E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata, hapësira për partitë politike në afishimin e posterave



Komisioni Qendrori i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për të miratuar udhëzimin e radhës, që ka të bëjë me rregullat që duhen zbatuar për afishimin e materialeve propagandistike gjatë periudhës zgjedhore. Sipas këtij udhëzimi, organet e qeverisjes vendore janë të detyruara të caktojnë në mënyrë të drejtë dhe të paanshme vendet publike për afishimin e materialeve propagandistike zgjedhore. Caktimi i vendeve për afishimin e materialeve propagandistike zgjedhore bëhet publik dhe u njoftohet partive politike jo më vonë se 10 ditë nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi. Caktimi i vendeve publike për afishim realizohet duke përcaktuar vende, sipërfaqe dhe kohë afishimi të barabarta për secilën parti, brenda grupit ku bëjnë pjesë dhe kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit. Për partitë parlamentare vendi dhe sipërfaqja për afishimin e materialeve propagandistike, është sa dyfishi i vendit dhe sipërfaqes që u caktohet partive joparlamentare si dhe kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit. Në caktimin e vendeve publike për afishimin e materialeve propagandistike organet e qeverisjes vendore duhet të mbajnë parasysh: sheshet publike dhe afërsinë e tyre me qendrën e njësisë administrative përkatëse, rrugët kryesore, vendet e veçanta të caktuara për afishim dhe mundësitë e ndriçimit. Ndalohet vendosja dhe afishimi i materialeve propagandistike zgjedhore në ndërtesat e institucioneve publike. Çdo afishim i materialeve propagandistike jashtë vendeve publike të autorizuara sjell heqjen e tyre nga organet e zbatimit të ligjit, në varësi të njësisë së qeverisjes vendore. Vënia në dispozicion e sipërfaqeve për afishimin e materialeve propagandistike bëhet me të njëjtin çmim për sipërfaqe dhe kohë afishimi të barabartë. Personat juridikë apo fizikë që ushtrojnë aktivitet në fushën e reklamave në territorin e njësisë vendore përkatëse, janë të detyruar që të respektojnë parimet e barazisë ndërmjet subjekteve zgjedhore, në rastin kur afishojnë materiale propagandistike zgjedhore. Në rastet e kundravajtjeve administrative, KQZ-ja vendos sanksionet administrative të parashikuara në Kodin Zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›