Gjenerali i NATO-s, takime me ministrat Imami dhe Nishani
Sot Konferenca e Komandantëve të Forcave Tokësore të vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere
Zëvendëskomandanti supreme i Aleancës në Europë, gjeneral Sir Richard Shirreff, gjendet në Tiranë me rastin e takimit të komandantëve të Forcave Tokësore të vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere, që do të zhvillohet në datën 9 dhe 10 maj. Në një takim me ministrin e mbrojtjes Arben Imami dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, Gjenerali Shirreff është njohur me punën e bërë për modernizimin e Forcave të Armatosura Shqiptare kryesisht për Forcat Detare, Forcat Ajrore, si dhe për forcat speciale të Forcave Tokësore. Gjithashtu ministri Imami e ka informuar për arritjet e shënuara në ecurinë e procesit të demontimit të municioneve të tepërta, proces i cili, do të përfundojë në vitin 2013. Ministri Imami ka nënvizuar angazhimin e Forcave të Armatosura Shqiptare në operacionet paqeruajtëse, sidomos në Afganistan, duke përsëritur edhe njëherë qëndrimin e qeverisë shqiptare për të qëndruar përkrah forcave të Aleancës deri në përfundim të misionit në Afganistan dhe për të kontribuar në ruajtjen e paqes e sigurisë sa herë të jetë e nevojshme. Gjenerali Shirref është pritur edhe nga ministri i Brendshëm Bujar Nishani.Të dy bashkëbiseduesit diskutuan kryesisht për misionet shqiptare të asistencës policore për policinë afgane. Grupi i parë i trajnuesve përfundon misionin njëvjeçar në muajin qershor, kohë në të cilën do të vendoset në Afganistan misioni i dytë prej 16 oficerësh të policisë shqiptare me mision trajnimin e policisë afgane.
...