E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sakaj: Flamurtari vetëm ndaj Tiranës ska luajtur mirë

Nga ELTON NIKA

Kapiteni vlonjat analizon 4 ndeshjet e para, teksa thotë se pikët do të rikuperohen dhe natyrisht që ekipi do të jetë në krye

Kapiteni i Flamurtarit, Artan Sakaj, është një nga futbollistët që në këtë periudhë duket se ka më shumë përgjegjësi dhe nuk mund të mungonte në këtë periudhë të fliste mbi ecurinë e Flamurtarit, mbi të gjitha për ndeshjen e fundit të humbur përballë Tiranës në kryeqytet. Një ditë e keqe për Flamurtarin, por nuk duhet të vëmë nën akuzë askënd. Ne fitojmë dhe humbasim si ekip, – ka theksuar kapiteni i Flamurtarit, Artan Sakaj, në intervistën e tij.

Një tjetër transfertë ku Flamurtari del duarbosh?

Janë dy transferta të ndryshme. Nëse në Durrës ndaj Teutës të gjithë u mërzitëm për humbjen, ndaj Tiranës duhet të mërzitemi për paraqitjen që bëmë të gjithë në fushën e lojës, pa asnjë përjashtim. Ne fitojmë dhe humbasim në fushën e lojës të gjithë dhe nuk ka vend këtu për të fajësuar njërin apo tjetrin. Ishte një ditë jo për Flamurtarin dhe pa dyshim ndeshje të tilla nuk duhet të përsëriten për ekipin tonë, duke nisur nga takimi i radhës që kemi në kampionat. Ne na duhet që atë që tregojmë në Vlorë, ta bëjmë edhe jashtë fushës sonë.

Çfarë mendoni se nuk shkoi ndaj Tiranës?

E kemi nisur mirë, madje mund të rrezikonim seriozisht në portën kundërshtare. Kemi pësuar gol dhe pas atij momenti nuk shfaqëm Flamurtarin që kërkon reagimin ndaj kundërshtarit. Jo se Tirana zhvilloi lojë, duke na vënë nën presion, por ishte Flamurtari në një ditë të keqe, që nuk arriti të impononte lojën e tij.

Por kjo është edhe një ndeshje ku të gjithë kemi se çfarë të analizojmë dhe të rikuperojmë për takimet e radhës. Sezoni është i gjatë dhe natyrisht ka ende mjaft rrugë të gjatë përpara, për të vijuar punën tonë drejt arritjes së objektivave. Ndaj Tiranës kemi humbur vetëm një ndeshje, asgjë më shumë.

Ishte cilësuar një ndeshje mes pretendentësh. Si e mendoni pas këtij takimi Tiranën rivale?

Do mbetet gjithmonë një sfidë mes rivalësh dhe pretendentësh. Në vijim do të dalin në pah ekipet që do të jenë pretendente, është shpejt të flasësh edhe për Tiranën.

Janë dy javë ndërprerje dhe më pas në shtëpi ndaj Pogradecit?

Dy javët mund të na shërbejnë mjaft mirë për të qenë të përqendruar në stërvitje dhe pa dyshim kjo kohë do të na vlejë. Ne jemi të gjithë së bashku në seancat stërvitore për të dhënë më pas të mirën e asaj që kemi përfituar në ndeshje. Pogradeci? Është shpejt akoma të flasim për ndeshjen e radhës, por po ju them se do të luajmë në shtëpi dhe hapat falsë janë të ndaluar. Me gjithë respektin për kundërshtarin, nuk mund të tolerojmë në shtëpi.

Në fundjavë ndoshta një miqësore me Vlorën?

Nën drejtimin e dyshes Sokol Branica-Bujar Gogunja, ekipi i Flamurtarit ka startuar prej orës 16:00 të ditës së martë sërish seancat stërvitoire. Siç dihet, trajner Edmond Lutaj do të mungojë deri në fundjavë, pasi është larguar drejt familjes së tij në Suedi. Branica dhe Gogunja do të vijojnë sipas një programi të përcaktuar, ndërsa parashikohen vetëm nga një seancë në ditë për përgatitjet e ekipit vlonjat. Në fundjavë pritet edhe zhvillimi i një ndeshjeje miqësore, ndoshta përballë Vlorës.

Drejtuesit: Dy takime rresht të fitohen, ndryshe

Nuk shënohet dhe nuk fitohet në transfertë dhe drejtuesit e ekipit vlonjat janë të pakënaqur me performancën e Flamurtarit, kryesisht në ndeshjen e fundit. Por nuk bëhet fjalë për ndonjë masë. Fakti që dy ndeshjet e radhës luhen në shtëpi kanë bërë që drejtuesit e ekipi të mos reagojnë.

Por burimet brenda klubit vlonjat kanë saktësuar se për të dy takimet drejtues të ekipit kërkojnë gjashtë pikë të plota dhe asnjë rezultat tjetër, veç fitoreve. Në rast të kundërt, mund të ketë masa, të cilat do të zbatohen edhe sipas rregullave të përcaktuara nga vetë klubi.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›