E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllezërit Seferi më 26 maj në ring

Ringu profesionist prej 26 majit do të pasurohet edhe me një boksier shqiptar. Sefer Seferi, vëllai i vogël i "Tajsonit shqiptar" Nuri Seferit, ka vendosur që t'i veshë dorezat e profesionistit, pasi e ka mbyllur me sukses karrierën si boksier amator, duke fituar shumë trofe si në Zvicër ashtu edhe në garat ndërkombëtare. Ashtu si edhe vëllai i tij Nuriu, Seferi do të boksojë në peshën "cruiser" (deri 90 kg).
Të dy vëllezërit ka kohë që kanë filluar përgatitjet për mbrëmjen e boksit që do ta organizojnë vetë në "Sporthalle Kirchberg" në qytetin ku banojnë, Burgdorf të Zvicrës.
Nuri Seferi që ka një bilanc prej 18 fitoresh dhe 5 humbjesh në ringun profesionist dhe ka si synim që ta fitojë titullin e kampionit të botës në peshën "cruiser", si dhe është duke zhvilluar një fazë përgatitore në Hamburg të Gjermanisë, ku ka pasur për "sparing-partner" ish-kampionin e botës në kategorinë e rëndë, Herbie Hide.
"Pesë ditë radhazi kam pasur nga 4 apo 6 raunde sparing në ditë me Herbie Hide dhe të gjitha këto i absolvova me sukses. Pas arritjes në Zvicër do vazhdojmë ushtrimet me Seferin dhe jam i bindur se edhe ai është shumë i motivuar dhe gati për sfida të mëdha në ring", ka thënë Nuri Seferi për "albanian-boxing.com".
"Brohoritjet në shqip, simbolet tona, tingujt e muzikës sonë dhe krenaria për kombin tonë është burimi i fuqisë sonë", ka shtuar ai. Dhe fjalë të tilla nuk kanë si të mos thuhen nga një njeri që njihet si një nacionalist i flaktë dhe që në ring futet nën tingujt e hitit "Albanian" të rep-grupit "Etno Engjujt" dhe me flamurin kombëtar.
Bashkë me Luan Krasniqin dhe Elvir Muriqin, Nuri Seferi është një nga shqiptarët më të njohur në boksin profesionist, ndërsa vëllai i tij, duhet të arrijë këtë me fitore në mejdanin e sportit të burrave.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›