Rasmusen: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme
Kryeministri i Danimarkës, Anders Fogh Rasmusen, gjatë një vizite zyrtare në Prishtinë dje, ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Sipas tij, cilido që të jetë mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ai nuk do të ndikojë tek pavarësia e Kosovës. Rasmusen ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e Danimarkës për sovranitetin e Kosovës. “Serbia ka të drejtë të bëjë kërkesa në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, por njohja që Danimarka i ka bërë pavarësisë së Kosovës nuk do të ndikohet nga ky proces”, tha ai. Kryeministri danez Anders Fogh Rasmusen ka në axhendë takimet me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi dhe përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar, Piter Fejt, me të cilët do të bisedojë për zhvillimet aktuale në vendin tonë. Ndërkohë ambasadori francez në Malin e Zi, Bernar Garanshe, tha gjatë se pavarësia e Kosovës është realitet politik. Ai po ashtu tha se njohja e këtij fakti nga ana e Malit të Zi do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal.