E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një 14-vjeçar qëllon me thikë shokun

KORÇË/ Dy adoleshentët janë grindur me njëri-tjetrin, teksa një 13-vjeçar përfundoi në spital

KORÇË- Përgjaket shkolla, ndërsa një nxënës përfundon në spital. Pas incidentit të ndodhur dy muaj më parë në shkollën 9-vjeçare "Bajram Curri" në Tiranë ku u rrezikua jeta e një 14-vjeçari, një tjetër ngjarje regjistrohet këtë herë në një fshat të Korçës. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë së Korçës, incidenti i radhës me thika mes dy nxënësve të mitur ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare të fshatit Vloçisht rreth orës 12:00 të së mërkurës. Shkak për këtë ngjarje të rëndë u bë një konflikt që nxënësi i klasës së tetë me inicialet V.Ç., kishte me shokun e tij të klasës, një 13-vjeçar me inicialet E.M. Protagonisti i ngjarjes V.Ç. ka qëlluar me një thikë që e mbante me vete mbi shokun e tij duke e plagosur atë, por duke krijuar dhe panik të nxënësit e tjerë që e kanë parë ngjarjen. I plagosuri është transportuar menjëherë drejt spitalit të Korçës, ku është vënë nën kujdesin e mjekëve. Duke iu referuar burimeve nga ky spital, i mituri është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, autori i krimit për shkak të moshës së mitur do të ndiqet në gjendje të lirë. Autoritetet lokale të policisë së juglindjes kanë nisur hetimet për këtë ngjarje për veprën penale të "plagosjes së lehtë me dashje" dhe "prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta". Megjithë masat e publikuara nga organet e policisë për mosmbajtjen në mjediset e shkollës nga ana e nxënësve të sendeve si thika apo mjete mprehëse, raste të tilla po përsëriten duke rrezikuar të kthehen në tragjedi mes të miturve. A.Çakshiri

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›