Përqendrimi i rruazave të kuqe shkakton tromboza dhe ishemi
Gjashtë rregullat për të parandaluar rrezikun e trombozave
Pini sa më shumë lëngje për të shmangur dehidratimin e organizmit, e për rrjedhojë, për të luftuar trombozat. Këshilla mbërrin nga kirurgët e shoqërisë italiane të kirurgjisë vaskulare dhe endovaskulare, që shpjegojnë se si me anë të djersës arrihet një përqendrim më i madh i rruazave të kuqe të gjakut dhe të trombociteve, duke shtuar rrezikun për shfaqjen e trombozave dhe ishemive te personat e predispozuar. “Patologjitë e vjetra zakonisht përkufizoheshin si ‘inspissatio sanguinis’”, - shpjegon Domenico Palombo, kirurg vaskular dhe president i Sicve. Sipas tij, te personat e predispozuar, kjo gjendje favorizonte zhvillimin e trombozave venoze dhe arteriale. Faktorët predispozues përfaqësohen nga disa sëmundje hematologjike, si shtimi i trombociteve dhe ai i rruazave të kuqe të gjakut, për të kaluar te problemet që shfaqen me koagulimin, konjuktivitet e shkaktuar nga sëmundjet e imunitetit dhe tumorale. Në veçanti, trombozat arteriale janë më të fshehura. Janë të shumtë studimet që mbështesin rolin e “inspissatio sanguinis” në shfaqjen e këtyre trombozave. Nga analizimi i të dhënave të mbledhura nga rastet klinike të paraqitura ndër vite, ka rezultuar se ekziston një lidhje e ngushtë mes nxehtësisë dhe shtimit të numrit të rasteve me këtë patologji. Në fakt, këto tre vitet e fundit rastet me ishemi akute periferike janë hasur gjatë muajve të nxehtë të vitit, nga maji deri në shtator, duke shfaqur një rrezikshmëri më të lartë se në periudhën tjetër të vitit.
Gjashtë rregullat
Me sloganin “Qarkullim pa pengesa”, janë përpiluar gjashtë rregullat për të parandaluar rrezikun e trombozave:
Pini vazhdimisht ujë, deri në 2 litra në ditë, në mënyrë që të arrini ta bëni gjakun më fluid
Nëse djersini shumë, përdorni përbërës të kripës
Shmangni ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta
Mos praktikoni aktivitete fizike intensive, sidomos nëse dielli është i nxehtë
Mos e teproni me ushqime dhe preferoni perimet, frutat dhe brumërat
Për personat e predispozuar këshillohet përdorimi i antikoagulantëve, por gjithmonë nën rekomandimin e mjekut specialist
2 Prill 2008