Berisha-Topalli, takojnë diplomatin amerikan Frank Wisner
Kryeministri Sali Berisha priti dje ish-të dërguarin e posaçëm të Departamentit amerikan të Shtetit në bisedimet për statusin final të Kosovës, ambasadorin Frank Wisner. Kreu i qeverisë shqiptare e falënderoi ambasadorin për kontributin e tij si i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit në bisedimet për statusin final të Kosovës në vitet 2007-2008. “Shqiptarët do t’ju mbeten përjetë mirënjohës ju, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentëve amerikanë për kontributin dhe përkushtimin ndaj çështjes së tyre të drejtë, që bëri të mundur shpalljen e pavarësisë se Kosovës më 17 shkurt të vitit të kaluar”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Në takim, u vlerësua gjithashtu ndërtimi dhe përfundimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë si një infrastrukturë jetike që do t’i japë një dimension të ri, të paparë ndonjëherë bashkëpunimit me Kosovën, si edhe me pjesë të tjera të rajonit, po ashtu do të japë një ndihmë thelbësore në zhvillimin ekonomik të Kosovës, si edhe në forcimin e stabilitetit në rajon. Ambasadori është takuar edhe me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e garantoi ambasadorin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.