Duro “luan” me të gjithë, jep e kthen dorëheqjen
Dash Frashëri
Kualifikohet Flamurtari për në gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë, falë një penalltie në minutën e 108-të, dhe trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, dha menjëherë dorëheqjen në shenjë protestë ndaj gjykimit të Sokol Çekajt. “Urime Flamurtarit për kualifikimin, por nuk mund të vazhdohet më me këtë lloj gjykimi e këta gjyqtarë, të cilët e kanë goditur shumë Partizanin gjatë këtij sezoni”, - tha ndihmësi i ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, Oto Bariç. Por surpriza e Duros, nuk ka fund, teksa trajneri i të kuqve, pendohet menjëherë për aktin e tij, duke deklaruar pas një komunikimi e reflektimi se do të vazhdojë të drejtojë skuadrën e Partizanit.
Flamurtari pati një dominim të lehtë ndaj një Partizani me shumë mungesa e tërësisht në versionin “rinor” në asnjanësin “Niko Dovana”, ku nuk mungoi edhe ndonjë moment tensioni midis lojtarëve të dy ekipeve pas golit të vetëm të vlonjatëve, që kërkoi jo vetëm ndërhyrjen e stafeve drejtuese, por dhe të punonjësve të rendit.
Kapiteni Orges Shehi e çoi Partizanin e tij në shtesa, falë reagimit spektakolar ndaj gjuajtjes së fuqishme të sulmuesit të Flamurtarit, Ardit Shehaj, në limitin e pjesës së dytë, por portieri i rekordmenëve shqiptarë në Kupën e Shqipërisë, shkaktoi për fat të keq në minutën e 107-të edhe penalltinë të shndërruar më pas në gol nga Devis Mema, e që vulosi pas 120 minutave lojë pa shumë emocione edhe kualifikimin për herë të 17-të të vlonjatëve midis katër më të mirave të Shqipërisë në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm të futbollit shqiptar.
Ky ishte takimi i tretë në Kupën e Shqipërisë midis dy skuadrave, por rezultatet e dy takimeve të para, përfshirë edhe kualifikimin me penallti të Partizanit, u anuluan nga Komisioni i Disiplinës pranë Federatë Shqiptare të Futbollit për shkak të aktivimit të parregullt të lojtarëve nga të dyja ekipet.
Për shkak të rregullores, ku një lojtar që më parë brenda një sezoni me një ekip, nuk lejohej të aktivizohej me tjetrin, edhe pse ky i fundit kishte blerë kartonin e tij, Partizani nuk mundi të aktivizonte pesë lojtarë titullarë, çka dobësoi shumë edhe forcën e formacionit të pasuesit të Hasan Likës në bankinën e kuqe.
Flamurtari, 2 herë fitues i Kupës së Shqipërisë (1985 e 1988), do të përballet në gjysmëfinale me Shkumbinin, fillimisht në Vlorë (më 15 prill) e më pas në Peqin (29 prill).
Çifti tjetër gjysmëfinale i edicionit të 57-të Kupës së Shqipërisë është ai midis Vllaznisë e Tiranës, që për momentin bashkëkryesojnë kampionatin me nga 51 pikë secila.
Flamurtari gjatë rrugës së tij drejt gjysmëfinaleve eliminoi në turin e parë Naftëtarin (6-1, 3-2), në të dytin Bylisin (1-1, 2-1) dhe në të tretin Partizani (1-0, në përballjen teke).
KUPA E SHQIPËRISË
Takim shtesë
Partizani-Flamurtari 0-1
Shënues: Mema 108’ (11-m)
8 prill 2009, ora 16:00
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
Gjyqtar: Sokol Çekaj
EKIPET GJYSMËFINALISTE
FLAMURTARI
Flamurtari merr pjesë për herë të 17-të në gjysmëfinale. Në turin e parë Naftëtarin (6-1, 3-2), në të dytin Bylisin (1-1, 2-1) dhe në të tretin Partizani (1-0, në përballjen teke).
SHKUMBINI
Merr pjesë për herë të tretë në gjysmëfinale. Shkumbini në turin e parë eliminoi Gramozin e Ersekës (2-0, 4-0), në turin e dytë Apoloninë (0-0, 2-0) dhe në tretin Besën (1-1, 1-0).
VLLAZNIA
Merr pjesë për herë të tretë 27-të në gjysmëfinale. Vllaznia në turin e parë eliminoi Sopotin (4-0, 4-1, në turin e dytë Teutën (0-1, 3-1) dhe në tretin Dinamon (1-2, 2-0 në tavolinë).
TIRANA
Merr pjesë për herë të 30-të në gjysmëfinale. Në turin e parë eliminoi Tërbunin (1-1, 1-0), në të dytin Lushnjën (4-1, 5-0) dhe në të tretin Elbasanin (0-0, 2-0).
KUPA E SHQIPËRISË
Takim shtesë
Partizani-Flamurtari
8 prill 2009, ora 16:00
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës
Gjysmëfinalet
Ndeshjet e para
15 prill 2009
Flamurtari-Shkumbini
Vllaznia-Tirana
Ndeshjet e kthimit
29 prill 2009
Shkumbini-Flamurtari
Tirana- Vllaznia
FINALJA
13 maj 2009
9 Prill 2009