Rrezikohet jeta e 19-vjeçarit
Aristir Lumezi
Dy grevistë të tjerë i janë bashkuar deputetes socialiste, Klodiana Spahiu, në spital. Një student 19-vjeçar nga Vlora, Romeo Sina, humbi ndjenjat dje rreth orës 14:30 dhe ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e një kolegu dhe e mjekëve që monitorojnë grevën, që kanë shpëtuar atë nga rrezikimi i jetës. Më pas ai është transportuar me autoambulancë për në spitalin “Nënë Tereza”, ku gjendja e tij shëndetësore është e mirë. Gjatë paradites së djeshme, Ramazan Ceka, 50-vjeçari nga Elbasani që vuan nga diabeti, u shoqërua në spital për shkak të uljes së nivelit të sheqerit, gjë që do t’i rrezikonte jetën. Në ditën e katërt të grevës, sipas grevistit Arben Ahmetaj, gjendja shëndetësore është vështirësuar dhe 24 persona kanë marrë serum gjatë ditës së djeshme. Ndërsa mjekja Alketa Hila përshkoi dje episodin mjekësor me të riun vlonjat gjatë grevës. “Me pak fjalë një student nga Vlora, vetëm 19 vjeç, nuk do flasë me gjuhën profesionale, por do flasë me gjuhën e një nëne, vjen e paraqitet pranë nesh me shqetësime, me marrje mendsh. Kuptohet është normale, kaloi 72-orëshi, kanë mungesë lëngjesh, nuk kanë pranuar asnjëri mjekim.
Vjen dhe humb ndërgjegjen, fillon cianozë, fillon nxirrje të buzëve e veshëve, humb ndërgjegjen. Në moment manipulohet me frymëmarrje artificiale. Pas manipulimit artificial, fillon menjëherë respiracion spontan, që ndodh gjithkund. E marrin dhe e fusin djalin brenda për t’i bërë manipulim me serumin, i çahen venat, përfundimisht vetëm një mrekulli”, u shpreh mjekja që rri pranë grevistëve shumicën e orëve të ditës.
Ministria
Ministria e Shëndetësisë shprehet e gatshme për të asistuar grevistët në grevën e Partisë Socialiste. Ministri Petrit Vasili i ka dërguar dje një letër kreut të PS-së, Edi Rama, si dhe ka vënë në dijeni kreun e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ku thekson gatishmërinë e bluzave të bardha të Tiranës në çdo situatë. “Duke vlerësuar që greva e urisë ka hyrë tashmë në ditën e katërt të zhvillimit të saj si dhe faktin që pjesëmarrës të saj janë edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe ku rëndimi i gjendjes shëndetësore është i paevitueshëm, ju siguroj për gatishmërinë maksimale të strukturave shëndetësore publike shqiptare për të ofruar ashtu si edhe deri tani mbështetjen e tyre të plotë për garantimin e ndihmës mjekësore ndaj grevistëve të urisë”, thuhet në letër. Në të njëjtën kohë Vasili theksoi se ekipet mjekësore janë të gatshme të japin ndihmën e tyre edhe në mjediset e brendshme të grevës. “Në funksion të qëllimit të vetëm, të garantimit të integritetit shëndetësor sa më të mirë të grevistëve të urisë, strukturat publike dhe Universitare Spitalore të Tiranës si dhe ato ambulatore janë urdhëruar të trajtojnë me prioritet parësor rastet e rënduara të grevistëve të urisë, duke vënë në dispozicion, në funksion të kësaj, të gjithë infrastrukturën spitalore dhe njerëzore që disponojnë si dhe shtretër spitalorë dhe personel mjekësor shtesë, në shërbim 24- orësh”, thuhet më tej në letër.
letra e vasilit per ramen
I Nderuar Z.Rama,
Në funksion të përgjegjësive të mia shtetërore lidhur me shëndetin publik dhe garantimin e ndihmës mjekësore kam ndjekur me shumë vëmendje se bashku me strukturat shtetërore që drejtoj, ecurinë shëndetësore të grevës së urisë të ndërmarrë nga forca politike që ju drejtoni.
Strukturat shëndetësore publike shqiptare janë urdhëruar të asistojnë dhe zgjidhin me prioritet maksimal çdo problem të karakterit shëndetësor të konstatuar tek grevistët e urisë.
Në funksion të këtij qëllimi drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës, kanë marrë kontakte të vazhdueshme me drejtuesit e grevës për një bashkëpunim sa më efektiv dhe të shpejtë për dhënien e ndihmës shëndetësore grevistëve që kanë paraqitur probleme me shëndetin e tyre.
Duke vlerësuar që greva e urisë ka hyrë tashmë në ditën e katërt të zhvillimit të saj si dhe faktin që pjesëmarrës te saj janë edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, dhe ku rëndimi i gjendjes shëndetësore është i paevitueshëm, ju siguroj për gatishmërinë maksimale të strukturave shëndetësore publike shqiptare për të ofruar ashtu si edhe deri tani mbështetjen e tyre të plotë për garantimin e ndihmës mjekësore ndaj grevistëve të urisë.
Nëse ju e gjykoni të udhës, ju konfirmoj se ekipet mjekësore publike janë të gatshëm që të ofrojnë ndihmën e tyre edhe brenda mjediseve ku zhvillohet greva, në bashkëpunim me ekipin mjekësor vullnetar që shërben atje për të asistuar sa më mirë dhe me cilësinë e duhur grevistët e urisë.
Gjithashtu në funksion të qëllimit të vetëm, të garantimit të integritetit shëndetësor sa më të mirë të grevistëve të urisë, strukturat Publike dhe Universitare Spitalore të Tiranës si dhe ato ambulatore janë urdhëruar të trajtojnë me prioritet parësor rastet e rënduara të grevistëve të urisë, duke vënë në dispozicion, në funksion të kësaj , të gjithë infrastrukturën spitalore dhe njerëzore që disponojnë si dhe shtretër spitalorë dhe personel mjekësor shtesë, në shërbim 24-o rësh.
Mbetem i hapur për çdo komunikim të mëtejshëm.
Sinqerisht,
M I N I S T R I
PETRIT VASILI
Këshilla e mjekëve
Këshilla e prerë e mjekëve për të gjithë grevistët e urisë ka qenë që të mos tentojnë të hanë asgjë, pasi organizmi nuk reagon mirë nëse dikush vjedhurazi do të tentojë të ushqehet. Sipas tyre, pas disa ditësh pa ngrënë, organizmi nuk mund të pranojë ushqime. Në të kundërt, ushqimi i marrë pas disa ditësh pa ngrënë provokon të vjella dhe menjëherë më pas grevisti do të ndihet shumë më keq. Po sipas mjekëve grevistët mund të konsumojnë ujë dhe në rast të një gjendjeje të përkeqësuar mund të marrin serum.