E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva, çfarë ndodh pas katër ditësh në çadrën e socialistëve



Ferdinand Dervishi

“Kam sjellë ilaçet e burrit. I përdor për fytin...” Prapa tendave, përballë hyrjes kryesore për në Kryesinë e Parlamentit, ku janë ngujuar 200 socialistët grevistë, një mesogrua bëhet gati të ndezë sherrin me një vajzë, e cila ka të varur në qafë një kartë identifikimi që lexon “STAF”. E pozicionuar në anën e brendshme të gardhit metalik vajza “STAF”, me një pamje sikur t’i kishte këputur kokën një gardianeje të pashpirt, hap qeskën me ilaçe, nxjerr një kuti ku lexon “multivitaminë” dhe refuzon me një vështrim krejt të ftohtë.
Serioziteti i kësaj situate të krijuar të bën të mendosh se ndoshta kjo është greva e urisë më e pashembullt e shqiptarëve. Të 200 të ngujuarit, që protestojnë në këtë formë për transparencën e zgjedhjeve të një viti më parë, strehohen në rreth 30 çadra që janë vendosur në një kuadrat afërsisht 100 metër të gjatë dhe 50 të gjerë, në mes të shëtitores “Dëshmorët e Kombit”. Një sipërfaqe e vendosur paralel, që përputhet me gjatësinë dhe mbase edhe me madhësinë e asaj që zë korpusi ballor i Kryeministrisë. Jashtë çadrave, në anën që sheh nga sheshi “Nënë Tereza”, janë instaluar banja e dushe që kanë ujë gjatë gjithë kohës, ndërsa në brendësi, mu në qendër, është gatitur një infermieri, ku një staf mjekësh vullnetarë kujdesen për shëndetin e të gjithëve.
Në brendësi
Ndërsa të futesh brenda, nëse je gazetar pa kamera, është e vështirë. E vështirë është edhe kur këtë e arrin, pasi menjëherë të qepet nga pas një qenie me kartën “STAF”, e cila pak më pas se gjysmë ore të shkuar, nis të streson duke t’u lutur që të dalësh jashtë. Ah, te hyrja edhe një kontroll i rreptë, kërkim edhe brenda këllëfit të aparatit fotografik.
Në brendësi shqisat të formojnë idenë e një pastërtie të qëndrueshme, me gjithë zagushinë e krijuar nga çadrat. Krevatet portativë të kompletuar me çarçafë, batanije e nënkresa krejt të reja, janë vendosur në dy radhë nën çadrat, që në anën e brendshme e kanë të hapur pamjen. Grevistët e urisë, shumica të shtrirë e një pjesë në këmbë, që të gjithë të veshur me bluza të kuqe me shqiponjë dykrenore të stampuar në gjoks, plotësojnë të gjithën. Ka grevistë nga çdo rreth, të mbledhur pas deputetëve të zonës dhe të pozicionuar në zona të ndryshme nën çadër. Me një fjalë nuk mungon asnjë nga dialektet e folura të shqipes. Diku, në qendër të çadrës, deputeti Asllan Dogjani, bën “tutorin” për dhjetë kuksianë, një prej të cilëve prej dy ditësh paraqitet me shëndet të rënduar. Por edhe vetë deputeti i zonës veriore nuk është ndier mirë një natë më parë, duke u detyruar të marrë një serum në infermierinë e improvizuar në qendër të çadrave.
“E para që dua të them, nis ai, është se që të gjithë janë futur në grevë me dëshirë. Këtu janë siguruar kushte minimale jetese. Mund të bëjmë dush, të rruhemi dhe të lajmë dhëmbët. Po kështu lejohet që nga familjet të sillen ndërresa të pastra. Ndërsa ushqimi i vetëm është uji”, nis rrëfimin deputeti i Kukësit. Sipas tij, sot, mesditën e 4 majit, ndihet që njerëzit janë më të lodhur se një ditë më parë. “Dëgjohen më pak zëra, dhe po të shohësh, ka më pak njerëz në këmbë. Pasi ngrihen, për të shkuar në banjë, apo për të përshëndetur ndonjë të njohur, kthehen shpejt dhe menjëherë shtrihen. Sepse nuk kanë më rezistencë. Dje mu desh edhe mua të marr një serum. Kështu e vendosën mjekët. E kisha tensionin 5 me 7. Pas serumit u ndjeva vërtet më mirë. Por nesër (5 maj) pritet të jetë një ditë beteje, pasi ka të ngjarë që të përkeqësohen njëherësh të gjithë. është dita e pestë, të paktën kështu e kanë parashikuar doktorët”, thotë deputeti i Kukësit.
“-A është tentuar që të futen ushqime?”
“-Edhe mund të jetë tentuar. Por kam idenë se gjithkush do të turpërohej nëse këtë do e mësonin të tjerët. Sepse të gjithë janë futur në grevë me dëshirë. Do rrinë sa të munden. Por edhe mund të dalin me vendim personal, që tani madje”.
“-Si e kaloni kohën”?
“-Ditët e para lexonim, pothuaj të gjithë. Dikush edhe luante shah, apo tavëll. Por këto dy ditë të fundit nuk mundemi. Kemi aq fuqi sa të lexojmë vetëm titujt me germa të mëdha të gazetave”.
“-I keni takuar të afërmit”?
“-Jo, vetëm fëmijët. Vetëm ata lejohen. Kaluan mes hekurave dhe më përqafuan. Nuk janë aspak dakord që unë nuk shkoj të rri me ta në shtëpi...”
Gjithsesi nën çadra, edhe pse më të begenisur e më të predispozuar për të folur, deputetët janë pakica. Shumica janë mbështetës të Partisë Socialiste, një pjesë e të cilëve kanë humbur vendet e punës për shkak të reformave të Qeverisë në pushtet. Elez Braho, është një ish-polic 43-vjeçar nga Kukësi. Thotë se në shtëpi ka lënë tre fëmijë të mitur, gruan dhe pleqtë, të cilët rrojnë, apo më saktë kanë të ardhura nga përkrahja sociale në shumën dymijë e katërqind lekë në muaj. Elezi e thotë hapur se është futur në grevë sepse shpreson për ndryshim, edhe pse, i ati, në moshë të thyer i ka thënë në telefon: “Mora vesh se je fut në grevë. Por a e din se me cilin mbret je fut? Ai është shumë i vështirë. Duhet të rezistoni”.
Diabetiku i fundit
Në brendësi të çadrës nuk është e vështirë të gjesh personazhe unikalë. Njëri që ta pëshpëritin në vesh është deputeti i Durrësit dhe ish-ministri, Blendi Klosi. Të thonë se ai është i sëmurë me diabet, se dy nga tre të sëmurët me diabet tashmë kanë përfunduar të spital dhe për më tepër, ai ka edhe gruan shtatzënë. Blendi Klosi ngre trupin e gjatë diku në një shtrat të vendosur në mes të çadrës. Nuk është rruar të paktën prej tre ditësh dhe sepse nuk lëshon asnjë çast nga dora një shishe uji.
“I kisha përgatitur ata të familjes pak a shumë për një lëvizje të fortë. Por për grevën e urisë, kur e mësuan, nuk ishin dakord për shkak të diabetit. Gjithsesi më kuptuan kur u thashë se kjo punë tashmë është vendosur. Mjekët e dinë për diabetin dhe më rrinë afër. Thonë se parametrat i kam në përkeqësim, por këmbëngulin se ende nuk jam bërë për serum. Duket që kam një organizëm të mirëmbajtur se e kam shumë qejf pijen energjike Red-Bull”, thotë Blendi duke vënë për herë të parë buzën në gaz. Dhe sikur të dojë të mbajë ende në ajër këtë situatë rrëfen se si në dy raste gjatë këtyre katër ditë/netëve i ka shkuar mendja për të ngrënë. “Mu aktivizuan gjëndrat e pështymës, njëherë kur pash në televizion reklamën e një sallami dhe së dyti kur pashë nënën që kishte ardhur të më përshëndeste. Sepse ajo ka qenë gjithë jetën time, veç të tjerave, personifikimi, përfytyrimi, koncepti i gatimit, pra i ushqimit. Por gjithsesi gjatë gjithë kohës tjetër, ndjesia e asaj që po bëjmë ka qenë më e fortë se ajo për të ngrënë. Sepse mendojmë për një përfundim pozitiv, sepse veprimi është i mirëmenduar...”, vazhdon ai rrëfimin. Klosi pohon shtatzëninë e së shoqes dhe shton se momenti për t’u bërë pjesë e grevës ishte vërtet i papërshtatshëm, por gjithsesi ngushëllohet duke menduar se do të jetë një gjë e veçantë, mbase e bukur, kur fëmijës t’i thonë, vite më vonë, se ka lindur në kohën kur babai ishte në grevë urie.
Një femër
Ka mbërritur mesdita dhe nën çadra është shtuar vapa. Por mbase këtë e ndiejnë më tepër ata që nuk kanë lidhje me grevën. Ata që e kanë përlarë një vakt ushqim që herët në mëngjes. Sepse përveç bezdisë në rritje të kanotierës së ngjitur nga djersa dhe bluzave të saj të shfaqura pa mëshirë edhe në fytyrën e personazhit “STAF”, që të ndjek nga pas, të gjithë të tjerët duken të pa shqetësuar. Në një cep, apo më saktë në cep fare, atje ku po të ngresh fletën e çadrës përshëndet ushtarin në shkallët e Kryeministrisë, gjenden deputetet dhe femrat e tjera të grevës. Por “STAF-i” nuk lëshon udhë. E ka një arsye gjithsesi. Një çast më parë në drejtim të infermierisë është dërguar zhurmshëm një grevist në gjendje të përkeqësuar shëndetësore. Lëvizja në të njëjtin drejtim edhe të një tufe grevistësh të interesuar, përjetohet me ankth nga të gjithë. Pikërisht në këtë kohë “STAF-i” tregon nga femrat greviste dhe këmbëngul se ato nuk janë në gjendje të flasin për shkak të atij që çuan me urgjencë në infermieri. Një fakt që duket, por edhe dëgjohet në fjalët panikndjellëse: “Ky nuk ishte i sëmurë me diabet...”
Gjithsesi, dy minuta më tej, pasi pjesa femërore e grevës ka mbyllur kapakët e shisheve të ujit dhe është ulur në krevat mendueshëm, deputetja Ledi Shamku pranon të flasë.
Nënë e tre fëmijëve, ajo pohon se dy të vegjlit nuk e dinë se ajo ndodhet në grevë urie. Ndërsa për dy ditët e para ka pasur problem perceptimet e vajzës së madhe, tashmë 17-vjeçare.
“Dy ditët e para lexoja shumë zemërim në kontaktet telefonike me të. Kjo më bëri të ndihesha keq. Ajo ka lindur në Itali, ka kaluar një pjesë të jetës atje dhe e shpreh pakënaqësinë e asaj që percepton këtu. Por pas dy ditësh, mësova se nuk e kishte me mua inatin. Më kishte dërguar një letër, që më qetësoi gjithsesi. Sepse inatin e kishte pasur me atë që ngrihet kundër nesh, të gjithëve. Unë kam marrë pjesë edhe në grevën e urisë të studentëve në vitin 1991. Vajza ma kujtonte këtë në letër dhe më shkruante ca fraza që më bënë të shkrehem në lot. E kuptoni paradoksin. Më 1991 në grevë për të larguar një diktaturë. Po sot, përse? Vajza më shkruante se gjatë gjithë jetës së saj mbante mend para shqiptarëve të njëjtin person problematik...”, rrëfen deputetja Shamku duke qarkuar gjunjët me duar si për të tentuar të mbledhë më shumë veten, ndërkohë që lotët i duken e zhduken nga sytë e lodhur.
Në dalje “STAF-i” të përcjell shumë i lehtësuar. Te hyrja një tjetër “STAF” merret me ca arka me ujë të mbajtur në akull, ndërsa jashtë çadrës ajri është i njëjtë, i ngrohtë dhe i mbarsur me pluhur.
Nesër do të jetë 5 maji, dita e dëshmorëve dhe njëkohësisht edhe dita e parashikuar nga mjekët si më e vështira për grevistët e urisë.

Ish-polici: Jam futur për gjithë kolegët
Luan Mema, një ish-oficer policie dhe njëherazi ish-shef komisariati në disa rrethe të vendit thotë se është futur në grevë urie për veten si dhe për gjithë ish-kolegët e vet, që janë hedhur rrugëve për shkak të reformave të bëra në polici vitet e fundit. Sipas Memës, rreth 800 ish-kolegëve të tij u është ndërprerë nga Qeveria trajtimi financiar para kohe, në korrik të vitit 2009. “Gjesti im shkon në favor të kësaj kategorie ish-policësh të nëpërkëmbur, të cilët në shumicën e rasteve kanë qenë profesionistë të zotë, që kanë dhënë rezultat në luftën kundër krimit. Jam shumë i kënaqur që një numër i madh prej tyre më kanë marrë në telefon për të më mbështetur. Gjatë gjithë jetës sime nuk kam marrë ndonjëherë kaq shumë mesazhe mbështetjeje”, thotë ish-oficeri i policisë, Luan Mema.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›