Spahiu: Pse s’dëshiroj të futem në radhët e Partisë Socialiste
afrim imaj
“Nuk mund të bëhem pjesë e një partie që vazhdon të mbajë të mbyllur derën për disidentët politikë”. Që në krye të herës mesazhi i Bedri Spahiut drejtuar Kongresit të Parë të Partisë Socialisite, shpjegon arsyet pse e shikon veten jashtë radhëve të partisë së re të ringritur mbi gërmadhat e Partisë Komuniste. Njëherazi me vendimin për të qëndruar larg familjes politike të socialistëve, Bedri Spahiu, njëri nga komunistët më të hershëm shqiptar, risjell në vëmendjen e kongresmenëve një vështrim kritik mbi historinë e partisë që drejtoi vëndin për katër dekada me radhë…
Komunistët, si trashëgimtarët e monarkëve absolut
është rregull ndërkombëtar që çdo parti, ciladoqoftë, kur ndodhet përpara kërkesave të rinovimit të saj ideologjik e organizativ, puna e parë që bën është që t’i hapë dyert e saj për disidencën dhe të çelë në këtë mënyrë rrugën e rinovacionit të saj. Përgatitësit e këtij kongresi nuk e bënë këtë gjë. Mos vallë është çështja për mungesë eksperience apo harresë? Jo, as njëra, as tjetra, pasi ky veprim buron nga logjika komuniste e atyre që përgatisin Kongresin, nga realiteti enverist e totalitar i patriarkut të komunistëve. Një nismë e rrezikshme dhe fatzezë për anëtarët e këtij kongresi, i cili pretendon me plot të drejtë të jetë Kongresi i Rilindjes së partisë e të komunistëve, i flakjes tej të sektarizmit e të miopisë, të prepotencës dhe të absolutizmit të botës shqiptare. Komunistëve u ndodhi si dikur trashëgimtarëve të mbretërve absolutë “Le soi ast mort, vive le roi”. Unë jam po ai disident që kam qenë atë ditë, kur më dhanë shkelmin e më përjashtuan nga partia. I tillë jam e i tillë do të mbetem, se e çmoj përjashtimin timim si një fatbardhësi në jetën time. Jam një nga disidentët që i jam kundërvënë Enverit me tërë forcën dhe burrerinë e gjeneratës sime. Kam qenë prokuror i parë i gjyqit special dhe në interes të komunistëve e të partisë së tyre unë do ta kisha vendin në Kongresin e 10, pavarësisht nga dëshira dhe qëllimet e liberalëve apo të konservatorëve. Do të isha me Ramiz Alinë, pasi ai sapo mori fuqinë në dorë, i dha fund ndarjes së popullit me murin e klasave dhe konservatorët nuk mundën më të lëshojnë slogane denigruese dhe asgjësuese. Por ky liberator, duke qenë trashëgimtar i Enver Hoxhës, u bë ëndërrimtar e më shkatërrues se prijësi i vet, më konservator e më represiv se paraardhësi i tij (nxënësi tejkalon mësuesin). Ai përdori format represive që Enveri as kish mundur t’i konceptonte. Ai jo vetëm që i ekzekutoi ata që tentuan të arratiseshin, por zvarriti trupin e viktimës në rrugët e qytetit për të terrorizuar ata që tentonin të arratiseshin. Ai përdori varjen si masë ekzekutimi, megjithëse me kohë kjo qe flakur tej nga praktika jonë gjyqësore. Ai premtoi se do të ecte në rrugën e Enverit, sipas mësimeve të tij. Vuri ligjin mbi mbrojtjen e monumenteve kombëtare, që në praktikë do të thotë ligj për mbrojtjen e monumentit të Enverit. Në politikën e tij ekuivoke, që e bënte herë të distancohej e herë të afrohej, ai humbi kredinë e popullit në atë shkallë sa që populli i Tiranës i refuzoi pushtetin shtetëror. Ishte e para herë që populli i refuzonte monopartizmit ushtrimin e pushtetit, të drejtën për ta ushtruar atë.
Partia Socialiste, me pozicione enveriane
Ata që përgatisnin Kongresin e 10 janë plotësisht në pozicione enveriane, se u refuzojnë komunistëve materialet e të gjithë disidentëve, dokumentet e tyre historike e midis tyre edhe ato që i përkasin Bedri Spahiut, testamentet e tij të dërguara nga burgu Komitetit Qendror, mbrojtja e tij në gjyq, materialin e pleniumit që e dënoi atë në 1955-ën e gjithë materialin e luftës së tij për një shtet juridik e demokratik, etj. E di fort mirë se askush nga ata që e kanë në dorë të vazhdojnë të ushtrojnë pushtetin diktatorial në Shqipëri, nuk ka nevojë e as do të dëgjojë mendimet e mia. Po ç’të bësh, diktatura iu u imponua mizorisht për 45 vjet këtij populli të marrë nëpër këmbë e të gënjyer. Unë jam mbeturinë e një gjenerate, që diti të luftojë e të fitojë e që ia doli të distancohet nga e shkuara e zezë, mizore, pa marrë parasysh se do t’i kushtonte ky distancim. Rinia universitare e sotme është udhëheqësja e tërë lëvizjes disidente për liri e demokraci, një ngjarje kjo, që unë as nuk kam mundur ta mendoja se do të ndodhte, edhe pse ishim tamam ne të rinjtë e gjeneratës sime, që u vumë në ballë të lëvizjes disidente dhe në ballë të luftës për çlirim. Megjithëse ne disidentët e djeshëm jemi krenarë për gjithë rininë e sotme dhe e çmojmë atë jo vetëm se është krijesa jonë biologjike, por sepse është më heroike, më e matur, më e sakrificës, më inteligjente se ne. Ne e kemi për nder të ecim prapa rinisë sonë, t’i shtrohemi me bindje të plotë iniciativave të saj dhe të presim kritikat e saj si një nevojë për t’u çliruar nga barra e rëndë e gabimeve tona të shumta e të hatashme. është detyra jonë t’i shtrohemi me ndershmëri dhënies llogari kësaj rinie. Na pyesni, t’ju përgjigjemi në çdo kohë e në çdo rrethanë. Kjo është detyra jonë e parë.
Nuk ka parti të re me mitin e Enverit
Thuhet se në kongres do të shpallet Partia Marksiste-Leniniste. Ky fakt tregon në radhë të parë se lëvizja demokratike është e fuqishme për liri e demokraci, ka nevojë edhe për një parti, qoftë marksiste-leniniste, se do të tregojë forcën e idealeve demokratike, por ju jeni në kontradikta, se në organizimin e partisë, ju jeni në kundërshtim me tërë proceset e zhvillimit ndërkombëtar e në radhë të parë me revolucionin paqësor për botën e lindjes. Jeni në kundërshtim me të drejtat e njeriut, të shpallura e të njohura botërisht sot në të gjitha diktaturat e botës komuniste. Jeni në kundërshtim me ngritjen paqësore të popujve të shtypur të lindjes? Ju jeni rivendikimi i çdo gjëje të mbrapshtë, të ulët e mizore, që ka nxjerrë epoka enveriane. Jo urime, por mallkimin tim, ju dërgoj e bashkë me të ju them se është e drejta juaj të krijoni çfarëdo partie që ju teket. Kjo parti s’ka jetë se është partia e konservatorëve, pra do t’i shërbejë popullit tonë jo për të gjetur rrugën e çlirimit, por për të gjetur një rrugë të mbyllur, rrugën që nuk duhet të ndjekë dhe në këtë drejtim ju keni të drejtë të ngrini një parti të tillë dhe të grumbulloni rreth vetes të gjithë ata që do të mendojnë si ju. Ju jeni të predispozuar ta mbyllni me turp historinë tuaj, sepse jeni përsëritës të një partie që do ta krijoni mbi mësimet e idhullit tuaj të përmendur e heroik, siç ishte famëmadhi E.Hoxha. Ju doni ta ringjallni atë eksperiencë të një populli që vuajti i masakruar. Ju doni të ngjallni edhe njëherë mitin e E.Hoxhës të vdekur e të vini në piedestal një njeri të turpit e të degjenerimit.
vijon nesër...