"Qendrat shëndetësore në Gërdec, jashtë funksionit"
Qendrat shëndetësore në zonën Vorë, Gërdec, Manzë janë në gjendje të vështirë. Veç rehabilitimit të tyre, një qendër për ndihmë të specializuar u nevojitet të gjithë personave të cilët pësuan tronditje nga shpërthimi në Gërdec. Ministrja e Shëndetësisë, Godo, ka zhvilluar vizitën e parë zyrtare në Vorë dhe Gërdec disa muaj pas emërimit në krye të shëndetësisë shqiptare. Pas inspektimit të qendrës shëndetësore, Godo ka deklaruar se gjendja është e vështirë. "Në Vorë dal me mendimin se duhet të ndërhyhet shpejt, për shumë arsye, pasi problemet që paraqiten aty janë të shumta dhe të veçanta. Shikojmë një godinë që duket mirë nga jashtë, por brenda shumë reparte janë jashtë funksionit, për shkak të shpërthimeve gjatë Gërdecit", tha ministrja në fjalën e saj. Sipas saj, Ministria e Shëndetësisë premtoi se do të gjejë mënyrat për të ndërhyrë sa më shpejt e për ta kthyer qendrën shëndetësore të Vorës në një poliklinikë që të funksionojë mirë. Për të zbuluar mënyrat e shndërrimit në një poliklinikë të vërtetë funksionale, do të bashkëpunohet me pushtetin vendor për gjetjen e donatorëve. "Gjithashtu këtu shihet nevoja për një shërbim 24-orësh në ndihmë të qytetarëve. Politika e Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e të dëmtuarve nga tragjedia e Gërdecit do të vazhdojë deri në rikuperimin e këtyre dëmeve", tha ministrja gjatë fjalës së saj. Gjatë vizitës në qendrën shëndetësore të Gërdecit, ministrja e Shëndetësisë u vu në dijeni me problemin e personelit për zhvendosjen e kësaj qendre më në zemër të fshatit Gërdec, me qëllim mbulimin më lehtë të të gjithë banorëve në nevojë. Gjithashtu vuri theksin në ndërtimin e një qendre rehabilitimi për banorët, projekt i cili është në hapat e parë të tij.
Godo ka vizituar qendrën shëndetësore në Marqinet, Gërdec dhe Manëz, ku ka vërejtur infrastrukturën e tyre të rrënuar. Ajo ka deklaruar se së shpejti ministria do t‘i riparojë këto qendra me fondet e saj, por edhe të Bankës Botërore, duke i pajisur me laborator, aparatura dhe mjekë specialistë.
Godo ka vizituar qendrën shëndetësore në Marqinet, Gërdec dhe Manëz, ku ka vërejtur infrastrukturën e tyre të rrënuar. Ajo ka deklaruar se së shpejti ministria do t‘i riparojë këto qendra me fondet e saj, por edhe të Bankës Botërore, duke i pajisur me laborator, aparatura dhe mjekë specialistë.