Durrës, 30 biznese dërgohen në gjykatë për shpallje falimentimi
Rreth 30 subjekte të biznesit të madh, në prag të falimentimit. Ato janë dërguar në gjykatë për shpallje falimenti për shkak të situatës së pashpresë ekonomiko-financiare në të cilën ndodhen. Mosshlyerja e detyrimeve tatimore në shuma të mëdha, pasoja e kapitaleve me humbje dhe pamundësia për të gjeneruar të ardhura për të përballuar humbjet që kanë, ka detyruar Tatim-Taksat e Durrësit të kërkojnë falimentin e tyre. Lajmin e bën të ditur kryetatimori Shkëlqim Fortuzi. Procesi gjyqësor sapo ka nisur dhe brenda 30 ditëve në vazhdim gjykata duhet të shprehet për ecurinë e tyre në varësi të gjykimit të provave dhe fakteve të sjella nga palët. "Kërkesa për faliment është bërë nga Drejtoria Rajonale e Tatim-Taksave Durrës", thotë kreu i kësaj drejtorie, Shkëlqim Fortuzi, ndërsa tregon arsyet që i kanë shtyrë tatimorët drejt kësaj kërkese që bazohet në nenin 104 të ligjit mbi procedurat tatimore. Subjektet e biznesit të madh, që konsiderohen në prag falimentimi, operojnë në Durrës, Kavajë dhe Krujë dhe kryesisht në sektorët e ndërtimit, tregtimit dhe atë të prodhimit. Shumica e tyre janë fasonistë, fabrika bloje dhe furra buke, por edhe firma ndërtimi a tregtues të mëdhenj materialesh ndërtimi dhe artikujsh ushqimorë. Ndërkaq dhjetëra subjekte të tjera sezonale, me të mbaruar sezoni turistik, kanë mbyllur aktivitetin e tyre duke qenë të përqendruar pikërisht në stinën e nxehtë. Vjeshta dhe largimi i pushuesve nga Durrësi sjell edhe mbylljen e tyre. Një pjesë e bizneseve të mbyllura sipas tatimorëve çelen edhe nga kosovarë, shqiptarë të Maqedonisë apo dhe emigrantë që vijnë gjatë stinës së nxehtë jo vetëm për të pushuar, por edhe për të nxjerrë të ardhura dhe mbështetur ekonominë e tyre familjare. Me largimin nga Shqipëria dhe ata e mbyllin aktivitetin tregtar duke ulur ndjeshëm numrin e bizneseve që gjallojnë gjatë stinës së nxehtë në Durrës. Ndërkaq dega e tatim-taksave e ka fokusuar punën në këtë sezon në pajisjen e subjekteve me kasa fiskale dhe sensibilizimin e subjekteve të biznesit të vogël për pagesën e sigurimeve shoqërore. Aktualisht në rajonin e Durrësit janë pajisur me kasa regjistruese vetëm 10% e subjekteve. Mospajisja brenda fundit të këtij viti me kasa do të shoqërohet me sanksione të ashpra, jo vetëm ndaj subjekteve por edhe për konsumatorët. Janë afro 15 mijë subjekte private që ushtrojnë aktivitet në rajonin e Durrësit dhe vetëm 2200 e tyre, i përkasin biznesit të madh. Ndërkohë problem paraqitet situata në shlyerjen e pagesave të sigurimeve shoqërore për biznesin e vogël, veçanërisht atë në fshat, pasi formularët duhet të tërhiqen on-line, përmes internetit dhe shumë prej subjekteve nuk kanë akses ose nuk e njohin fare atë, ndërsa 20 tetori është afati i fundit. Përtej kësaj date, subjektet do të ndëshkohen me masa administrative.
V.Qyrfyçi
V.Qyrfyçi