E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës: “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, konkurs risi me spote



Nxënësit e Shkollës së Mesme të Përgjithshme, “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, në Durrës kanë organizuar dje, një konkurs të veçantë për të paraqitur cilësitë e klasave të tyre. “Kjo është klasa ime”, titullohej veprimtaria e organizuar në të cilën morën pjesë të gjithë nxënësit e viteve të treta. Risia e këtij aktiviteti ishte mënyra konkurruese mes klasave me spote. Senatorja e qeverisë së nxënësve, Xheni Ndreka, thotë se ka qenë pikërisht përvoja shumëvjeçare e shkollës së tyre ajo që ka shërbyer si shtysë për organizimin e kësaj veprimtarie të veçantë në llojin e saj e që ndoshta do të përqafohet edhe nga shkolla të tjera të vendit. Nëndrejtoresha e kësaj shkolle, Teuta Biti, shprehet se risia e kësaj veprimtarie qëndron në koordinimin e iniciativës së lirë të nxënësve. Gjatë veprimtarisë konkurruese u bë lidhja mes lëndëve të informatikës dhe marketingut, elemente kyçe për ekonominë e tregut. Nëpërmjet konkurrencës së spoteve më të mira publicitare me temë “Kjo është klasa ime”, çdo klasë i bëri reklamë vetes për ato cilësi që nxënësit mendonin se i kishin më të spikatura krahasuar me klasat e tjera. Pjesëmarrësit vlerësuan si një ndër spotet më të mira, spotin e klasës së III E, në të cilin një vend të veçantë zinte edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës.

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›