Duro, mision i posaçëm në Itali për Corrin e Milanit

ASA (Albania Sport Agency)- Shpëtim Duro, trajneri i Kombëtares U-17 të Shqipërisë do të niset nesër me një mision të posacëm, drejt Veronës së Italisë ku do të organizohet një turne për moshat, për të vëzhguar në aksion dhe vlerësuar nga afër mbrojtësin Andi Corri dhe mesfushorin Luigji Leka, dy talente premtuese që aktivizohen respektivisht me ekipet U-17 të Milanit dhe të U-17 të Padovës.
"Kontaktuam me organizatorët e turneut të Verona 2007 dhe pasi siguruam të gjithë programin e tij, dolëm në konkuzonin se ia vlente për t'i parë nga afër dy nga talentet më premtues të futbollit shqiptar", thotë për Albania-sport.com, trajneri i U-17, Duro.
"Në turneun e Veronës, që do të zhvillohet nga data 28 prill deri më 2 maj, marrin pjesë ekipet U-17 të Arsenalit nga Anglia, Bajerni i Munihut nga Gjermania, Akademik i Moskës si dhe ekipet italiane të Milanit, Juventusit, Atalantës, Vicencës dhe Kievos", jep detaje të tjera Shpëtim Duro, i cili është njëherësh edhe ndihmësi i trajneri të Kombëtares "A", kroatit me përvojë të madhe ndërkombëtare Oto Baric.
"Të shtunën do të ndjek takimin Padova-Milan ku sipas informacioneve që kemi siguruar nga klubet e tyre do të luajnë si Leka ashtu dhe Corri", shton Duro.
LOJTARET QE DO TE VEZHGOHEN
Andi Corri
Datëlindja: 27.03.1991;
Pozicioni: Mbrojtës;
Skuadra: AC Milan U-17
Luigji Leka
Datëlindja: 15.09.1991;
Pozicioni: Mesfushor;
Skuadra: Padova U-17