E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset me kaçavidë, rrezikon jetën adoleshenti

Një sherr mes tre të rinjsh ka përfunduar me plagosjen rëndë të një 17-vjeçari. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen vonë të së hënës, në qytetin bregdetar të Durrësit. Një sherr banal mes të rinjsh ka shkaktuar plagosjen e rëndë të dy prej tyre, ndërsa i treti ka mbetur ende i paidentifikuar, pasi është larguar nga vendi i ngjarjes. A.Hyseni, 17 vjeç, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Pas goditjes me kaçavidë në kokë, ai është futur në koma dhe mjekët shprehen se situata e tij shëndetësore është kritike. Burime të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se sherri ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare "Bedrie Bebeziqi", kur 17-vjeçari A.Hyseni së bashku me një person tjetër ende të paidentifikuar nga policia, kanë gjuajtur me thikë 19-vjeçarin Ramazan Grata. Si pasojë e goditjeve ky i fundit ka marrë pesë plagë të rënda thike në shpatull dhe krahë. Ai ka reaguar menjëherë, duke nisur të godasë me një mjet të ftohtë të tipit kaçavidë Hysenin. Goditjet e dhëna kanë qenë fatale për adoleshentin, pasi kanë qenë në kokë dhe e kanë futur në gjendje kome. Ndërkaq, i plagosuri tjetër është dërguar në spitalin rajonal të Durrësit, ku vazhdon të jetë nën trajtim mjekësor. Burimet policore bëjnë të ditur se ka nisur procedim penal për vrasje të mbetur në tentativë, ndërkohë që po punohet për zbulimin e identitetit të personit të tretë të përfshirë në sherr dhe zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes së rëndë që ka vënë në rrezik serioz jetën e dy të rinjve.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›