E Diel, 1 Nëntor 2026

Harasani: “LMN në Parlament, edhe nëse Asambleja vendos të kundërtën”

Autori i Lajmit: RedaksiaLëvizja për Mendimin Ndryshe do të futet në Parlament, edhe pse duket se do të presë limitin kohor për ta bërë këtë gjë. Konfirmimi u bë dje nga deputeti i PS-së, pjesë e kësaj Lëvizjeje, Andis Harasani, i cili u shpreh i bindur se PS nuk do ta thyejë bojkotin. “Jam i sigurt që brenda janarit apo shkurtit do të ketë një mbledhje të Asamblesë së Partisë Socialiste ku do vendoset. Unë dyshoj që do të merret vendimi për të hyrë në Parlament. Të mos harrojmë që ky qëndrim u kushtëzua me hapjen e kutive. Ka qenë një qëndrim i vendosur i zotit Rama ku është kërkuar hapja e kutive dhe, në qoftë se kutitë nuk hapen, nuk hyjmë në Parlament. Me logjikë, për sa kohë kjo kërkesë nuk është realizuar ky kusht, nuk shoh se si mund të hyhet në Parlament. Në lidhje me qëndrimin tonë ne kemi thënë që do të presim deri në një kufi të logjikshëm dhe pastaj do të vendosim”, - tha Harasani. Deputeti socialist akuzon kryetarin Rama se nuk ka mbledhur prej 3 muajsh kryesine e partisë, ndërkohë që vijon mbledhjet me aleatët. Më tej, si ish-drejtor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Harasani ka komentuar përmbytjet në veri të vendit, ndërsa ka pohuar se qeveria shqiptare duhet të rishikojë menjëherë marrëveshjet hidrike me shtetet fqinje, pasi ato ekzistueset datojnë që në kohën e ish-Jugosllavisë. Ai deklaroi se përmbytje si ajo e Shkodrës në të ardhmen mund të evitohen, nëse vihet në zbatim një marrëveshja e tillë me Malin e Zi dhe Maqedoninë. “Fatkeqësisht, është një marrëveshje që është e kohës së Jugosllavisë së Titos, siç quhet, e cila nga ana maqedonase herë respektohet dhe herë jo. Me sa kam dëgjuar, është në plan që të rishikohet ajo marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj maqedonase dhe të përpilohet një marrëveshje e re, e cila, mendoj që duhet të jetë midis 4 shteteve. Tashmë është një realitet i ri në Ballkan dhe kjo marrëveshje duhet të jetë midis Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë”, - tha Harasani. Ish- kreu i KESH thotë se korporata nuk mund të evitonte shkarkimet nga hidrocentralet, pavarësisht pasojave që këto sollën. Sipas tij, Parlamenti duhet të rishohë buxhetin e 2010-s, duke përshirë dhe faturën e dëmeve.

Ky lajm është publikuar: 12/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›