës, zjarri në automjetin e shtetasit Ergyn Arabaxhi ka qenë aksidental dhe jo i qëllimshëm. Një shkëndijë në qarkun elektrik mendohet të ketë qenë pikënisja e marrjes së flakëve në një shkallë të gjerë të autoveturës, të cilat shkaktuan djegien e plotë të saj. Ngjarja ka ndodhur pranë servisit të automjeteve në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, i cili është pronë e shtetasit turk. Zjarri në automjetin që qëndronte i parkuar prej 6 orësh është vënë re fillimisht nga rojet e Varrezave të Dëshmorëve. Të lajmëruar prej tyre në vendngjarje kanë mbërritur forca të policisë dhe të zjarrfikëseve, por kanë gjetur skeletin e automjetit tip “Benz Mercedes” me targa të Gjirokastrës 0216 B. Vetë Arabaxhi, i cili ndodhet në Gjirokastër prej një viti, përjashton mundësinë e një atentati ndaj tij apo dhe aktivitetit që ai kryen prej kohësh në qytet. Ndërkohë burime jozyrtare bënë të ditur se, shtetasi turk aplikonte çmime të lira në krahasim me serviset e tjera të qytetit, çka lë vend për të interpretuar konkurrencën si motiv të zjarrit. Nga burime pranë vendngjarjes mësohet se nga zjarri është dëmtuar edhe një automjet në pronësi të Panajottis Sarassis, punonjës në konsullatën e përgjithshme greke në Gjirokastër. “Automjeti tip ‘Skoda’ me targa greke, është dëmtuar në pjesën e prapme pasi flakët janë eliminuar nga ndërhyrja e zjarrfikësve”, pohuan burimet. Ndërkohë nga ana e përfaqësisë konsullore greke në Gjirokastër nuk pati ndonjë reagim për ngjarjen. p.n