Petersen kritikon apatinë e kosovarëve
Ish-kreu i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Soren Jessen Petersen, gjatë një interviste në BBC, tha se nuk ka parë një strategji dhe aktivitet të institucioneve të Kosovës që do të inkurajonin dhe promovonin njohjet, ashtu siç ka vepruar Serbia me përpjekjet për të bllokuar pranimin e pavarësisë. Petersen shtoi se nisma e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së do ta zgjasë paqartësinë në rajon dhe do të mbajë peng edhe Kosovën dhe gjithë Ballkanin. Ai tha se kjo nismë nuk mund të ndryshojë faktin se Kosova është e pavarur, por mund të ndikojë në disa nga qeveritë dhe investitorët e huaj, që po e vlerësojnë ende hapin e tyre në raport me Kosovën. "Serbia ka pasur të drejtë të bëjë një gjë të tillë. Unë besoj se fillimisht Serbia ka qenë e këshilluar gabimisht të ecë përpara. Ata mund ta kenë të mbështetur në aspektin ligjor, por politikisht unë besoj se ka qenë një lëvizje fatkeqe. Ajo do të zgjasë paqartësinë, por nuk mund të ndryshojë gjërat, sepse pavarësia është e qartë dhe qëndron fuqishëm, dhe ajo nuk mund të ndryshohet nga asgjë", tha Petersen. Ish-kryeadministratori i Kosovës tha se mbështetësi kryesor i Serbisë, Rusia nuk mund të vazhdojë ta ndihmojë më, sepse, sipas tij, e ka sakrifikuar Serbinë pas ndërhyrjes në Gjeorgji dhe njohjes së pavarësisë së Osetisë Jugore dhe Abkhazisë. Petersen tha se BE-ja duhet të jetë më e qartë me Serbinë dhe të dërgojë mesazhe për të nëse ajo do BE-në apo Kosovën. Sipas tij, Serbia nuk mund të vazhdojë të kundërshtojë vendosjen e EULEX-it në Kosovë.