E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni po i vjedh të ardhmen Shqipërisë

Shtetet e Bashkuara vendosin një prioritet të lartë në luftën kundër korrupsionit. Ne e konsiderojmë atë si një kërcënim për zhvillimin dhe prosperitetin. Korrupsioni rrezikon stabilitetin politik, dobëson demokracinë, minimizon rritjen dhe investimet e huaja. Korrupsioni i vjedh një vendi - të ardhmen e tij dhe, njerëzve - ëndrrat e tyre, duke kryer investime të papërshtatshme larg zonave, ku për to ka nevojë më shumë, sikundër është sektori publik, infrastruktura dhe zhvillimi social.

Promovimi i një qeverisjeje të mirë dhe lufta kundër korrupsionit janë të rëndësishme dhe prioritete për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. SHBA e ka ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur transparencën, për përmirësimin e një qeverisjeje të mirë, luftën kundër pastrimit të parave dhe, ndëshkimit të krimeve, duke siguruar asistencë teknike dhe trajnime. Ne, gjithashtu, kemi asistuar me forcimin e sistemit gjyqësor kundër kriminalitetit dhe kapaciteteve të agjencive të ruajtjes së ligjit.

Zyra e Departamentit të Drejtësisë - OPDAT - ka dhënë një ndihmë shumë konkrete për institucionin e Prokurorisë dhe gjykatave. Ka ndihmuar në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, narkotikëve dhe çështjet e trafikimit njerëzor. Ajo ndihmoi në vendosjen e Njësisë së Përbashkët Investigative - JIU. Kjo njësi po arrin tanimë rezultate të rëndësishme në përpjekjen kundër korrupsionit dhe krimit financiar, arritje që janë njohur nga struktura të tilla si ‘Transparency International‘ dhe ‘Freedom House‘. Ne presim që i njëjti sukses të përsëritet përgjatë gjithë vendit me vendosjen e JIU-s në gjashtë rajone të tjera.

Ne të gjithë e dimë që Prokuroria po heton disa nga çështjet më të komplikuara dhe kontroverse që kanë ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë interes se kush do të rezultojë fajtor apo i pafajshëm - kjo është një punë posaçërisht për prokurorët dhe gjykatësit - drejtësia nuk mund të serviret, përveçse kur hetuesit dhe prokurorët lejohen të ndjekin provat, kudo që ato i drejtojnë.

Nuk ka asnjë dyshim se, që të arrihet suksesi, Prokuroria ka nevojë për fuqi të plotë për të hetuar dhe proceduar shkelësit, e lirë dhe jashtë ndërhyrjeve. Lënia e imunitetit për të gjithë zyrtarët e lartë do ta bënte suksesin të mundshëm.

Policia është një tjetër element kyç në mekanizmat e vendosjes së ligjit. Programi i Departamentit të Drejtësisë për Asistencën dhe Trajnimin në Investigimin e Krimit Ndërkombëtar - ICITAP- ka siguruar një ndihmë të vazhdueshme për policinë, duke reformuar programet e trajnimit dhe lidershipit të tyre dhe, duke ia përshtatur aftësitë e tyre parandalimit dhe investigimit të krimit, sikundër edhe për policimin në komunitet.

Disa nga Agjencitë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar - USAID - integruan programet për vendosjen dhe ruajtjen e ligjit, si dhe antikorrupsionin, që gjithashtu janë dizenjuar për të ndihmuar në reduktimin e mundësive dhe incentivave për korrupsion, duke promovuar media të pavarura, shoqërinë civile dhe edukimin publik.

Shqipëria është kualifikuar për herë të dytë në programin e Sfidës së Mijëvjeçarit. Nga kjo pritet të asistohen përpjekjet antikorrupsion, duke vendosur një gjykatë administrative, që do të përmirësojë menaxhimin e çështjeve me karakter administrativ, si taksat dhe apelimet e prokurimeve; reformën e administrimit të taksave për të rritur eficencën e administrimit të taksave në mbledhjen e të ardhurave; lehtësimin e sistemit të licencimit përmes një modeli one-stop-shop; vendosjen e një Regjistri Kombëtar Planifikimi për t‘i bërë lejet e ndërtimit më shumë transparente dhe efeciente; dhe e fundit, por jo nga rëndësia, vendosja e Njësisë së Përbashkët Investigative në gjashtë rajone të tjera.

Në maj, Instituti për Zhvillimin e Kërkimeve dhe Alternativave - IDRA, në vëzhgimin për perceptimin e korrupsionit zbuloi se 92 për qind e shqiptarëve besojnë se korrupsioni është gjerësisht i përhapur mes zyrtarëve të administratës, një rënie me 8 për qind të pikëve nga një vit më parë. Raporti nuk tregoi asnjë progres në indikatorët që lidhen me ryshfetin. Pothuajse 70 për qind e popullsisë së vëzhguar raportuan se kishin paguar një ryshfet për trajtim mjekësor. Rreth 60 për qind kanë pak, ose nuk besojnë në sistemin gjyqësor. Duhet bërë akoma dhe më shumë punë.

Duhet bërë një zhvillim sinjifikant i sistemit të procedurave ligjore që promovojnë besimin dhe transparencën: licencime dhe procese administrative publike të standardizuara; procese legjislative publike që ndjekin rregulla të standardizuara; procedura gjyqësore publike që ndjekin procedura të standardizuara; procese buxhetimi publik dhe kontrolli të brendshëm financiar; një shërbim civil i ngritur mbi sistemin e meritës.

Më e rëndësishmja mbetet se duhet një vullnet politik për të forcuar të gjitha këto rregulla e ligje dhe përpjekje komplementare nga institucione të ndryshme të ruajtjes së ligjit. Nuk ka asnjë dyshim që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të asistojnë Shqipërinë, por forca e vërtetë drejtuese për një sukses të gjithanshëm në përpjekjet antikorrupsion, duhet të vijë nga brenda vendit: institucionet, shoqëria civile dhe individët. Askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›