E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mali i Zi: Duam më shumë lidhje

 

BUJAR FERHATI

Ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Z. Zhelko Peroviq, në një intervistë për gazetën “Panorama” ka vlerësuar bashkëpunimin politik mes dy vendeve, por ka theksuar nevojën për një bashkëpunim më të madh ekonomik. Kritikat e ambasadorit janë drejtuar nga infrastruktura, sidomos në kufi mes dy vendeve si dhe kërkesa e shumtë për lëvizjen e mallrave, gjë që pengon tregtinë. Ambasadori mbështeti idenë e një lidhjeje të fuqishme rrugore Dubrovnik-Durrës dhe anasjelltas, apo edhe një lidhje rrugore Tiranë-Shkodër-Cetinë-Kotorr. Z. Peroviq tha se prioritet për ta si zonë kufitare do të ketë Shkodra, duke vlerësuar kulturën dhe historinë e saj.   
Z. ambasador, ka pak muaj që këtu në Tiranë është hapur ambasada e Malit të Zi, e cila përfaqësohet nga ju. Ç‘mund të na thoni për këto ditë pune në Shqipëri?
Ju faleminderit ju dhe gazetës suaj për vlerësimin, që i bëni qeverisë dhe popullit të Malit të Zi në këtë intervistë. Po bëhen rreth 6 muaj që ambasada jonë po zhvillon një punë normale këtu në Tiranë. Deri tani gjithçka shkon mirë. Duhet theksuar që bazë janë marrëdhëniet politike ndërmjet dy shteteve, të cilat janë shembull në rajon. Kjo duket qartë në marrëdhëniet mes pushtetarëve por edhe popujve tanë. Të gjithë thonë që puna e jonë si përfaqësues shtetesh është e vështirë, unë them të kundërtën, sepse siç thashë edhe më sipër, kur marrëdhëniet politike janë në pozicione të përbashkëta nuk ka asnjë problem që nuk zgjidhet.
Në fushën politike marrëdhëniet janë shumë të mira, por në fushën ekonomike duket se ka mundësi për më shumë. A mund të na thoni diçka me detaje konkrete në këtë drejtim?
Po, kjo është një pyetje mëse e drejtë. Tanimë Mali i Zi është plotësisht i hapur, në një rrugë të pakthyeshme drejt integrimit evropian. E thamë që marrëdhëniet politike me Shqipërinë janë shembull në rajon, por është e drejtë që në fushën ekonomike hapat duhen rritur shumë më tepër, sepse potencialet dhe mundësitë ekzistojnë për dy shtetet. Shkëmbimi i mallrave të ndryshëm, import-eksporti duhet të ishte dhe duhet të rritet domosdoshmërisht. Në rast se qytetarët lëvizin lirshëm, pa pasaporta, (ku fatkeqësisht s’ka kontratë shtetërore të nënshkruar) për lëvizjen e mallrave ka më shumë kërkesa. 
P.sh., Shqipëria ka dy fabrika mjaft të mira të prodhimit të çimentos, e cila shquhet për cilësinë e lartë të saj. Ne sot ofrojmë kërkesa në mbi 10-fishin e saj që importojmë për këtë lëndë dhe çuditërisht kjo kërkesë e jona sikur neglizhohet nga afarizmi vendas. Një tjetër fakt, mallrat që hyjnë në Shqipëri në përgjithësi janë shumë cilësorë, një sasi jo e vogël vjen nga Italia dhe meqë ju keni privilegjin, në këtë drejtim do kishte mundësi që për furnizimin me këto mallra, të ndihmoheshim edhe më shumë. Ne duam të blejmë hekur shumë më tepër. Nga ana jonë mund të sillnim në Shqipëri mish gjedhi, derri, pule të freskët e të përpunuar me çmime mjaft konkurruese, madje dhe më të lira. A nuk përbën kjo një rritje shkëmbimesh reciproke, në fund të fundit dhe në interesa?
Një fushë e veçantë bashkëpunimi për dy vendet mund të cilësohet turizmi i ndërsjelltë. Ç‘prioritet mund të kemi këtu?
Turizmi është një sferë e veçantë që ne na afron pozicioni gjeografik. Vija bregdetare përbën një fushë të gjerë interesash e përfitimesh shtetërore. Pas pak ditësh ish-ministri i Turizmit, Z. Agim Sinoimeri, sot pronar i agjencisë turistike “Kiturs” kanë nxitur ide për rritje të marrëdhënieve rajonale. Në kohën e ish-Jugosllavisë, Dubrovniku ka qenë integruar me republikën e Malit të Zi. Pse të mos kemi një lidhje të fuqishme Dubrovnik-Durrës dhe anasjelltas apo edhe një lidhje rrugore Tiranë-Shkodër-Cetinë-Kotorr. Shkodra dhe Cetina janë dy qytete shumë të vjetra në histori e kulturë. Ne jemi shumë të kënaqur që në Mal të Zi popullsia shqiptare që përbën mbi 7 për qind të popullsisë së përgjithshme votoi plotësisht për shkëputje nga Serbia, po kështu dhe pakicat e tjera bënë të njëjtën gjë. Me ndryshim nga pakicat në republikat e tjera. Kjo gjë do të thotë që pakicat ndjehen mirë në Mal të Zi. Janë thyer tërësisht barrikadat e konceptet e dikurshme.
Kultura, arti, arsimimi a do kenë synime të reja?!
Patjetër, gjithnjë më të intensifikuara nga të 2 krahët. Ekziston marrëveshja mes 2 akademive shkencore dhe si Podgorica, ashtu edhe Tirana kanë organizuar aktivitete të ndërsjella. Në 6 muajt e ardhshëm do të ketë vizita personalitetesh shtetërore për më shumë punë konkrete. Besojmë se do të ketë një larmi aktivitetesh kulturore artistike në dy kryeqytetet si ardhja e studentëve nga Mali i Zi në Tiranë për studime të larta, panairi i librit i përvitshëm në Ulqin, etj. Veç kësaj, para pak ditësh ne si punonjës të ambasadës dhamë një konferencë me rastin e koncertit të këngëtares së famshme, Madona në Budva, duke bërë dhe reklamime në gazeta e televizione etj. Shkodrën si rajon kufitar do ta kemi me prioritet të veçantë, në kulturë por dhe mjedisor. Në mbështetje të nevojave për gjak ne si ambasadë, të gjithë iu përgjigjëm thirrjes dhe i dhuruam njerëzve në nevojë. Madje desha t’i propozoja Ministrisë së Shëndetësisë që të sjell në Shqipëri një personalitet në fushën e mjekësisë, që mund të ndihmonte në procesin e dializës, transplantimin e veshkave, apo shitje pajisjesh komplete spitalore bashkëkohore. Është shumë pozitive që Shqipëria ka fituar të drejtën për hyrje në NATO. Kjo ne na përkrah dhe na jep një siguri. Ku ka gjë më të mirë!
A keni vënë re ndonjë mangësi që duhet nënvizuar dhe duhet të eliminohet në të ardhmen?!
(qesh) P.sh., rruga Shkodër-Hani i Hotit, 36 km e gjatë, paraqitet mjaft keq si dhe nga ana jonë rruga Ulqin–Sukobinë-Tivar kanë nevojë për zgjerime dhe restaurime të plota. Nuk po e harroj as aksin tjetër Podgoricë–Hani i Hotit. Pika Kufitare Muriqan-Sukobinë, të jetë shembull në rajon. Mendoj dhe besoj se z. Berisha e z. Gjukanoviç do të dinë të vendosin pikat mbi “i” kurdoherë e mbi çdo gjë.
A mendoni se Shqipëria dhe Mali i Zi do të jenë pranë njëri-tjetrit drejt Evropës së Bashkuar?!
Patjetër, si dy miq të mirë, me ura të reja bashkëpunimi dhe arritjesh, që popujt të vlerësojnë kohën e humbur. Ju faleminderit!

Kosova kthen opozitën malazeze në Parlament 

Çështja e Kosovës ka kthyer opozitën malazeze në parlament, edhe pse ajo kishte vendosur ta bojkotonte atë. Deputeti i Alternativës Shqiptare, Vasel Sinishtaj, deklaroi se do të marrë pjesë ne seancë dhe nëse votohet për Kosovën, do të votojë pro njohjes. Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike, Mehmet Bardhi, u deklarua se ende nuk është i njoftuar me materialin e seancës. Parlamenti malazez më 3 tetor do të zhvillojë një seancë për të diskutuar mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës, sipas njoftimit të Ranko Krivokapiç, kreu i Kuvendit malazez. Sipas mediave  malazeze, “Mali i Zi do ta njohë me siguri pavarësinë e Kosovës në fillim të muajit të ardhshëm, për shkak se 41 deputetët e koalicionit qeveritar të martën pasdite kanë nënshkruar Projekt-Rezolutën për njohjen e Kosovës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›