E Diel, 1 Nëntor 2026

Duro sfidon qipriotët: Fiton Shqipëria

Klodian Duro vlerëson miqësoren e së mërkurës me Qipron, duke e cilësuar një test që i shërben Kombëtares jo vetëm për dy ndeshjet e radhës për Botërorin 2010 (me Danimarkën e Suedinë), por edhe për eliminatoret e ardhshme. "Jemi një ekip me mjaft përvojë, ku lojtarët që përbëjnë bazën, luajnë prej shumë vitesh së bashku. Por kjo është një ndeshje miqësore, e cila do të hedhë bazat për ndeshjet me Danimarkën dhe Suedinë, por edhe për eliminatoret e ardhshme. Mendoj se edhe kjo sfidë do të na vlejë për të ardhmen e skuadrës", deklaroi mesfushori elbasanas. Për 31-vjeçarin takimi i orës 19:00 në stadiumin "Qemal Stafa" është i veçantë, pasi ai do të luajë kundër përfaqësueses së vendit ku po vazhdon karrierën si futbollist. Duro i njeh mirë disa prej lojtarëve kryesorë të ishullorëve, e kërkon të jetë ai fituesi i kësaj miqësoreje. "Do të jetë një ndeshje e veçantë për mua, pasi gjashtë prej lojtarëve të përfaqësueses qipriote janë ish-kolegët e mi tek Omonia. Normalisht që vazhdoj të mbaj kontakte me ta, së fundmi kam biseduar me Okas, që ashtu si unë është larguar nga Omonia, për të vazhduar karrierën tek Anorthosis", theksoi kuqeziu. "Në ndeshje të tilla, çdo skuadër ka objektivat e saj. Gjithsesi, edhe pse është vetëm një miqësore, ne na shërben një rezultat pozitiv, që do të ishte fitorja, për moralin e ekipit dhe për të qenë sa më të qetë përpara ndeshjeve eliminatore. Edhe unë kam dëshirë që në përballjen me shokët dhe miqtë e mi qipriotë të dal i fituar". Trajneri Josip Kuzhe e sheh Duron, ashtu si edhe "veteranët" e tjerë Lala, Skela e Bogdani, si elementë që do t‘i shërbejnë ekipit edhe për Europianin 2012. "Më shumë se fjalët, ajo që na bën ne të jemi pjesë e ekipit Kombëtar është fusha e blertë. Vazhdojmë të gëzojmë një formë të mirë dhe kemi oferta në merkato. Japim maksimumin dhe forma jonë i jep kënaqësi trajnerit. Por ekipi Kombëtar ka nevojë për frymë dhe produkt të ri, për të krijuar një grup të fuqishëm, pse jo dhe të shpresojmë se do të arrijmë më shumë se në edicionet e kaluara", tha ai.

Duke qenë personi që e njeh më mirë futbollin qipriot, Duro ka folur edhe për kundërshtarët: "Qipro ka një Kombëtare për t‘u vlerësuar, sepse pjesa më e madhe e lojtarëve të kësaj skuadre njihen mirë me njëri-tjetrin, pasi kanë më shumë se pesë vjet që luajnë së bashku. Ata kanë përvojë në arenën ndërkombëtare, e nuk duhet të harrojmë se e gjithë baza e Kombëtares militon në ekipin vendas, në ekipet kryesore si Anorthosis apo Omonia. Kanë një trajner me shumë eksperiencë, që ka punuar në nivel klubesh dhe nivel Kombëtaresh, mendoj që kanë një Kombëtare kompakte, e cila duhet vlerësuar. Këtë e kanë treguar edhe në grupin e tyre eliminator të Botërorit 2010, ku janë paraqitur mjaft mirë me Italinë, Irlandën apo edhe Malin e Zi. Qipriotët kanë një skuadër të mirë, e cila po rritet vit pas viti". Duke folur për transferimin tek Apollon Limasol, mesfushori u shpreh: "Ishte një vendim i mirë në planin personal. Apolloni është një prej katër skuadrave që kanë fituar titullin, që është edhe objektivi i sezonit të ri. Klubi ka investuar shumë, përveç trajnerit gjerman, Tomas von Hesen, i cili ka punuar te Nurembergu, janë afruar edhe 14 lojtarë të rinj".

Ansi Agolli

"Për Kombëtaren ‘sakrifikohem‘ në mbrojtje"

Paraqitja e Ansi Agollit në dy sfidat e fundit me Portugalinë dhe miqësoren me Gjeorgjinë, shërbeu për të bindur trajnerin Kuzhe, se majtoshi është një alternativë e vlefshme për Kombëtaren. Përballë gjeorgjianëve Agolli gjeti edhe rrugën e rrjetës, duke shënuar golin e barazimit final 1-1. Megjithatë, ish-lojtari i Tiranës tregohet modest dhe mendon më parë për ekipin: "Për mua më shumë rëndësi kanë rezultatet e Kombëtares dhe ecuria e skuadrës. Gjithsesi, goli mbetet gjithmonë kënaqësi". Tekniku kuqezi është në kërkim të përforcimeve në krahun e majtë, por 26-vjeçari është i gatshëm të sakrifikohet edhe në mbrojtje për fanellën kuqezi: "Pozicioni im natyral është krahu i majtë i mesfushës, por mundohem të bëj sa më mirë edhe mbrojtësin nëse skuadra ka nevojë. Vendimet i takojnë të gjitha trajnerit, për mua nuk përbën asnjë problem". Prej disa javësh, Agolli ka nisur aventurën e re në Vyscha Liga, me Krivbasin. Ai tregon se ende nuk është ambientuar plotësisht me kampionatin ukrainas, por është ndihmuar nga kuqezinjtë e tjerë që militojnë me këtë skuadër. "Vazhdoj të kem pak vështirësi, sepse është një lloj tjetër loje. Në Ukrainë praktikojnë futbollin e shpejtë, si shkolla ruse, por nuk mungojnë lojtarët teknikë", tha ai. Rreth rezultateve të dobëta të skuadrës, që i ka humbur katër ndeshjet e para, Agolli shtoi: "Nga kontingjenti i sezonit të kaluar kanë mbetur vetëm Bulku, Hidi e Bylykbashi. Të gjithë të tjerët janë afruar gjatë këtij sezoni dhe ende duhet të mësohemi me lojën e njëri-tjetrit".

Ecuria

Shqipëria, 11 muaj pa shijuar fitoren

Përveçse një test i mirë përpara ndeshjes eliminatore me Danimarkën (më 9 shtator në Tiranë), miqësorja me Qipron shërben edhe për lojtarët e rinj dhe për të provuar skema të reja loje. Në takimin e së mërkurës mund t‘i jepet fund ecurisë negative të Kombëtares. Në fakt, Shqipëria nuk regjistron asnjë fitore që prej 11 muajsh: e fundit është ajo 3-0 kundër Maltës, më 10 shtator 2008, për eliminatoret e Botërorit. Që prej asaj periudhe janë regjistruar 4 barazime dhe 4 humbje, mes ndeshjeve miqësore dhe eliminatore. Me Ari Han, janë barazuar dy takime eliminatore (Portugali e Maltë) dhe një miqësore (Azerbajxhan), ndërsa janë regjistruar humbje kundër Hungarisë (dy herë) dhe Danimarkës. Për kroatin Josip Kuzhe, sfida me ishullorët është e treta në krye të përfaqësueses shqiptare. Deri më tani, me trajnerin 56-vjeçar kuqezinjtë kanë humbur 2-1 me Portugalinë (më 6 qershor 2009), pas një paraqitjeje shumë të mirë, ndërsa katër ditë më pas, barazuan 1-1 miqësoren me Gjeorgjinë.

Mesfushori

Jahmir Hyka: Qipro, shansi i të rinjve

Qipro do të jetë një shans i mirë për të testuar futbollistët e rinj të Kombëtares. Jahmir Hyka, i bindur për këtë fakt dhe shpreson që nesër të konfirmojë momentin e mirë që po kalon. Trajneri Kuzhe e ka pranuar se nëpërmjet miqësoreve do të vëzhgojë talentët shqiptarë, për të ndërtuar skuadrën e së ardhmes, ku 21-vjeçari pritet të jetë një element i rëndësishëm. "Është një ndeshje që duhet vlerësuar maksimalisht, pasi Kombëtarja qipriote dhe futbolli i këtij vendi në përgjithësi ka bërë një hop cilësor. Nuk e di se si do të veprojë trajneri, por mendoj se ashtu si në miqësoren me Gjeorgjinë, ai do ta shfrytëzojë këtë takim për të provuar lojtarët e rinj. Ky do të jetë një test i vlefshëm", tha lojtari që numëron 11 prezenca me fanellën kuqezi. Hyka mban edhe rekordin e golit më të shpejtë me Kombëtaren, ku në gusht 2008 shënoi vetëm 48 sekondave në portën e Lihtenshtejnit. Ndërkohë, pas javës së parë të kampionatit me Mainc, ai është ende në pritje të debutimit në Bundesligën gjermane.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›