E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburg, 16 shtetas shqiptarë romë padisin shtetin grek



Komiteti Shqiptar i Helsinkit grek i është drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke paraqitur një ankesë për 16 shtetas shqiptarë romë kundër shtetit grek, duke pretenduar se ai ka shkelur nenet 3 (ndalimi i torturës), 8 (e drejta e respektimit të jetës familjare dhe private), 13 (e drejta për ankimim efektiv) dhe 14 (ndalimi i diskriminimit) të Kartës së të Drejtave të Njeriut (aplikimi nr. 47236/07, Ibishi dhe të tjerë kundër Greqisë). Në ankesën e paraqitur, parashtrohen fakte se aplikuesit kanë jetuar së bashku me disa familje rome, për më shumë se 10 vjet, deri në qershor të vitit 2007, në një sipërfaqe toke në lagjen “Aghiour Polykarpou”, në zonën e Votanikos, afër qendrës së Athinës. Toka i përkiste Bashkisë së Athinës dhe vendbanimi ndodhej afër një përroi shumë të ndotur, në një zonë industriale. Prej vitit 2005, në median greke u publikuan disa artikuj lidhur me rehabilitimin e zonës dhe nevojën për të dëbuar familjet rome që aty. Gjatë muajve të parë të vitit 2007, prefekti i Athinës dhe Ministria e Brendshme kishin ndërmarrë veprime për pastrimin gjithëpërfshirës të zonës dhe kishin ngritur një komitet administrativ për të shqyrtuar zgjidhjet e mundshme për çështjen e strehimit të romëve të vendosur në zonën e Votanikos. Dhe në qershor 2007, një kompani private ndërtimi që i përkiste B.V., së cilës i ishte dhënë e drejta për të zbatuar një projekt tregtar ndërtimi në sipërfaqen e tokës në “Aghiour Polykarpou”, u shfaq në zonën ku jetonin aplikuesit dhe u bëri thirrje atyre të largoheshin. Drejtuesi i kompanisë së ndërtimit u ofroi familjeve rome 1000 euro si kompensim për largimin e tyre. Disa romë kishin refuzuar të largoheshin, mirëpo buldozerët i kishin prishur strehëzat e tyre. Avokati i Popullit Grek vërejti se dështimi i vazhdueshëm i autoriteteve të brendshme për të zgjidhur problemin e strehimit të mëpasshëm të tyre, vinte në pikëpyetje përshtatshmërinë e mosveprimit të tyre me Kushtetutën greke, si dhe me nenin 3 të Konventës (ndalimi i torturës dhe trajtimit çnjerëzor dhe degradues). Mbas dëbimit, romët u vendosën në një uzinë të braktisur, prej së cilës u dëbuan nga policia dhe më pas u vendosën në një sipërfaqe toke që i përkiste një kompanie private, nga ku e dëbuan me vendim të Gjykatës së Magjistratëve. Ata u vendosën në një tokë tjetër fqinje, nga ku u dëbuan forcërisht nga policia. Aplikuesit parashtrojnë se u është shkelur e drejta e tyre për të mos iu nënshtruar trajtimit çnjerëzor dhe degradues (neni 3 i KEDNJ-së), sepse shteti ka dështuar në sigurimin e një vendi të qëndrueshëm ku ata mund të jetonin dhe për këtë arsye ata kanë qenë të detyruar të jetonin në kushte të papranueshme jetese, duke rritur mundësinë e të qenit subjekt i dëbimit ose sanksioneve të tjera; strehëzat dhe plaçkat e tyre u shkatërruan; për shkak të kushteve të jetesës pas dëbimit. Aplikuesit parashtrojnë se u është shkelur e drejta e parashikuar në nenin 8 të KEDNJ-së, për shkak të kushteve çnjerëzore të jetesës dhe se ishin agjentët e shtetit ata që i dëbuan.

Kërkesat e GHM dhe Avokatit të Popullit Grek

• Përpara se romët të dëboheshin duhet të sistemoheshin, derisa autoritetet kompetente të rajonit të Atikës të shpreheshin me një vendim përfundimtar lidhur me vendin se ku do të strehoheshin;

• Të gjitha institucionet përgjegjëse të përshpejtonin procedurat për identifikimin e vendit ku do të ristrehoheshin personat e dëbuar;

• Policia duhet të mbështeste dëbimin e romëve vetëm nëse kishte një vendim gjykate që parashikonte këtë dëbim dhe një plan strehimi për këta persona

Çfarë ka konstatuar KE për strehimin e romëve në Greqi

Komiteti Evropian për të Drejtat Sociale, në vendimin e tij të datës 8 tetor 2004, në vijim të një ankese të ardhur kundër Greqisë, në lidhje me strehimin e romëve, konstatoi se “Politikat e strehimit të romëve ishin në kundërshtim me nenin 16 të Kartës Sociale Evropiane për arsye të dëbimit me forcë dhe sanksioneve të tjera ndaj romëve. Dëbimi duhet të bëhet në përputhje me rregullat e aplikueshme sipas procedurës së parashikuar dhe këto rregulla duhet të garantojnë mbrojtjen e të drejtave të personave që do të dëbohen. Komiteti arriti në përfundimin se Greqia kishte dështuar në marrjen e masave të mjaftueshme për të përmirësuar kushtet e jetesës së romëve dhe se masat e ndërmarra nuk kishin përmbushur standardet minimale të parashikuara nga Karta Sociale. Si rrjedhim, e gjithë kjo ngjarje përbënte shkelje të detyrimit për promovimin e të drejtës së familjeve për një strehim të përshtatshëm, parashikuar nga neni 16”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›