E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka: “Në finale shkon Milani”

ASA- Kaka beson se shanset e Milanit për t'u kualifikuar në finalen e Ligës së Kampioneve me gjithë humbjen 3-2 të pësuar nga Mancester Junaitid në ndeshjen e parë gjysmëfinale të zhvilluar në "Old Traford". "Ishte një rezultat i hidhur që na kushtëzon të mos gabojmë në ndeshjen e kthimit por, unë jam i bindur se ne mund të kualifikohemi", deklaroi braziliani, autori i dy golave të mrekullueshëm gjatë një ndeshje të shkëlqyer si ajo së martës në Mancester. "Ne duhet të luajmë ashtu si Junaitid luajti kundër nesh", shtoi ai për gazetën sportive italiane "La Gazzetta dello Sport". "Ne duhet të tregojmë provë karakteri dhe t'i shfrytëzojmë në mënyrë të plotë energjitë tona. Do të jetë një luftë". Milani pësoi edhe një goditje tjetër të ashpër: dy futbollistë thelbësore mund të mungojnë në ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet javën e ardhshme në "San Siro". Mbrojtësi dhe kapiteni, Paolo Maldini, u zëvendësua në pjesën e dytë për shkak të një dhimbje në gju, ndërkohë që i pasigurt është dhe aktivizimi i mesfushorit shkatërrues Xhenaro Gatuzo, i cili la fushën për shkak të një dëmtimi në këmbë.
Ferguson: "Reagim madhështor"
Kështu e konsideroi përmbysjen e rezultatit, trajneri i Mancester Junaitid, Aleks Fergusoni. "Në tërësinë e lojës, ne ishim ekipi më i mirë, sidomos në pjesën e dytë, dhe e meritonim të fitonim", pohoi ai, pas fitores 3-2 të Mancesterit ndaj Milanit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›