Duro kthehet te Besa, ja prapaskenat
Jetmir Halilaj
E akuzoi për trukim, më pas e shkarkoi me një ‘sms’ dhe për më tepër vendimin më parë ua kaloi mediave se sa trajnerit të tij. Kështu veproi Nexhat Bizhdili me Shpëtim Duron të enjten e kaluar. Dje përmbysi gjithçka, vendosi ta rikthente trajnerin sërish në krye të skuadrës së tij. Një vendim i papritur, por jo edhe aq, pasi në këtë rast kemi të bëjmë me Bizhdilin. Duro ka pranuar të rikthehet, edhe pse presidenti i tij i kishte thënë fjalën më të rëndë që mund t’i thuhet një trajneri: “Bëri pazar, ndaj e hoqa”. Tekniku vazhdon të mendojë se ajo ishte një fyerje për të, por të paktën ndihet i qetë, pasi tani gjithçka është sqaruar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Duro shpjegon arsyet e rikthimit të tij te verdhezinjtë si dhe bisedën me Nexhat Bizhdilin, që e bindi të kthehej në postin e mëparshëm.
çfarë ju bëri të ndryshonit mendje, të ktheheni në një klub ku presidenti i tij ju akuzoi për pazare?
Shikoni, unë së pari jam i lumtur që gjithçka u sqarua dhe doli në pah e vërteta. Mendoj se edhe Bizhdili reflektoi dhe kërkesa e tij ishte e sinqertë.
Cila e vërtetë doli në pah?
Që unë nuk kam bërë asnjë pazar në atë mes. Thjesht më interesonte barazimi, por për asnjë moment nuk i kam thënë skuadrës që të luftojë vetëm për barazimin. Të gjithë e dinim se me një pikë ne mbeteshim në vendin e dytë dhe praktikisht e siguronim Evropën edhe pa Kupën. Ishte Tirana ajo që duhej të fitonte, por ama kishte edhe frikë të humbiste. Për mua, në atë ndeshje gjërat shkuan sipas planeve dhe këtë nuk e kam fshehur asnjëherë. Sipas planeve në aspektin sportiv, të kuptohemi.
Po pse Bizhdili ju akuzoi menjëherë pas ndeshjes se ju kishit bërë pazar me Starovën?
Sepse ka edhe ndonjë palë të tretë, që nuk ia do të mirën atij klubi dhe ndoshta e ka nxitur presidentin Bizhdili që të mendojë një skenar të tillë. Pavarësisht gabimit që bëri, fatmirësisht Bizhdili e ka ndjekur këtë çështje edhe gjatë këtyre ditëve dhe më në fund vërtetoi se unë nuk kisha asnjë lidhje me këtë gjë.
Bizhdili ka thënë se nuk ishte faji juaj, por i lojtarëve...
Unë e them edhe njëherë se gjithë skuadrës, mua dhe lojtarëve na interesonte edhe një barazim në atë ndeshje, por kjo nuk duhej interpretuar si një tolerim apo pazar. është shumë e thjeshtë.
Dakord, por nuk është aspak e thjeshtë që një president klubi të akuzojë fillimisht trajnerin e tij, më pas e kthen atë në detyrë dhe ua lë fajin lojtarëve, apo jo?
Për mua e rëndësishme është që gjërat tani u sqaruan. Fola shtruar me Bizhdilin dhe ai pranoi se ishte nxituar. Padyshim që edhe unë u nxitova, por ama e kisha ndërgjegjen të pastër. Tani mendoj se gjithçka është e qartë, jo vetëm mes meje dhe Bizhdilit, por edhe për sportdashësit. Jam i ndërgjegjshëm se kaluam një situatë të vështirë, ndaj shpresoj që kjo të mos përsëritet më.
A i kërkuat Bizhdilit që herë tjetër të mos përsëritej më një situatë e tillë?
Fola gjatë me të dhe nuk ishte nevoja që t’i bëja një kërkesë të tillë, sepse fakti që ai kërkoi të më rikthejë në ekip, do të thotë se e ka kuptuar që u tregua i nxituar.
A është e vërtetë se një nga kushtet që i keni vënë Bizhdilit është se i keni kërkuar që në finalen kundër Vllaznisë skuadra duhet të luajë drejt, pra me pastërti?
Nuk ishte kusht, ishte thjesht një nga sugjerimet dhe një nga gjërat që vura në dukje. Unë dua ta fitoj atë trofe, ndaj i thashë edhe Bizhdilit se në Kupë do luajmë drejt. Nuk po them se tani që erdha unë do e fitojmë patjetër, por ama do të luftojmë deri në fund.
“Trajneri i pafajshëm, nuk dënoj dot 11 lojtarë”
Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, ka sqaruar rikthimin e trajnerit Shpëtim Duro, duke e cilësuar këtë të fundit si të pafajshëm. “Pasi verifikuam gjithë ngjarjen, përfundimisht dolëm në konkluzionin që lojtarët tanë janë vetëkënaqur bashkë me ata të Tiranës, duke bërë kështu një pakt në heshtje, në mënyrë që ndeshja të përfundonte në barazim. Meqenëse ky rezultat na interesonte, pasi rivalët tanë, Laçi dhe Tirana, i mbanim larg në renditje, ka bërë që futbollistët të arrinin në këtë kompromis mes tyre. Veprimi im me trajnerin, jo se është i nxituar, por si president klubi, normalisht duhet të veproja në atë mënyrë, sepse jam unë i pari që e ndjej në kurriz atë punë. Faktikisht, këtë e kanë bërë lojtarët, por unë nuk mund të ndëshkoj një ekip të tërë”, është shprehur Bizhdili.