E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Administrative, nis shqyrtimi i ligjit



Komisioni i Ligjeve nisi dje shqyrtimin e ligjit për krijimin e Gjykatës Administrative. Pas një shtyrjeje prej gati 8 muajsh, opozita ka dhënë konsensusin dhe disa amendamente. “Ky është një ligj i cili kërkon që të vendosë para gjykatës jo vetëm administratën që ekzekuton, por dhe atë që e formulon politika”, - tha ministri i Drejtësisë, Alibeaj, në komision. Ai shpjegoi edhe mënyrën se si do të funksionojë kjo gjykatë. “Seksione të kësaj gjykate të shpërndara, po them, në qendrat ku janë gjykatat e apeleve sot, do të kenë gjyqtarët e tyre, do të kenë stafin e tyre administrativ. Në qofte se do të kishim gjykata të shkallës së parë në Shkodër, administrative gjithmonë, dhe një gjykatë të shkallës së parë në Gjirokastër, zgjidhjet që do të jepte njëra apo tjetra gjykatë do të ishin të ndryshme dhe do të mund të gjenin unifikimin e tyre në apel apo në shkallë të parë”, - shpjegoi Alibeaj.

Zgjedhjet e PD-së në Tiranë, në fund të prillit

Zgjedhjet brenda Partisë Demokratike pritet të përfundojë në fundin e këtij muaji. Teksa kanë mbetur vetëm dy javë, vetëm Tirana dhe Elbasani janë dy rrethet e vetme të cilat nuk kanë bërë zgjedhjet. Pas përfundimit të zgjedhjeve në degën e Elbasanit, Tirana do të jetë dega e fundit ku do të zhvillohen zgjedhjet. Burime në PD shprehen se është drejt përfundimit puna me seksionet në Tiranë. Duket se gara në kryeqytet është ajo më e forta, tek janë shfaqur disa kandidatë potencialë, si Aldo Bumçi, Besnik Mustafaj, Lajla Pernaska, Edi Paloka. Kandidatja Pernaska tha dje se gara në kryeqytet është duke vazhduar, ndërsa pritet që procesi të mbyllet në fund të muajit prill. “Por dhe në këtë stad ku jemi, procesi vazhdon dhe po respektohen të gjitha hallkat e realizimit të këtij procesi. Përderisa nuk është finalizuar procesi, gara natyrshëm vazhdon, aq më tepër tashmë që edhe brenda rrethit të Tiranës po shkon drejt finalizimit”, - tha Pernaska, deputete e PD-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›