E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës; “Credit Car”, sekuestrohen katër makina të vjedhura



Policia e Durrësit ka organizuar një operacion, me qëllim goditjen e individëve dhe grupeve kriminale që merren me trafikimin e automjeteve të vjedhura nga shtetet e Evropës Perëndimore. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Durrësit, ky trafikim bëhet në formën e mashtrimit, me makina të blera me kredi, të marra me qira, apo në formë “mashtrim figuracioni”. Për këtë arsye, sipas policisë, në Durrës janë bllokuar mjete të tilla dhe ka nisur procedimi penal ndaj disa shtetasve. Mikel Hykës, 24 vjeç, lindur dhe banues në Fier, në vendin e quajtur “Plepa”, iu bllokua dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale automjeti tip “Land Rover” me targë FR 1616 D, i cili rezulton i vjedhur në Angli në vitin 2003. Ndërsa, ndaj 28-vjeçarit Olgert Mara, banues në Kuçovë, nisi një procedim penal, pasi në vendin e quajtur karburant “Elda” në hyrje të autostradës Durrës-Tiranë, atij iu kap automjeti tip “Benz-Mercedes” me targë KV 1687 B, i cili rezulton të jetë i vjedhur në Bullgari në vitin 2001. Po në kuadër të këtij operacioni, është kapur edhe 49-vjeçari Besnik Shehu, banues në Fier, pasi u kap nga policia me automjetin e tij tip “Audi A 6” me targë TR 3351 L, i cili rezultoi i vjedhur në Gjermani në vitin 2005. I fundit ka qenë shtetasi Pëllumb Hysa, i cili është kapur në mbikalimin e Fushë-Krujës me mjetin tip “Benz-Mercedes”, me targa TR 4141 K, i cili rezulton i vjedhur në Gjermani në vitin 2005. Që të gjitha këto automjete janë sekuestruar nga policia dhe për shtetasit në fjalë kanë kaluar në prokurori materialet për veprën penale të “trafikimit të mjeteve motorike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›