Posta dhe Telekomi i Kosovës 10 mijë euro për Shqipërinë
Autori i Lajmit: Redaksia
Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) ka ofruar 10 mijë euro për të ndihmuar zonat e prekura nga përmbytjet në Shkodër, ndërsa për një muaj qytetarët do të kenë mundësi që përmes thirrjeve telefonike dhe sms-ve, të cilat do të kushtojnë nga 0,50 euro, të ndihmojnë banorët shqiptarë që janë dëmtuar nga përmbytjet. Shyqri Haxha, drejtor Ekzekutiv i PTK-së theksoi se me këtë ndihmë i janë bashkangjitur qeverisë së Kosovës, që të kontribuojë sado pak në zbutjen e gjendjes së banorëve të Shqipërisë, të cilët janë dëmtuar nga përmbytjet. Ai shtoi se kjo është një ndihmë që me të vërtetë do të kontribuojë në zbutjen e gjendjes në të cilën është përfshirë Shqipëria dhe këta numra do të qëndrojnë një muaj, dhe të gjitha këto mjete të grumbulluara do të dedikohen 100 për qind si ndihmë në Shqipëri.
Ky lajm është publikuar: 12/01/2010