E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni i kandidimeve fillon tani

Demokracia jonë rrezikon kalimin në gjendjen e depresionit. Shumica e qytetarëve të këtij vendi përjetojnë stresin ditor të mospasjes dhe natyrisht të pasigurisë. Fjala është për pasigurinë sociale e jo atë që garantohet nga rendi. Kjo panoramë e verifikueshme lehtësisht në periferi të kryeqytetit, apo në qytetet e vendit, fatkeqësisht nuk pranohet publikisht prej kryesuesve të shtetit. Pranimi i këtij realiteti nuk bëhet njëherësh prej të dy apo tri forcave kryesore që marrin përgjegjësitë e administrimit të shtetit mbi bazën dhe kriteret e rotacionit elektoral dhe politik, për të vetmen arsye sepse ato e kanë argument të përdorimit politik këtë realitet.

Kur njëra palë është në opozitë, misioni i saj ankues mbart në epiqendër zezimin e këtij realiteti. Mirëpo, nuk e përsos mekanizmin tregues dhe nuk e përditëson evidentimin e tablosë skaj më skaj të vendit. Kur kjo palë vjen në pushtet, hosanatë e arritjeve të saj "çudisin dhe qiejt", sikur nuk flasin për atë vend që pesë apo gjashtë muaj më parë e kanë shënjuar si "republikë bananesh", të krahasueshëm me vendet e tranzicionit afrikan apo me getot e neglizhuara gjetkë, por për një vend që e le Brukselin dhe Uashingtonin me "gojë hapur".

Kjo ikje naive dhe e paskrupullt prej realitetit dhe realpolitikës po shemb besimin partiak në vend dhe po krijon imazhin real të një krize reale të përfaqësimit në institucionet politike të vendit, të trashëguara dhe të mbartura me pak rritje përgjatë gjithë tranzicionit të tejzgjatur. Kjo sjellje e politikës duket se ka shkaktuar deziluzionin qytetar në raport me klasën politike, por më së shumti ka favorizuar gjykimin fatal e të ambientuarit me "të keqen që rezulton më e fortë" se të këqijat e tjera që kanë uzurpuar vendin.

"Më i forti nuk është kurrë aq i fortë sa të marrë rolin e mësuesit", vërente Zhan Zhak Rusoi, "veçse nëse ai do ta shndërronte forcën në drejtësi dhe bindjen në detyrë".

Kjo devizë e pangjarë shqiptare riaktualizohet sa herë në vend mbërrin atmosfera elektorale.

Këto ditë në selitë partiake ka nisur nënzëshmëria e përflitjes së emrave për kandidatë dhe për lista deputetësh. Kjo "betejë" e ricikluar, kësaj here është paraprirë prej një formule të ndryshuar paraqitjeje, përzgjedhjeje dhe servirjeje. Edhe kësaj here sloganet mbuluese të korrupsionit kandidues janë bërë gati t‘i jepen qytetarit dhe turmave të rralluara partiake. Autoriteti i kësaj demokracie në përditshmërinë shqiptare është rënës dhe jo ngjitës. Por më tepër, rrënimi i tij ka buruar prej autokracisë partiake që ka ardhur në rritje dhe në formësime të veçanta në të gjitha partitë e spektrit zyrtar të vendit. Ky rrënim, i nisur së pari prej vitit 1993, ka buruar prej cenimit të idealit të alternativës dhe të pluralitetit partiako-politik. Akti më i memorizuar fillestar mbetet ai i mocionistëve të PD-së, pas paraqitjes së një platforme e cila u satanizua dhe pasoi me përjashtimin e protagonistëve. Koha rrjedhëse e këtij tranzicioni ka dëshmuar vijueshmërisht zhvleftësimin e devotshmërisë së anëtarëve politikë me ideal dhe përkatësi. Vendin e humbjes së devotshmërisë e uzurpoi gjithnjë e më tepër korrupsioni dhe nepotizmi i grupeve të mitëmarrjes abuzive. Për këtë shkak, në sferat e drejtimit partiak nisën të shfaqen shenjat e rebelizmit fraksionues. Socialistët ishin të parët si forcë politike që e pësuan dekompozimin moral, humbjen e besueshmërisë publike dhe prishjen e hierarkisë së vlerave në selinë, institucionet dhe forumet e tyre. Dalja e këtij rrënimi jashtë kontrollit i çoi ata në aktet fraksionuese. Dhe siç pohon Medisoni, "dëmet e fraksionit sjellin paqëndrueshmëri, padrejtësi dhe konfuzion". A nuk po ngjet ende ky fat mes socialistëve (brenda dhe jashtë logos qofshin ata)? A nuk është kaq konfuze e majta e sotme?!

Në këtë gjendje dhe në këtë nivel autoritarizmi, turi i ri selektues i kandidatëve për deputetë të Parlamentit paralajmërohet të jetë i korruptuar, ndoshta më tepër se më parë. Ky paralajmërim vjen vetiu kur shumëkush sheh me lehtësi se ç‘nivel real ka sot demokracia partiake te ne. Por ky rrezik është edhe më evident kur vëren se në kuadër të së ashtuquajturës reformë zgjedhore sërish monopoli i kryetarëve të partive për listimin e kandidatëve për deputetë të ardhshëm është i padiskutueshëm dhe s‘ka gjasa të adresohet kah kualiteti dhe niveli përfaqësues i tyre, por kah kamja dhe mitëmarrja. Heshtja e shumicës së deputetëve pozitarë dhe opozitarë sot në Parlament, shmangia e tyre nga debatet e ditës, ka lidhje me drojen e tyre për rrezikim të moslistimit. Sherrnaja e listave ende nuk është ndezur, por nënzëshmëria ka nisur të ngrohë "thëngjijtë nën hi" mes partive. Kjo nënzëshmëri ka për ta ndezur edhe forcën kryesore të së djathtës qeverisëse. "Shkrepësen" e këtij "zjarri" Kryeministri e ka nën kontroll. Mirëpo koha e pushtetpasjes ka qenë e mjaftë për të rritur ambiciet dhe për të shtuar përpjekjet kandiduese të shumë prej deputetëve që s‘e kanë cenuar besnikërinë e tyre partiake, pavarësisht prej situatave.

Ndërsa tek e majta shkrepja padyshim që do të ngjasë më shpejt. Kjo ndodh për disa arsye, por ajo më specifikja ka lidhje me fraksionimin lodhës dhe jo të cilësishëm që ka mbërthyer këtë të majtë. Për shkak të këtij fraksionimi, tek e majta mundësia për më tepër konkurrim është e hapur, ndërkohë që edhe rreziku i nepotizmit grupal dhe korrupsionit investues për mbështetës, është edhe më evident.

Edhe PD, edhe PS në këtë tur elektoral do të jenë të rrezikuara prej ofertës së "të fortëve të fisit", të "të fortëve me pare dhe me muskuj" dhe të "të fortëve me biznese". Në këtë ambicie, ethshmërisht përparon edhe LSI. Kjo premisë evidente dhe tradicionale është arsyeja e parë e rrezikimit të zgjedhjeve dhe e rrënimit të transparencës së tyre.

Për arsye të leximit të këtyre mundësive, për shkak të dyshimit që faktori ndërkombëtar ka ndaj ndërgjegjes dhe moralit të kryepolitikanëve të vendit, pas nënvizimit në raportin vjetor të progresit të KE-së, një ditë më pas ambasadorët e BE-së theksojnë se një tjetër çështje ku Shqipëria duhet të tregojë shumë kujdes janë zgjedhjet e vitit 2009, "suksesi i të cilave do të jetë me rëndësi qendrore për marrëdhëniet mes BE-së dhe Shqipërisë". Ambasadorët theksojnë se "zgjedhjet duhet të jenë të lira e të ndershme". Ky kusht nuk e korrupton dot atë që e ve, por paralajmëron ata që e aplikojnë kushtëzimin. Gjithsesi, në këtë parathënie monitoruese, faktori ndërkombëtar dhe organizmat evropiane, do të ishte me vend të spostonin veprimtaritë e subjekteve dhe organizmave të lira të shoqërisë për të investiguar dhe vëzhguar transparencën e përzgjedhjes së listave dhe emrave të kandidatëve për deputetë.

Në këtë tur të ri elektoral, shqiptarët kanë nevojë dhe etje të fitojnë provën e mospërdorimit dhe moskorruptimit të votës së tyre me emra dhe praktika korruptuese. Këtë betejë e kanë humbur vit pas viti partitë, le ta fitojë një herë qytetari, por përmes një mekanizmi që e ofron demokracia liberale dhe jo demokracia e autoritarizmit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›