Durrës, 27- vjeçari vetëvaret në qelinë e policisë
Klodian Bushi ishte shoqëruar në komisariat bashkë me të shoqen, të dyshuar për vjedhjen e disa bizhuterive
DURRËS- Një 27-vjeçar është varur dje në paraburgimin e policisë së Durrësit ku ndodhej së bashku me të shoqen. Klodian Bushi ishte ndaluar i dyshuar për një vjedhje dhe ka vendosur që të varë veten me mëngën e bluzës që kishte veshur.
Burimet e policisë së Durrësit pohuan dje se disa ditë më parë ka ndodhur vjedhja e një argjendarie. Një grua kishte hyrë në dyqan duke pyetur për bizhuteri të ndryshme dhe kur shitësja kishte kthyer kurrizin, mashkulli që e shoqëronte ka marrë sendet e florinjta. Në bazë të përshkrimit të zonjës së argjendarisë është arritur në identifikimin e bashkëshortes së Bushit dhe vetë atij. Të dy këta persona janë shoqëruar në komisariat pasditen e djeshme ku janë marrë në pyetje nga hetuesit. Në momentin që po merrej në pyetje gruaja, Klodian Bushi ndodhej në qeli. Oficeri i rojës ka dëgjuar zhurma të çuditshme nga qelia dhe kur ka hyrë brenda ka gjetur 27-vjeçarin të varur në dritare. Ai kishte përdorur si litar mëngën e bluzës së leshtë që kishte veshur. Policia ka tentuar që ta sjellë në vete por ka qenë e pamundur. Menjëherë ai është transportuar për në spitalin e qytetit por gjithçka ka qenë e kotë. Sipas mjekëve, vdekja e Klodian Bushit ka ndodhur në orën 19 e 10 minuta.
Në vendngjarje ka shkuar prokurori i gatshëm nga Tirana dhe mjekët e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Sipas hetuesve, viktima njihej si përdorues droge.