E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës- Rama: Shërbimi shëndetësor, i degraduar

Durrës- Partia Socialiste ka mbajtur një tryezë për shëndetësinë në Durrës ku përfaqësuesit e saj kanë vënë në dukje të metat dhe elementët që duhet të përmirësohen në sistemin shëndetësor.

Gjatë fjalës së tij kryesocialisti Rama u shpreh se kushtet e shëndetësisë së sotme janë sklandaloze dhe institucionet spitalore nuk arrijnë të përmbushin asnjë prej funksioneve të tyre.

“Një nga angazhimet tona më të forta, një nga politikat më radikale të ndryshimit është ndryshimi në themel i sistemit shëndetësor në Shqipëri. Sepse, faktikisht, të gjithë e dimë që shëndetësia shqiptare sot nuk arrin të realizojë asnjë nga funksionet e shkruara në qëllimet e saj. Është e rëndësishme që në këtë fazë të dytë të Programit, kur diskutimet kanë kaluar nga sallat me ekspertë në salla me publik të interesuar, ne mund të dëgjojmë dhe të mbledhim pyetje, sugjerime edhe kritika. Që ky program të jetë pronë e përbashkët, sa më shumë njerëz, sa më shumë qytetarë, të marrin pjesë në hartimin e këtij Programi duke dëgjuar, komentuar, duke e lexuar, duke i dhënë, përgjatë Rrugës së Programit, gjithë këtij procesi atë energji të domosdoshme pozitive që na duhet për të pasur në fund një plan sa ambicioz aq edhe të realizueshëm”,- tha Rama.

Më tej ai u shpreh se nëse PS- vjen në pushtet ky sistem do të ndryshojë pasi është përgjegjësi e shtetit të kujdeset për qytetarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›