E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për anglezët, Lorik Cana është një "Bekham shqiptar"

Edhe nëse do të kishte qenë një ndeshje eliminatore, me skuadra të njohura, ishte e pashmangshme që Lorik Cana të "ngacmohej" në këtë periudhë rreth transferimit në Premierligën angleze. Vetëm dy javë pasi ka shkelur në tokën britanike, ai është bërë personazh jo vetëm për cilësitë si futbollist, por edhe për jetën private. Gazetat rozë nuk kanë vonuar ta vënë në qendër të vëmendjes (edhe pse informacionet ishin të pasakta), ndërsa 26-vjeçari përgjigjet me sportivitet. "E mora vesh lajmin që kishin publikuar… (qesh). Në fakt, kur shkova në Angli, në konferencën për shtyp më bënë një batutë: ata e dinin se isha mjaft prezent në media, kryesisht tek ato shqiptare dhe më thanë ‘jeni një tip Bekhami i Shqipërisë‘. Përgjigjja ime ishte se kam si qëllim të paraqes një imazh sa më të mirë të vendit tonë, të lojtarit shqiptar; ashtu siç e kam bërë dhe në Francë apo edhe në aktivitetet e ndryshme europiane", tha mesfushori. "Anglia është një vend ku njerëzit jetojnë për futbollin. Atje çdo gjë rrotullohet te futbolli: nëpër gazeta, në gjysmën e faqes shikon Aleks Fergusonin, ndërsa në pjesën, poshtë apo sipër trajnerit të Mançesterit, ka foto të vajzave lakuriqe. Nga kjo aventurë e re e imja pres gjithçka, por është fantastike të luash futboll në Premierligë". Cana tregon edhe prapaskena të kalimit te Sandërlendi: "Shumë skuadra interesoheshin, ndërsa Sandërlendi u fut në garën në momentin e fundit. Transferimi u realizua në një kohë shumë të shkurtër, ndërsa më parë pothuajse e kisha mbyllur marrëveshjen me Hamburgun, por ata patën disa vështirësi dhe u tërhoqën. Një shkak ishte largimi i drejtorit të përgjithshëm? Edhe ajo ndikoi. Gjithsesi, dëshira ime ishte të luaja në Angli, në atë që pa diskutim është edhe kampionati më i fortë dhe më atraktiv në botë. Kisha disa opsione për të luajtur atje, por duke parë klubin, strukturën, historinë, menaxherin e ri që ka ardhur, lojtarët e rinj që u afruan zgjodha ‘macet e zeza‘. Arsenali? Kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Venger, por situata te ‘topçinjtë‘ ndryshonte nga dita në ditë dhe erdhi koha të vendosja. Nuk dëshiroja të qëndroja pezull". Skuadra e re nuk gëzon emrin dhe historikun e Olimpik Marsejës, por ajo është një trampolinë për Canën në kampionatin anglez. "Pa diskutim Marseja ka më shumë famë dhe luan në Champions. Megjithatë, ishte koha të ndryshoja dhe klubet e Premierligës qëndrojnë shumë më lartë se skuadrat e tjera europiane. Pas një apo dy vjetësh ndoshta mund të transferohem te një skuadër më e madhe në Angli: kur luan çdo javë në kampionat, kjo është më e lehtë. Champions? Do të më mungojë, por shpresoj të luaj sërish në këtë aktivitet", përfundoi Cana.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›