E Diel, 1 Nëntor 2026

“Bechtel & Enka”: “Tuneli i Kalimashit hapet në pranverë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Tuneli i Kalimashit mund të hapet në pranverë pas mbylljes së detyruar nga shembja e ndodhur pak kohë më parë. Kështu ka pohuar një zyrtar i kompanisë “Bechtel & Enka”. Sipas të dhënave që bëhen me dije nga kompania, punimet po vazhdojnë 24 orë në pjesën jugore të tunelit me qëllim rikthimin e tij në normalitet pas zënies së rrugës nga shembja e ndodhur në nëntor 2009. Në terren mësohet të jenë angazhuar dhjetë grupe punonjësish, të cilët po punojnë në sektorin jugor të tunelit, me qëllim që ai të hapet në pranverë. Tuneli jugor mësohet se do të jetë i pari që do të hapet me qëllim rifillimin e qarkullimit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Puna po vazhdon ndërkohë edhe në pjesën e shembur të tunelit, jo shumë larg hyrjes së tij. Qeveria e Shqipërisë ka deklaruar se menjëherë pas shembjes së brendshme në rrugëkalimin e ndërtuar në mal, ka kontraktuar ekspertë nga Austria dhe Gjermania për të asistuar ndërhyrjet që do të bëhen në tunelin e dëmtuar. Specialistët e huaj, pas disa ditësh vëzhgime në terren, mësohet se kanë hartuar projektin e ndërhyrjes me qëllim kthimin e tunelit në normalitet. Pjesë e këtij projekti është edhe lënia e pjesës së shembur pa e prekur për rreth dy muaj, kohë kjo sipas ekspertëve, e mjaftueshme për ngjitjen e shkëmbit në mënyrë që shembjet të mos përsëriten. Veshja e brendshme e tunelit në pjesën prej 1 kilometër ku ka ndodhur shembja është vendosur të bëhet me hekur të profilizuar duke ndryshuar skemën e projektit të parë që parashikojnë vendosje harqesh prej çeliku.

Ky lajm është publikuar: 12/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›