USAID dhe Gogo prezantojnë fushatën Planifikimin Familjarë
Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, prezantoi programin e Komunikimit për Ndryshimin e Sjelljes në Planifikimin Familjar në Shqipëri. Ky program përqendrohet në rritjen e metodave bashkëkohore kontraceptive, për të sqaruar keqkuptimet në lidhje me efektet anësore dhe për të pakësuar përdorimin e metodave tradicionale, kryesisht për moshat 18-35 vjeç. Në këtë ceremoni, ishte e pranishme Ministrja e shëndetësisë, znj. Anila Godo, drejtoresha e USAID në Shqipëri, Roberta Mahoney si edhe bashkëshortja e kryeministrit, znj. Liri Berisha.
Ministrja Godo shprehu kënaqësinë e veçantë për pjesëmarrjen në këtë aktivitet, i cili ka në qendër një ndërhyrje të suksesshme të shëndetit publik, sikurse është Planifikimi Familjar. Duke falënderuar Znj. Mahoney dhe ekipin e saj të USAID-it për organizimin e kësaj fushate promovimi, ministrja Godo tha se Planifikimi Familjar luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit amtar, barazinë gjinore dhe reduktimin e varfërisë, duke ndihmuar drejtpërdrejt në arritjet e objektivave të mijëvjeçarit. Në axhendën e vitit 2009, sipas Godos është strategjia kombëtare e Shëndetit Riprodhues, e cila do të përbëjë një kornizë, ku përcaktohen drejtimet kryesore të plotësimit të nevojave për planifikimin familjar me qëllim parandalimin e shtatzënive të padëshiruara dhe sigurimin e alternativave kundrejt abortit. Ministria e Shëndetësisë thotë se ka zgjeruar ndjeshëm shërbimet e planifikimit familjar në sektorin publik, duke e siguruar deri në nivel komune dhe në disa raste dhe në nivel ambulancash fshati. Në sektorin publik, kontraceptivët ofrohen falas në 413 Qendra Shëndetësore dhe konsultore të gruas në qytet e fshat. Godo ka premtuar se në vitin 2010, MSH do të mbulojë 100% të kostos së shërbimit të planifikimit familjar në sektorin publik, ndërkohë që mbulon 90%. Drejtoresha e USAID, znj. Mahoney, theksoi nevojën për vazhdimin e investimeve në sektorin e shëndetësisë, si një standard i rëndësishëm për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndërsa, bashkëshortja e kryeministrit, Liri Berisha, në fjalën e saj, i siguroi shqiptarët që, metodat kontraceptive bashkëkohore, janë të padëmshme për shëndetin, të efektshme dhe të thjeshta për tu përdorur e gjenden në klinikat, spitalet e farmacitë në mbarë vendin. Hapja e kësaj fushate, bëhet në të njëjtën javë me Ditën Botërore të Shëndetit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si edhe në muajin e sensibilizimit për shëndetin, si një përpjekje e qartë për të ngritur ndërgjegjësimin për një çështje të rëndësishme të shëndetit publik.