Durrës; Asnjë investim për ish-Kënetën, mungon plani urbanistik
Për zonën e ish-Kënetës në Durrës në bashki ende nuk ka një plan zhvillimi urbanistik, i cili do ta transformonte atë në lagje të vërtetë qyteti. Tashmë kjo zonë është një realitet, pasi është pjesë integrale e qytetit më të madh bregdetar të vendit, si për nga madhësia, ashtu dhe për nga rëndësia. Në këtë zonë banojnë mbi 42 mijë banorë të ardhur nga qytetet e tjera të vendit. Ajo sikurse dihet është një qendër urbane e krijuar në mënyrë spontane gjatë viteve të tranzicionit nga dyndjet demografike të asaj periudhe. Sot pas 17 vjetësh ndërtime të pafund kemi të bëjmë me një qendër banimi që shtrihet në një sipërfaqe prej 150 hektarësh. Por tashmë kur fluksi i lëvizjeve është ulur në mënyrë të ndjeshme, askush nuk është kujtuar që të realizojë një projekt zhvillimi në Zyrën e Urbanistikës apo edhe nga KRRT, për këtë zonë mjaft të madhe në mënyrë që ajo të pësonte ndryshimet e nevojshme për t’u trajtuar si pjesë integrale e qytetit dhe jo si barrë e tij. Në Bashkinë e Durrësit janë ndërmarrë dy nisma për hartimin e projekteve, të cilat kanë si qëllim orientimin e zhvillimeve në qendrën urbane, e cila quhet Zona A dhe të pjesës tjetër, e cila quhet Zona B. Projekti i parë ka përfunduar me kohë, ndërsa i dyti është në proces dhe po realizohet nga BB-ja, shprehen urbanistët. Ata shprehen se “nuk kemi ndërmarrë një hap të tillë për zonën e ish-Kënetës, pasi ajo është një zonë informale dhe vetëm pasi të formalizohet, konsiderohet si pjesë në vartësi të bashkisë”. Por në këto kushte në ish-Kënetë vazhdohet të ndërtohet në mënyrë të paligjshme dhe pronarët e banesave nuk kanë asnjë druajtje se nesër këto ngrehina edhe mund të shemben. Në një situatë të tillë, qeveria nga ana e saj ka ndërmarrë nismat e saj, duke hartuar projekte zhvillimi për këtë zonë. Nga ana e tyre, edhe ndërtuesit kanë dëshirë të ndërhyjnë në këtë pjesë, por nuk mund të marrin hapa të tilla, përderisa nuk ka plane të zhvillimit urban të zonës edhe në sipërfaqet e lira, të cilat janë pronë publike. Gjithçka pritet të ndodhë pas procesit të legalizimit dhe deri kur ai të nisë, zona do të pësojë të tjera deformime nga ndërtimet e paligjshme. Zona atje ka nevojë për investime publike, sidomos në drejtim të kanalizimeve, shtrirjeve të tubacioneve të ujit, ndërkohë që investimet nga KESH kanë nisur prej dy ditësh. Por disa gjëra janë të vështira për t’u realizuar, për shkak të mungesës së planeve rregulluese nga bashkia.