“Festova për golin e Canës,Beqaj shkëlqen”
Debatik Curri ka festuar për golin e Lorik Canës kundër Liverpulit në Ligën e Kampioneve, sikur ta kishte shënuar vetë. “Kam ndjerë po aq gëzim për golin e Lorikut sa atëherë kur unë shënova kundër Holandës me Kombëtaren – ka thënë Debatik Curri për “albania-sport” - E pashë Marsejë-Liverpul (1-2) dhe mu bë qejfi shumë për Canën. Ishte një gol me finesë e t’ia shënosh Liverpulit, nuk të ndodh shpesh. Të them të drejtën kam brohoritur si një ultras në shtëpi. Më erdhi shumë keq që humbën. S’ke çfarë t’i bësh i ka futbolli këto”. Curri është i lumtur edhe për paraqitjen që ka bërë portieri Beqaj në Ligën e Kampioneve. “Edhe Arjani bëri një ndeshje të madhe. Pashë “highlihts”-et e Verder Bremen-Anorthosis dhe Beqaj bëri disa pritje të shkëlqyera. Edhe Kombëtarja ka bërë paraqitje të mira. Është një garanci për ndeshjet e ardhshme. Dua të mos pësoj gol nga Interi, ose të paktën jo nga Ibrahimoviçi. Atij ia bëmë një herë 8-2 në Tiranë”, - ka thënë duke qeshur Curri. Natyrshëm që tema e Kombëtares e ngacmon. “Morëm katër pikë. Nuk janë pak si fillim. Në Hungari shkojmë si liderë të grupit dhe të paktën mbërrijmë në Budapest me moral të lartë. Kundër Hungarisë e Portugalisë janë dy ndeshje vërtet të forta, por edhe mund të marrim pikë në këto ndeshje. Suedia ishte një provë e mirë për ne. Dy pikë ndoshta edhe i marrim”, - shton Curri, që pret të përballet me Kristiano Ronaldon kundër Portugalisë, më 15 tetor.