Zbulohen dy punishte artizanale
Gjithkush i njeh veglat e punës që janë përdorur në kohët prehistorike. Prej guri e druri, stralli e briri, prej metali më vonë. Por këto kohë, gjatë gërmimeve që arkeologët e ekipit shqiptaro-francez, të cilët janë gjendur në zonën e Korçës, këto ditë kanë zbuluar dy punishte të rëndësishme prehistorike për prodhimin artizanal të veglave të punës prej guri, në komunën e Liqenasit. Kanë kohë që punojnë në këtë vend, rreth një vit, ku arkeologët bën kërkime, studime e sondazhe. Por vëmendja e tyre u përqendrua në njërin nga vendbanimet më të mëdha prehistorike neolitike me një sipërfaqe prej 8 hektarësh. Në kërkimet e sivjetshme, ekspedita arkeologjike shqiptaro-franceze, e cila drejtohet nga prof. Petrika Lera për palën shqiptare dhe prof. Zhij Tyshe (Gilles Tuchais) për palën franceze, ka bërë zbulime të rëndësishme që pasurojnë hartën arkeologjike të rajonit të Korçës. Sipas Lerës në afërsi të fshatit Kallamas të komunës së Liqenasit, janë zbuluar dhe dy punishte, ku banorët prehistorikë prodhonin vegla pune prej guri. Ai sqaroi se ky vendbanim që shtrihet në bregun e liqenit të Prespës së Madhe, njihet si “vendbanimi i Kallamasit” ose me toponimin “Ostrovo”. “Për ne ka shumë rëndësi fakti, që kemi mundur të identifikojmë se në këto dy punishte, guri që shërbente për prodhimin e veglave të punës nuk ishte gur i zonës, por importohej. Kjo flet për marrëdhënien e banorëve të hershëm të kësaj zone me vendet e tjera të afërta, marrëdhënie, që zhvillohej krahas zejtarisë dhe aktivitetit me të cilin merrej popullsia”, sqaroi Lera. Ndërkohë mësohet se arkeologët gjatë kësaj periudhe në këtë zonë kanë nxjerrë në dritë një material të bollshëm qeramike, enë me përmasa të ndryshme dhe të zbukuruara në mënyra të ndryshme, që flasin për botën dhe kulturën e popullsisë e cila jetonte në këtë pellg, për zhvillimet e natyrës kulturore dhe artizanatit, krahas faktit se aty kishte një jetë intensive. Përveç enëve të shumta, në punishte dhe në zonën ku janë kryer gërmimet është zbuluar një sasi e madhe materiali arkeologjik, kryesisht punime prej guri, kocke, stralli, briri. Megjithatë, pjesa më e rëndësishme e këtij materiali janë veglat e punës prej guri, pasi shfaqen për të parën herë në këto vendbanime të shumta të pellgut të Korçës.
“Në përvojën 30-vjeçare të gërmimeve në terren në pellgun e Korçës, zbulimet e fundit mund të konsiderohen nga më interesantet. Kjo hapësirë e gjerë e rendit vendbanimin prehistorik neolitik të Kallamasit ndër vendbanimet më të mëdha të zbuluara në gjithë hapësirën e Mesdheut”, tha Lera. Ai shtoi se nga kërkimet dhe sondazhet e një viti, është vërejtur se jeta në këtë vendbanim fillon aty nga neoliti i mesëm dhe vazhdon deri në neolitin e vonë. “Kjo është situata stratigrafike e sotme në vendbanimin e Kallamasit dhe mund të themi se ai përfaqëson një nga vendbanimet me intensitet më të madh jete. Këtë e tregon sasia e madhe e materialit arkeologjik që ka dalë në sipërfaqe si rezultat i punimeve të herëpashershme të tokës”, tha prof. Petrika Lera.