E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, Berisha: Park industrial në Porto Romano



Kryeministri Sali Berisha vizitoi dje rajonin e Durrësit, në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”. Në veçanti, Berisha u premtoi banorëve të Spitallës në Durrës, se së shpejti do të nisë ndërtimi i parkut industrial në Porto Romano. Ai tha se parku do të jetë nga më modernët, pa cenuar ajrin apo mjedisin, ku do të kenë mundësi të gjithë banorët e zonës të punësohen atje. “Këtu afër jush, në Porto Romano dhe në Spitallë do të ngrihen zonat industriale ndër më të fuqishmet në Ballkan dhe më gjerë. Ndaj, duke krijuar këtu parkun industrial më të madh të Ballkanit, ju sigurojmë se do të respektojmë dhe mbajmë standardet më të larta të pastërtisë së ajrit dhe ujërave. Pra, do të jetë një park industrial model”, - tha Berisha. Brenda pak javësh do të nisë edhe ndërtimi i rrugës Durrës - Porto Romano.

Kryeministri u ndal edhe në politikat e arsimit. Ai përuroi dje shkollën e re 9- vjeçare “Naim Babameto”, në Spitallë Durrës, një investim me vlerë 1.1 milion dollarë. Shkolla ka një kapacitet me 1100 nxënës dhe është e ndërtuar sipas të gjitha standardeve bashkëkohore, me mjedise sportive, me kabinet informatike dhe internet etj. “Nuk do të ndalim rrugën tonë drejt moshës dixhitale. Përkundrazi, do të bëjmë çdo përpjekje që këto që bëmë për shkollat t’i bëjmë edhe për shtëpitë, në mënyrë që fëmijët tanë të kenë internet dhe kompjuter në shtëpitë e tyre”, - premtoi Berisha. Më tej, Kryeministri tha se qeveria është e vendosur të zbatojë programin e saj dhe se më 1 maj do të rriten pagat për mësuesit. “Është e vërtetë që ka një krizë botërore, kjo është reale dhe e pamohueshme. Është e vërtetë që kjo krizë ndikon edhe tek ne, por, nga ana tjetër, është e vërtetë që kjo krizë nuk ndikon tek ne në atë shkallë që ne të mos zbatojmë programin tonë. Ndaj, më 1 maj, të gjithë mësuesit do të kenë rrogat e ngritura”, - u shpreh Berisha. Ai përsëriti se rindërtimi tërësor i infrastrukturës arsimore, modernizimi i procesit të mësimdhënies dhe orientimi i arsimit drejt tregut janë objektiva parësorë të qeverisë. Kryeministri shkoi edhe në Shkozet, ku pa nga afër shkollën profesionale atje.

Tek shkolla “Beqir Çela” ka përfunduar rindërtimi me vlerë 14 milionë lekë të reja, si dhe kanë nisur punimet për ndërtimin e konfliktit të ri të kësaj shkolle dhe rindërtimin e konviktit ekzistues, me vlerë rreth 46 milionë lekë. Kreu i qeverisë tha se do të ndërtohen të gjitha konviktet në vend, në mënyrë që, sipas tij, çdo nxënës dhe student të mbështetet. “Siç kam theksuar, ne do të ndërtojmë aq konvikte sa të ketë nevojë për të plotësuar objektivin që, asnjë nxënës, i cili mbaron klasën e 9-të dhe që dëshiron të vazhdojë shkollën e mesme, të mos mbetet pa shkollë për shkak të mungesës së saj në lokalitetin ku ai ndodhet”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Ai përsëriti kërkesën për qytetarët që të marrin kartat i identitetit. “U bëj thirrje autoriteteve vendore dhe prefektëve, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në mënyrën më transparente të regjistrojnë të gjithë komunitetin rom dhe egjiptian që nuk janë në skemat e ndihmës sociale, në mënyrë që në përputhje me vendimin tonë t’u japin falas kartën e identitetit”, - deklaroi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›