Ekstradohet i dënuari për vrasjen e elektricistit
Sokol Aliaj, është dënuar me 20 vite burg katër vite më parë, ndërsa ishte arrestuar nga Interpoli në Hollandë
TIRANË- Ekstradohet nga Holanda i dënuari me 20 vjet burg për akuzën e "vrasjes në rrethana cilësuese" e kryer në bashkëpunim. Sokol Aliaj, 31 vjeç, nga qyteti i Fierit është ekstraduar dy ditë më parë nga Interpol Tirana, i cili është sjellë për të vuajtur dënimin në Shqipëri për vrasjen e një elektricisti në Durrës i njohur me emrin Robert Mitro, vrasje për të cilën Aliaj është shpallur fajtor.
Lajmi për ekstradimin e 31- vjeçarit është bërë dje i ditur nga Policia e Shtetit, ku thuhet se ky i fundit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, që e dënon me 20 vjet heqje lirie. Nga të dhënat e policisë mësohet se ngjarja e rëndë ku mbeti i vdekur Robert Mitro ka ndodhur pesë vjet më parë, ku përveç të ekstraduarit janë përfshirë në krim dhe tre persona të tjera, njëri vëllai i Sokolit dhe dy të tjerët të afërm të tij.
Ismet Boriçi, Fredi Aliaj dhe Platon Pepaj, janë tre personat e tjera që janë dënuar nga Gjykata si persona të përfshirë në vrasjen e Mitros.
Sipas informacioneve që i referohen dosje penale të Sokol Aliajt, katër të afërmit , në bashkëpunim me njëri-tjetrin e kanë goditur me sende të forta dhe më pas e kanë vrarë elektricistin nga Fieri. Viktima gjatë kohës së krimit punonte në zonën e plazhit të Durrësit dhe më pas trupi i pajetë është hedhur në bagazhin e makinës së tij, që ishte parkuar pranë bregut të detit. Si motiv i kësaj ngjarjeje ka qenë lidhja intime midis kushërirës së dy vëllezërve dhe Mitros, e cila nuk iu ka shkuar për shtat autorëve.
Ndërsa dy vëllezërit që janë shpallur fajtorë nga Gjykata janë arrestuar rreth një vit më parë në Amsterdam të Holandës. Pas krimit që kanë kryer vëllezërit Aliaj janë larguar në Holandë për t'i shpëtuar arrestimit të Policisë shqiptare. Policia e Shtetit pohoi dje se arrestimi i Sokol Aliajt është realizuar pas bashkëpunimit midis Interpol Tiranës dhe Interpol Hagës. I dënuari iu është dorëzuar drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të vuajtur dënimin që ka marrë.