E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHQIPERIA, SHTETI KU SUNDON ESI DHE INTER-ESI

Konflikti i fundit i policisë me pronarë baresh dhe restorantesh që mbajnë muzikën shumë lart në disa zona plazhesh, është një variant i konfliktit të lashtë mes parimit të kënaqësisë dhe parimit të realitetit. Parimi i kënaqësisë kërkon të plotësohet me çdo kusht, ndërkohë që parimi i realitetit i vë atij disa kufij. Ky është jo vetëm konflikti i brendshëm i psikikës së çdo individi normal, por edhe i çdo individi me mjedisin rrethues, me shoqërinë, ligjin apo dhe pushtetin. Frojdi mendonte se qytetërimi është bërë i mundur, vetëm duke i vënë kufij parimit apo instinkteve të kënaqësisë. Dhe aty, ku qytetërimi është më prapa, aty instinktet e kënaqësisë kanë më shumë liri veprimi. Aty ku qytetërimi ka bërë më përpara, parimi i kënaqësisë, Esi, kontrollohet nga Uni, Super-Uni, që janë të aftë të reflektojnë dhe modelojnë individin sipas moralit apo ligjit. Por aty, ku Uni dhe Super-Uni janë të paformuar sa duhet, aty është Esi që bën kërdinë. Atje, një individ nuk e ka fare problem të sakrifikojë interesat e të tjerëve për kënaqësinë, apo edhe "inter-Esin" e tij. Ai mund ta ngrejë, për shembull, muzikën në kupë të qiellit, pa e vrarë mendjen se kjo lloj kënaqësie u shkakton qindra njerëzve që banojnë përreth një torturë të vërtetë.

Por jo vetëm kaq.

Një individ që është bërë i fuqishëm dhe i kamur kushedi se si, ka qejf të ndërtojë buzë detit. "Esin" e tij nuk ka ligj që ta pengojë dhe ai ndërton buzë detit, duke degraduar detin. Ka qejf të ndërtojë një pallat pranë shtëpisë së një tjetri. E bën duke i marrë diellin dhe ajrin, duke ia degraduar fqinjit pronën, thjesht se kështu komandon Esi i tij, që nuk ndalet as para ligjit. Shqipëria ka shumë njerëz të tillë të fuqishëm dhe vepër e qejfit të tyre (Esit) janë plazhet e rrënuara nga ndërtimet buzë detit, që derdhin fekale pa fund nga Durrësi në Sarandë, apo qytetet e mbytura nga ndërtimet. Po se mos vetëm me ndërtimet! Shikoni trafikun në kryeqytet. Në çdo çast, kalimtari përballet me Esin e atyre që nuk frenojnë dot kënaqësinë e të ngarit me tërbim. Fajtor nuk është vetëm Uni i tyre i pafuqishëm për të përmbajtur Esin, por edhe ligji dhe policia rrugore krejtësisht jashtë loje. Rezultati i "lirisë" për të ecur shpejt në kundërshtim me ligjet e trafikut? Statistikat e larta të të vdekurve nga aksidentet. Qejfi dhe gazi për t‘i dhënë gaz makinës shndërrohen në dhimbje dhe vdekje. Dhe, deri kur ligji do ta lërë qejfin (Esin) të bëjë si të dojë, duke shkaktuar dhimbje?

***

Frojdi ka treguar se shtresat kryesore të psikikës së njeriut mund të kategorizohen në Es, Un dhe Super-Un. Esi është shtresa e instinkteve më parësore e njeriut dhe përbën mbretërinë e të pandërgjegjshmes. Sikundër shkruan Herbert Markuze, në veprën e tij të famshme "Erosi dhe Qytetërimi", Esi është krejt i lirë nga ato forma dhe parime që e bëjnë individin social të ndërgjegjshëm. Esi nuk ndikohet as nga koha, as nga kontradiktat, nuk njeh as vlera të mira dhe as të këqija, nuk njeh moral. Madje ai nuk synon as vetëruajtjen, por veçse "të kënaqë nevojat e veta instiktive në harmoni me instinktin e kënaqësisë". Realizimi i kënaqësisë është thelbi i Esit.

Por nën ndikimin e botës së jashtme, një pjesë e kësaj shtrese të pandërgjegjshme që quhet Es, zhvillohet gradualisht duke u shndërruar në një shtresë të ndërgjegjshme që quhet Un. Dhe është pikërisht Un-i që bëhet ndërmjetës mes Esit të pandërgjegjshëm dhe botës së jashtme. Un-i nis t‘i tregojë pak a shumë Esit se cilat janë për individin kostot e shfryrjes së instinktit të kënaqësisë. Sepse thelbi i Un-it është vetëruajtja e individit. Prandaj Uni ka për detyrë t‘i paraqesë botën e jashtme Esit, dhe në këtë mënyrë ta shpëtojë. Pra Uni e merr si të thuash përdore Esin e verbër dhe shmang përplasjet dhe konfliktet e tij me realitetin. Uni e relativizon parimin e kënaqësisë që udhëheq Esin, duke i vënë përballë parimin e realitetit.

Një ndër faktorët e realitetit që bën të lindë Uni i ndërgjegjshëm është Super-Uni. Ai e ka origjinën në foshnjëri kur fëmija varet nga prindërit dhe ndikimi i tyre është thelbi i Super-Unit. Ndërsa Uni është ai që merr frenat e Esit, Super-Uni është ai që merr nën kujdes Unin ende foshnjë, duke u bërë "ndërgjegjja" e tij. Më pas, kur individi rritet, përkrah Super-Unit rreshtohen të tjerë faktorë, si shkolla, opinioni, morali, dhe, ajo që na intereson më shumë në këtë shkrim, ligji së bashku me frikën e ndëshkimit nga ligji. Të gjithë këta faktorë i vendosin Unit disa kushte të jashtme. Tani e tutje, ndryshe nga sa ndodh me Esin e pandërgjegjshëm që nuk do t‘ia dijë për asgjë, ndjesia e fajit, nevoja për ndëshkim që vjen nga mosbindja përshkon të gjithë jetën psikike të individit. Gradualisht bindja e Unit ndaj kushteve dhe ndalesave të imponuara nga Super-Uni, transformohen në reaksione automatike të pandërgjegjshme. Individi që tashmë posedon arsyen e pjekurisë individuale dhe shoqërore, nis e vetëkufizohet ndaj veprimeve që janë të papranueshme nga qytetërimi dhe njeriu i qytetëruar. "Ky zhvillim, përmes të cilit luftërat e ndërgjegjshme kundër kërkesave të realitetit transformohen në reaksione automatike të pandërgjegjshme, ka një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e qytetërimit" (Markuze).

***

Në rastin e konfliktit për muzikën e zhurmshme shihet qartë se kemi të bëjmë me individë, sjelljet e të cilëve duket sikur komandohen nga Esi i verbër dhe i pandërgjegjshëm, nga instinkti primitiv i kënaqësisë fare i pamoderuar nga Uni dhe akoma më pak nga Super-Uni. Pra, në vend që të kenë një "Es" të moderuar nga "Un"-i, kjo kategori individësh duket se ka një Un të kontrolluar në mënyrë të papërballueshme nga "Es"-i. Tek ata, në vend që të jetë e ndërgjegjshmja ajo që shtyp, kontrollon dhe moderon të pandërgjegjshmen, është kjo e fundit që ka frenat e vendimmarrjes në dorë. Shkaqet se përse ndërgjegjja, "Un"-i i këtyre personave shfaqet kaq i pafuqishëm përballë Es-it, janë nga më të thellat dhe të larmishmet, por ne këtu na intereson njëra prej tyre që është Super-Uni. Duket se, përsëri për shkaqe nga më të ndryshmet, Super-Uni paraqitet mjaft i dobët në psikikën e këtyre individëve. Shtypja e tij mbi Unin është e dobët dhe për rrjedhojë, edhe e Unit mbi Esin.

Dhe meqenëse këta njerëz nuk janë në gjendje të ndëshkojnë vetveten për veprime të papranueshme nga qytetërimi dhe njeriu i qytetëruar, rolin shtypës të Unit dhe Super-Unit, duhet ta zërë ligji dhe forca e tij. Megjithatë qëndrimi i policisë dhe forcave të rendit (në rastin e muzikës, por i bashkive dhe i policisë rrugore në rastin e ndërtimeve dhe trafikut) është krejtësisht në kundërshtim me këtë nevojë. Ato dhanë një urdhër publik për ndalimin e muzikës së harbuar pas orës 12.00 të mbrëmjes. Por më pas u zbythën përballë presioneve të "Esit" dhe "Inter-esit". Megjithëqë urdhri i policisë qe në pajtim me të gjitha kërkesat e një situate të qytetëruar. Zonat turistike janë zona qejfi, por ato janë njëherazi edhe zona banimi. Prandaj parimi i kënaqësisë (qejfit) duhet të prevalojë, por pa dhunuar askënd. Shumë pushues kanë qejf të festojnë deri në mëngjes, por kjo nuk është një arsye për të lënë pa gjumë ata që duan të pushojnë se nesër duan të shkojnë në punë, se janë të sëmurë, se duan të lexojnë a të shohin televizor apo qoftë edhe sepse kënaqësia, qejfi i tyre mund të jetë qetësia dhe gjumi.

Qejfi, thotë një shprehje shqiptare, ha kumbulla të tharta. Le të hajë sa të dojë kumbulla të tilla, por ama jo në bahçen e fqinjit! Dhe nuk kuptohet se përse muzika e lokaleve të natës duhet të ngrihet deri në kupë të qiellit, duke trandur tokën me një zhurmë infernale? Përse në plazhin e Durrësit duhet lejuar që muzika e një lokali që ndodhet te "Teuta" të dëgjohet edhe te "Plepat"? Ǒlidhje ka qejfi dhe kënaqësia e turistëve me këtë harbim dhe çmenduri të zhurmshme? Nëse ka lidhje, atëherë duhet pranuar se këto janë instinkte të egra kënaqësie që duhen qytetëruar. Zhurmës së tmerrshme akustike që bëhet në plazhe, nuk mund t‘i jepet shpjegim as edhe me nevoja biznesi. Sepse është i kuptueshëm veprimi i një shitësi hamburgerësh që djeg një salsiçe për të ndjellë me aromë myshterinjtë, por është fare absurde hapja deri në kupë të qiellit të dhjetëra altoparlantëve të fuqishëm që jo nuk do të mund ta joshnin, por do tmerronin edhe Zotin vetë! Është një absurditet që duhet të marrë fund sa më shpejt. Jo vetëm në zona turistike, por edhe në qytete si dhe në Tiranë, ku kjo lloj dhune "muzikore" është prezente.

Diskot mund të rrinë hapur gjithë ditën dhe gjithë natën, por me kusht që të mos i bëjnë komshinjtë të mbyllin veshët. Ligji duhet jo të mbyllë diskot, por të detyrojë pronarët të investojnë për izolimin në mënyrë që ç‘ndodh brenda tyre të mos shkaktojë tërmet jashtë. Nuk mund të kuptohet se përse një park lodrash për fëmijët (pranë ETC-së) duhet të ngrejë deri në kupë të qiellit altoparlantët, duke dhunuar rëndë cilësinë e jetës së banorëve për rreth, kur dihet se fëmijët shkojnë atje për një qëllim krejt tjetër. Këta njerëz duhet të kuptojnë se qejfi, Esi apo edhe inter-Esi i tyre, nuk mund të lejohet të shndërrohet në torturë për të tjerët. Të paktën një shoqëri e qytetëruar nuk e lejon këtë. Ata mund të mos e kuptojnë kaq gjë dhe të këmbëngulin se janë të lirë të bëjnë qejf si të duan dhe të përmbushin inter-Esat si të mundin, por dihet se qytetërimi bazohet në shtypjen e vazhdueshme të instinkteve njerëzore (Frojd). Dhe nëse këta njerëz të pagdhendur duan ta quajnë pengesën që i vihet qejfit të tyre dhunim të lirisë, ky është pikërisht rasti për të shpjeguar se kemi të bëjmë me imponimin e një "jo-lirie të dobishme". Sepse është kontrolli mbi lirinë e verbër të instinkteve nga arsyeja dhe liria shoqërore e ngritur në ligj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›