E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, bojkot pezullimit të ligjit të dosjeve



Gjykata Kushtetuese ka shtyrë më tej shqyrtimin e ligjit të dosjeve, për shkak se ankimuesit, 36 deputetë të Partisë Socialiste, nuk kishin dërguar asnjë përfaqësues në këtë gjykatë për të mbrojtur padinë e tyre. Në këto kushte, kreu i kësaj gjykate, Vladimir Kristo, tha se shqyrtimi do të shtyhet, pasi duhet të dëgjohet pala që ka bërë padinë. Partia Socialiste kishte dërguar një letër ku justifikonte mungesën e saj. Kryetari i gjykatës, Kristo, e cilësoi si të pabazuar. “Ndonëse shkaqet e paraqitura nga grupi parlamentar i PS-së nuk janë plotësisht të bazuara, Gjykata Kushtetuese, në interes të çështjes, ka vendosur që në 7 maj të dëgjojë argumentet e 36 deputetëve socialistë që kanë bërë kërkesë në këtë gjykatë kundër ligjit të lustracionit”, - deklaroi Kristo. Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i Parlamentit ka kërkuar që të shqyrtohet qenia në konflikt interesi e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata theksoi se kërkesa e Kuvendit për konflikt interesi nuk qëndron. Gjykata konsideron se nuk ka konflikt interes për këtë ligj, duke e konsideruar abstrakte kërkesën sipas të cilës anëtarët e kësaj gjykate kanë konflikt interesi me ligjin në fjalë. “Gjykata Kushtetuese është një organ kushtetues që garanton Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ kushtetues në sistemin e organeve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që ka kompetencë të shqyrtojë papajtueshmërinë e një ligji me Kushtetutën. Asnjë organ tjetër nuk mund të zëvendësojë Kushtetuesen nën realizimin e kësaj detyre kushtetuese. Të gjitha këto argumente e bëjnë Gjykatën Kushtetuese që në këtë rast ta konsiderojë të pabazuar kërkesën e paraqitur nga përfaqësuesi i Kuvendit”, - deklaroi Vladimir Kristo, kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

Për ligjin e dosjeve kanë ardhur disa ankesa në Gjykatën Kushtetuese. Krahas deputetëve socialistë, ankesa kanë ardhur edhe nga Shoqata e Prokurorëve dhe Zyra e Helsinkit, të cilat kanë kërkuar që nene të veçanta të bien nga ligji. Partia Socialiste u referohet neneve që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve, të drejtën e punës, për të mbrojtur nderin njerëzor, pafajësinë e prezumuar, për të mos u ndëshkuar dy herë për një veprim dhe të drejtën për t’u zgjedhur. Përfaqësuesit e prokurorëve kanë renditur 6 pika si argumente kryesore me të cilat ata kërkojnë shfuqizimin e ligjit të dosjeve në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit, ligji i dosjeve bie ndesh me shumë ligje në vend. Nga ana tjetër, mazhoranca ka theksuar se ligji i dosjeve ka një rëndësi jetike për të shëruar të kaluarën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›