E Diel, 1 Nëntor 2026

Finale shkelmash, Interi fiton Kupën ndaj Romës në “Olimpico”



Interi ka mposhtur Romën në finalen e Kupës, duke marrë trofeun e parë të këtij sezoni dhe duke mundur një nga rivalet direkte. Golin e vetëm të takimit në fitoren 1-0 të ziklatërve e shënoi i përhershmi Diego Militi në minutën e 40-të. Bomberi i skuadrës së Murinjos shënoi pasi arriti të mposhtte duelin me tre mbrojtës të Romës. Gjithë ndeshja është shoqëruar nga tensioni, ku nuk kanë munguar shkelmat dhe kartonët e kuq. Në minutën e shtatë të ndeshjes është detyruar të lërë fushën e lojës mesfushori i Interit, Shnajder, i cili u godit nga Burdiso në këmbën e djathtë. Ndërkaq, edhe Murinjo është acaruar tej mase kur Militos iu anulua një gol në minutën e 22-të të ndeshjes. Ai i ka kërkuar një prej telekronistëve që të shihte nëse Milito ishte apo jo në pozicion jashtë loje, por kërkesa e tij nuk është pranuar. Pak minuta para përfundimit të takimit ishte pikërisht kapiteni i Romës, Françeskto Toti, i cili në mënyrë tendencioze gjuajti me shkelm Balotelin duke e shtrirë në tokë sulmuesin e Inerit. Mesfushori i verdhekuqëve u ndëshkua me karton të kuq menjëherë, por nervozizmi në fushë zgjati për disa minuta. Më pas ishte Muntari ai që u kap me sulmuesin e Romës, Tadein dhe pati sërish polemika në fushën e lojës. Pas fërshëllimës së gjyqtarit, sërish lojtarët e të dyja skuadrave u konfrontuan fizikisht në fushën e lojës, madje një tifoz i Romës hyri në fushë dhe tentoi të gjuante Muntarin. Ai u bllokua menjëherë nga forcat e rendit, por ndërkohë lojtarët vazhduan të polemizonin ashpër mes tyre dhe u desh që të hynin pjesëtarët e të dyja stafeve për të vënë në kontroll situatën. Ky ishte një shans i mirë për Romën për ta mbyllur sezonin me trofe, pasi kalendari në kampionat nuk e favorizon shumë. Gjithsesi, skuadra romane shpreson që të fitojë titullin, ndonëse është dy pikë larg Interit kryesues.

Shnajder
Mesfushori i Interit, Uesli Shnajder doli nga fusha i dëmtuar që në minutën e shtatë, pasi pësoi një ndërhyrje të ashpër nga ish-interisti Burdiso. Gjithsesi, lojtari nuk rrezikon për në ndeshjet e ardhshme, pasi dëmtimi nuk ishte shumë i rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›