Deputetit Neranxi, gati heqja e imunitetit
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin shqyrtoi dje kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Nikollaq Neranxi, nga ku vendosi bërjen e një raporti dhe dërgimin e tij për në Kuvend. Sipas afatit, pritet që të enjten e ardhshme, më 23 prill, Kuvendi të votojë në rast se do t’i hiqet ose jo imuniteti deputetit të LSI-së, Neranxi. “Ne nuk duhet ta shtyjmë më dhe duhet të procedojmë menjëherë, si në çdo rast kur është kërkuar heqja e imunitetit për shkak të korrupsionit. Do të veprojmë mbi të njëjtin princip dhe pastaj do të jenë të tjerët që do të gjykojnë. Mendoj të bëjmë një raport, duke marrë parasysh materialin e deputetit Neranxi dhe atë të ardhur nga prokuroria dhe t'i kërkojmë seancës plenare votimin për heqjen e imunitetit”, - deklaroi dje Topalli. Kryetarja e Kuvendit bëri të ditur nisjen e draftit, i cili do të kalojë në seancë. Pak javë më parë, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit Neranxit, pasi akuzohej për kontrabandë nga Drejtoria e Doganave. Padia e doganave akuzon Neranxin se si pronar i një biznes privat, dyshohet të ketë bërë kontrabandë në vlerën e 13 milionë lekëve të reja.