E Shtunë, 31 Tetor 2026

Folk Shqipëria në Francë

Për pesë ditë, 14-18 gusht 2008, u zhvillua Festivali i 49-të Folklorik Ndërkombëtar në Montrezho, një qytezë në regjionin Midi Pirene, 110 km në juglindje të qytetit Tuluz të Francës, rrëzë vargmaleve të Pirenejve në kufi me Spanjën. Montrezho u kthye kështu në një kryeqytet të Festivalit Ndërkombëtar, ambasador i miqësisë dhe i paqes në botë.

I ftuar si shoqërues specialist dhe analist nga drejtuesit e ansamblit shqiptar, ndoqa me interes të madh zhvillimin e tij, duke u prononcuar edhe me shkrimin përkatës.

Në këtë Festival të përvitshëm tashmë morën pjesë shtatë shtete nga të pesë kontinentet dhe konkretisht: Franca (me tre ansamble), Shqipëria, Letonia, Greqia, Hungaria, Spanja, Bolivia dhe Ekuadori. Edhe pse ishin të ftuar, nuk u paraqitën ansamble nga Serbia, Turqia, Ukraina dhe Norvegjia.

Festivali u organizua nga disa komuna të atij regjioni, “Cominxh”, nën drejtimin e Komitetit Organizativ të Festivaleve Folklorike Ndërkombëtare (COFIF), me president z. Andre Paz. Ndihmesë kishte dhënë edhe C.I.O.F.F. i Francës, një organizëm i rëndësishëm pranë UNESK-os, i krijuar në vitin 1970. (Në këtë institucion COFIF i Montrezho është bërë anëtar në vitin 2007). Sa për dijeni C.I.O.F.F. ka organizuar deri tani 255 festivale folklorike botërore.

Në festival zotëroi një klimë e gjallë dhe festive, në prani të shumë spektatorëve vendas dhe turistë që vinin për të soditur atë qytet të bukur dhe karakteristike të Francës. Organizatorët vendas u ishin drejtuar vizitorëve të huaj me sloganin: “Spektaklet do ju gëzojnë sytë dhe zemrat për një udhëtim rreth kulturave të botës”.

Shkëlqim të veçantë në festival, patën vallet dhe kostumet, por që afërsisht të tilla ishin edhe këngët e instrumentet popullorë. Rreth 400 artistë manifestuan vlerat më të kristalizuara të traditave të tyre popullore.

Festivali u zhvillua në tre sheshe kryesore: në qendër të qytetit (foto 1), ku ishte ngritur enkas edhe një skenë e madhe me tërë aksesorët modernë, një tjetër, Salla e madhe e Verdunit si edhe në skenën e teatrit të pallatit të kulturës së qytetit. Koncertet ishin të ngjeshura dhe u zhvilluan më së shumti në formën e grupimeve të ansambleve. I rëndësishëm është fakti se të gjithë ansamblet u shoqëruan me formacione orkestrale ose vokale të gjalla, “Live”, siç njihen forma të tilla muzikore.

Duhet bërë prezentë qysh në fillim se, ashtu si gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit, festivalet folklorike ndërkombëtare kultivojnë jo vetëm folklorin autentik, por edhe të tillë me parametra përpunimi dhe stilizimi të njësive koreografike dhe vokalo-instrumentale. Kështu që edhe ansambli i Shqipërisë, ashtu si herë të tjera, i ishte përshtatur standardeve ndërkombëtare, sigurisht mbi bazën e vlerave origjinale vendase.

Si u paraqitën ansamblet?

1.Franca u përfaqësua me tre ansamble:

1.1. Ansambli vendas, “Les trubadourus du Mont-Royal” (foto 2), debutoi vetëm me valle, që ishin të një karakteri festiv dhe dinamik. Repertori shquante për valle, me karakter malor por edhe fushor që, sipas vendasve, u bënin jehonë relievit të regjionit. Grupi përbëhej nga shtatë çifte, ku shquanin të quajturat “kërcime të Pirenejve”.

Ashtu si e shumta e njësive koreografike të Evropës Perëndimore edhe këtu zotëronin vallëzimet në grupe, por të ekzekutuara në formë çiftesh. Ishin të karakterit të mazurkave, me gjithfarë figurash koreografike. Pjesë përbërëse të ansamblit ishin edhe kërcimet në formë valsi, të cilat ia shtonin bukurinë repertorit artistik. Interes paraqiste një njësi burrash me shkopinj në duar që mbanin me to edhe ritmin gjatë ekzekutimeve të figurave të valleve, sikundër një grup vajzash që luante me lirizëm përmes disa shporta-lulesh në duar.

Njësia tejet e rëndësishme e këtij ansambli, mbase më e bukura e festivalit, ishte një valle kukullash, e cila u interpretua nga dy vajza dhe një djalë. Duke respektuar mëvetësinë specifike, në karakterin e një grotesku koreografik, ajo njihej me emrin “Valle e marionetave”. Në këtë kontekst valltarët rrezatonin dimensione të larta artistike përmes një mimike imitative dhe duke lëvizur me hapa të imët dhe lëvizje të prera statike e xhestikulative. Gjallesa e fabulës spikatë edhe për dialogët plastiko-koreografike ndërmjet djalit me një vajzë ose më të dyja njëherësh.

Ashtu si shumë ansamble të Francës edhe “Trubaturet” ishin paraqitur me dinjitet në shumë festivale ndërkombëtare.

1.2. Ansambli i dytë i Francës vinte nga Nica, qytet ky që ndodhet në jugperëndim të vendit. Ai u përfaqësua me grupin folklorik “Lu Kerë Nikar” (fotot 3-4). Për nga repertori, ekzekutimi dhe interpretimi i valleve përbënte ndër ansamblet që u paraqit me dinjitet të plotë.

Binte në sy për të mirë një njësi, “Karnavali”, teksa valltarët dhe valltaret me veshje kostumesh të ndezura dhe kërcime vetjake, krijuan atmosferë festive dhe humoristike. Edhe një duet vallëzues u paraqit me devotshmëri të plotë. Repertori u pasurua ndjeshëm edhe me një valle me katër çifte, të cilët luanin me nga një kurorë harkore të madhe prej gjethesh dhe lulesh, duke i ndërthurur kërcimet me gjithfarë figurash refleksive.

Sipas fletë-volantes të Festivalit shënohej se deviza e qytetit ishte “Nica është besnike”.

1.3. Ansambli i tretë, me një performancë të përveçuar në tërësinë e festivalit, ishte një grup i përzierë me gjashtë çifte valltarësh, që përcilleshin nga një formacion vokalo-instrumental prej katër vetësh. Ky ishte Tahiti, që u përfaqësua me grupin e quajtur “Heiva Tahiti” (fotot 5-6).

Tahiti është ishulli më i madh i Polinezisë franceze, në jug të Oqeanit Paqësor. Nga 1045 km2. vetëm 150 km2 janë të banuara. Popullsia e Polenezisë më 2007 numëronte 260.338 banorë. Gjuhë zyrtare është frëngjishtja.

Shumë tradita të Tahitit janë të kulturës vendase, të quajtura “Maohi”. Legjenda tradicionale shpalosin historinë dhe kulturën e lashtë të ishullit ku shquajnë tregimet popullore për “Zogun e ujit”, i quajtur “Le teaorë”.

Vallet e këtij ansambli, që sollën vlerat universale, përcaktohen nga karakteri plastik, me gjallëri dhe zhdërvjelltësi në të gjithë pjesët e trupit, kryesisht për vajzat. Edhe pse krijohen gjasa përqasjesh me kërcimet indiane apo afrikane e aziatike, ky fakt është i papranueshëm nga vetë pjesëtarët e ansamblit, kjo edhe sipas një bashkëbisedimi të autorit me ta.

Përgjithësisht vallet trajtoheshin me fabula duke u bërë jehonë pikërisht traditave popullore, kryesisht natyrës dhe Zotit (karakteri religjioz). Por nuk mungonte edhe ndonjë valle e veçantë, si ajo teksa djemtë me sëpata në duar përfytyronin prerjen e drurëve.

Vallet u luajtën veçmas nga vajzat e veçmas nga djemtë por edhe të përziera, përmes një interpretimi dinjitoz.

Ashtu si ansamblet e tjerë edhe te ky, ndonëse me njëfarë tradite kërcimesh të lashta, nuk zbente karakterin bashkëkohor, përmes një organizimi dhe përpunimi kryesisht të figurave koreografike. Përcjellja e kërcimeve edhe me recitative vokale, e shtonte së tepërmi interesimin ndaj tyre. Ishin këta faktorë të bujshëm që ky ansambël mbylli me devotshmëri koncerte në skenën e sallës së pallatit të kulturës së Montrezhosë.

2. Shqipëria (fotot 7-8) u përfaqësua nga një ansambël i përbërë nga tetë çifte valltarësh profesionistë dhe amatorë, kryesisht nga qyteti i Tiranës (“Folk Tirana Albania”). Repertori koreografik përbëhej nga njësitë e njohura tashmë, si: makrovalleja “Festë të madhe ka sot Shqipëria” dhe “Vallja e shqipeve”, “Ditë feste në Tiranë”, “Vallja gorarçe” dhe “Vallja e Tropojës”. Dihet se këto krijime janë pjesë përbërëse të AKKKVP me koreografi të Panajot Kanaçit (tre të parat) dhe të Gëzim Kacelit (dy të fundit). Këto krijime rrezatojnë perla të koreografisë së kultivuar shqiptare dhe e kanë përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet kudo ku janë ekzekutuar nëpër botë nga ansamble shqiptare.

Këto valle sigurisht që në rastin e paraqitjes në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar të Francës, sipas statusit përkatës, iu nënshtruan edhe njëfarë përshtatjeje, gjithmonë sipas etnisë shqiptare, nga koreografi i talentuar Arjan Sukniqi dhe kolegia e tij, Zaralanda Kopali, që ishte njëherësh edhe drejtore e ansamblit.

Ansambli shqiptar ngjalli interes të madh veçanërisht për dinamikën, festivitetin dhe interpretimin profesional. Mbi të gjitha valltarët luanin me grint e dëshirë, duke transmetuar te spektatorët mesazhe estetike, por të një karakteri me parametra të indeve popullore kombëtare nga traditat shqiptare. Në këtë kontekst pothuajse çdo valle shoqërohej me shuplaka ritmike nga spektatorët tek të cilët shndrisnin fytyrat nga emocionet e përftuara.

Në ansambël ishte përfshirë edhe këngëtarja e re Adela Bezhani, e cila u përfaqësua me këngët “Lule të bukura ka Tirana” dhe “Nën portokalle”.

Gjallëria dhe dinamika e ansamblit u ndikua ndjeshëm edhe nga lodërtari virtuoz Ali Logu. Madje, lodra e tij gjëmoi në tërë veprimtaritë festive të festivalit. Ashtu si për ansamblin në tërësi, vlerësime të posaçme, kryesisht nga specialistët, pati lodërtari shqiptar. Të një niveli të mirë muzikor u paraqitën edhe Renato Rapushi dhe Skënder Ismaili.

Ansambli i Shqipërisë u vlerësua posaçërisht edhe për një koncert bamirës që dha në shtëpinë e azilit të qytetit Montrezho.

Edhe për Shqipërinë në fletëvolanten shënohej deviza: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

3.Letonia (fotot 9-10) u përfaqësua me ansamblin “Starins” të qytetit të Rigës. Përbërja e grupit, prej shtatë çifte valltarësh të vegjël, ngjalli interes të veçantë për fabulat e njësive koreografike, në të cilat zotëronte tharmi popullor.

Ashtu si në ndonjë festival tjetër ndërkombëtar, Letonia dhe përgjithësisht ansamblet e vendeve nordike, kryesisht përmes valleve të fëmijëve, bartnin shumësi kontributesh koherente nga bota dhe psikologjia e tyre. Rrjedhimisht, brishtësia intonative koreografike u duk te lodrat e fëmijëve me karakter zbavitës. Me këtë rast nuk mund të anashkalohet një lajtmotiv koreografik me zhvendosje lëvizjesh “këmba-doras” në njërën nga vallet më të shquara të repertorit letoanez.

Interesimi për këtë ansambël u shtua edhe nga pjesëmarrja e një grupi valltarësh të rinj prej katër çiftesh. Ata luanin herë veçmas dhe herë të gërshetuar me të vegjlit, duke përjetuar kërshëri të madhe te spektatorët. Në fokusin e kësaj njësie nuk do të anashkalonim thjeshtësinë kompozicionale me forcë të madhe komunikuese.

Përcjellja e valleve nga një kompleks vokalo-instrumental transmetoi vlera universale në tërësinë e koncerteve. Gjithashtu, edhe ekzekutimet e këngëve të ndryshe apo të tilla kryesisht me instrumente vendase, mbartën inde të shëndosha të traditës popullore letoneze.

Deviza e Letonisë ishte: “Për atdheun dhe lirinë”.

4. Greqia (foto 11) u përfaqësua me ansamblin “Horeftiko Sigrotima Seran”. Ishin nëntë çifte valltarësh të organizuar koreografikisht thjeshtë dhe bukur. I rëndësishëm ishte fakti se vallet u paraqitën me emërtime tradicionale si: “Çamikos”, “Strato”, “Gradej”, “Gajda”, “Nizamiko”, “Balas”, “Hspartalos”, “Prastimitos”, “Paragonjazmita”, “Esereven”, “Adikristos”, “Busnita” dhe “Pozanirtitas”. Vallet u ekzekutuan nga grupi në formë kolazhi, domethënë pa ndërprerje njëra nga tjetra. Ato ndërtjetërsoheshin herë të përziera dhe herë vajzash ose djemsh. Zotëronte figura e formacionit në gjysmërreth me zhvendosje rrethore nga e djathta, gjë që shënon një traditë të mirëfilltë të koreografisë popullore greke dhe përgjithësisht asaj ballkanike. Edhe për nga motivet kërcyese vërehej një përshtatje me vallet vendase. Këto dukuri na i dëshmoi edhe koreografia e ansamblit gjatë një takimi pune me të. Ajo ishte etnologe, por që i përjetonte tradicionalisht edhe kërcimet vendase, kryesisht nga të moshuarit, siç e thoshte vetë.

Përjashtim në repertorin e këtij grupi do të përbënte vallja “Çamiko-s”, ku zotëronte një figurë-kala, domethënë hipja e djemve mbi supet e të tjerëve. Kur e pyeta kolegen se çfarë përfaqësonte ajo figurë, e argumentoi me “ngritjen sa më lart drejt qiellit”. Unë e përforcova idenë e saj me nocionin “përmbajtje religjioze” gjë që koreografia e miratoi. Këtë shpjegim dha ajo edhe për kërcimet dyshe të burrave, ndërkohë që ato për ne kishin përmbajtje burrërore dhe karakter trimëror. Rrjedhimisht shpjegimi i të dyja figurave qendrore të valles krijonte një paradoks të vërtetë.

U zgjata me këtë valle sepse për traditën vendase, gjë që autori edhe ka shkruar e botuar, figura-kala nuk ka asgjë të përbashkët me origjinën e valleve të fshatrave të Greqisë apo të Shqipërisë!

Përfaqësi të denjë për repertorin tradicional të Çamërisë përbën “Osman Taka”, një arketip i lashtë koreografik. Megjithatë, për këto fakte nuk krijova polemika me kolegen, ndërkohë që e stimulova për mënyrën e kërcimeve dyshe të djemve. Rezerva të pakontestuara pata nga njëfarë makrovalle në netët e fundit të festivalit, e cila për mua ngjasonte me mostrën e një valleje ruse me karakter solistik. Këtë gjë, pasi më kërkoi mendim, ia thashë edhe koreografes.

Pozitiv ishte se vallet përcilleshin me një orkestrinë popullore prej tre vetash ku zotëronte klarinetisti si dhe ndërsjelltësia me këngë nga vetë valltarët.

Deviza e Greqisë ishte: “Liri a vdekje”.

5. Hungaria u paraqit me dy ansamble: Një fanfarë e quajtur “Mezotur Varos Ifjusagi Fuvoszenekar” (foto 12) dhe ansamblin e marionetave, “Szinfolt de Gyemandrot” (foto 13). Nuk po i analizojmë veçmas këto ansamble për faktin se ato, në të shumtën e rasteve e ndërthurnin veprimtarinë e njësive folkloriko-artistike.

Sipas traditës së Festivalit Ndërkombëtar të Montrezhosë, një fanfarë e ftuar nga shtete të ndryshme kryen funksion festiv gjatë defileve nëpër qytet, ashtu si edhe përmes programeve të koncerteve. Me këtë rast, fanfara e Hungarisë, nën drejtimin e një dirigjenteje profesioniste, interpretonte me përsosmëri repertor muzikor nga Hungaria, por edhe të tillë ndërkombëtar, duke përfshirë edhe muzikë klasike.

Një funksion të dytë i këtij ansambli ishte përcjellja muzikore e grupit “Szinfolt”. Sipas edhe njërit nga emrat, “marioneta”, në këtë rast kemi të bëjmë me disa ekspozime të veçanta në formë kërcimesh të gërshetuara me një krijimtari të mëvetësishme, përmes lëvizjeve vepruese me shkopinj ose tufëza lulesh në duar. Kësisoj krijoheshin reflekse figuracionesh të këndshme duke iu përqasur ato sadopak edhe karakterit të “dancit sportiv”.

Artikulimet e shumta plastiko-koreografiko me ato të dancit sportiv, të cilat përbëjnë një zhanër të veçantë të arteve në përgjithësi, sollën freski dhe monumentalizëm nga trupa e vajzave të atij ansambli.

Tre ansamblet e tjerë, nga Bolivia, Spanja dhe Ekuadori ekzekutuan në festival muzikë instrumentalo–vokale.

Më shkoqitur, Bolivia, njëri ndër shtetet e Amerikës së Jugut u përfaqësua me ansamblin “Yasharo”. Ai përbëhej nga katër instrumentistë me vegla popullore, të cilët rastiste edhe të këndonin. Në formacionin orkestral zotëronte fyelli karakteristik i organologjisë së Amerikës Latine i përbërë nga disa vrima në formë të shkallëzuar. Repertori muzikor transmetoi një ritmikë të pasur nga melodika e Amerikës Latine. Të veçanta në këtë grup do të ishin ligjërimet vokale në forma dialogjike midis protagonistëve dhe spektatorëve, duke u kënduar recitative ose pjesë këngësh të diktuara nga artistët popullorë të skenës, të cilët shquanin edhe për pashmërinë e tyre (foto 14).

Deviza e këtij ansambli ishte: “Bashkimi është forca”.

I një natyre të tillë ishte pothuajse edhe ansambli instrumentalo-vokal i Ekuadorit, i cili i elektrizonte sallat e koncerteve me këngët e bukura dhe joshëse (foto 15).

Ansambli i Spanjës që përbëhej nga shtatë artistë popullorë luanin me kitarë dhe mandolina, por edhe këndonin vetë. Në përbërjen e këtij ansambli shquante njëri nga instrumentistët i cili rastiste t’i shoqëronte këngët edhe me pasazhe kërcimesh popullore, kryesisht të një natyre improvizuese, por qe e joshnin së tepërmi publikun. Ndonjëra nga njësitë muzikore spikatë te edhe për fabulën, siç ishte një këngë që i thurte imazhe poetike një vajze-spektatore e thirrur enkas në skenë nga salla. Pasi e veshën me një pelerinë dhe e vendosën në një stol, kolazhi i këngëve që u interpretua personifikonte një serenatë që u këndohej vajzave të bukura në ballkonet e shtëpive të tyre. Këto shpjegime, veç pamjes vizive, sigurisht që vinin edhe nga spikerja e koncerteve, një grua e gjallë, e zhdërvjellët dhe e pasur nga intonacionet zanore, komplimente këto që nuk ja kurseu as autori i shkrimit.

Gjatë ditëve të zhvillimit të festivalit u organizuan edhe veprimtari të tjera. Të tilla do të përmendnim: Mesha e festivalit në “Sallën e madhe të Verdunit” të qytetit; pelegrinazhin e të gjithë ansambleve në “Monumentin e luftëtarëve të atdheut”; një takim kortezie me drejtuesit kryesorë vendas në bashkinë e qytetit etj.

Në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar të Montrezho të Francës, ashtu si kudo në veprimtari të tilla, vend të rëndësishëm zinin sfilatat e kostumeve, që paraqiteshin radhazi nga ansamblet pjesëmarrës. Ato prireshin nga flamurët kombëtarë të çdo shteti ose me të tillë përfaqësues të ansambleve përkatës.

Paradat e ansambleve zhvilloheshin nëpër rrugët e bukura dhe karakteristike të qytetit, të përcjella edhe me muzikë instrumentale. Në çaste të caktuara në ndonjë shesh bëheshin edhe ndalesa të shkurtra në të cilën ansamblet luanin valle të ndryshme, duke u krijuar kështu mjedise festive dhe gazmore. Këto sfilata, ndryshe nga festivale të tillë, organizoheshin para fillimit të koncerteve në qendër të qytetit.

Si konkluzion të përgjithshëm do të theksonim edhe një herë suksesin e këtij festivali posaçërisht të mediumit të artit koreografik. Ligjitimitet të plotë në këtë drejtim sigurisht që pati paraqitja dinjitoze e ansamblit nga Shqipëria. Do të dëshironim që këto gjykime, arsyetime dhe konkluzione të mos ishin vetëm të autorit, por edhe të specialistëve e më gjerë të pranishëm në veprimtaritë e Festivalit të 49-të Folklorik Ndërkombëtar Montrezho të Francës.

Tiranë, gusht 2008

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›