E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: “Qeveria ruse 20 bursa studimi për vitin 2008-2009”



Jonida Tashi

Qeveria Ruse në bazë të marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit në fushën e arsimit, ofron 20 (njëzet) bursa studimi për vitin akademik 2008-2009 për në universitetet publike të Federatës Ruse. Nga këto bursa studimi 15 prej tyre do të jenë për studime universitare dhe pesë për studime pasuniversitare. Lajmi është bërë i ditur dje, nëpërmjet një njoftimi për shtyp nga Ministria e Arsimit. Masa e bursës parashikon vetëm tarifën e shkollimit, që do të thotë se studentët duhet të paguajnë vetë shpenzimet e ushqimit, (të cilat shkojnë deri në 200 USD në muaj) dhe siguracionin shëndetësor në shumën deri në 200 USD në vit.
Ndërkohë për realizimin e programit të studimeve, të gjithë studentët që nuk dinë gjuhën ruse duhet t’i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës, i cili fillon në shtator 2008.
Ministria e Arsimit bëri të ditur se afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve të kandidatëve në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH është data 15 Prill 2008. Të gjithë kandidatët e interesuar duhet të dorëzojnë në këtë dikaster dokumentet e mëposhtme.
Dokumentet për studimet universitare
Kandidatët për studime universitare duhet të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit, këto dokumente: Kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë.
Vërtetimin e notave për tri vitet e para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga Drejtoria ose Zyra Arsimore e rrethit përkatës. Raportin mjekësor për aftësi studimesh. Raportin mjekësor për virusin SIDA. Certifikatën e lindjes me fotografi
Duhen gjithashtu edhe katër fotografi dokumenti (4x6).
Dokumentet për studimet pasuniversitare
Kandidatët për studime pasuniversitare të paraqesin në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH këto dokumente: Kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar degën në të cilën dëshiron të studiojë. Diplomën e shkollës së lartë, fotokopjen e noterizuar. Listën e notave, fotokopjen e noterizuar. Dy rekomandime nga profesorë të Universitetit. Listën e artikujve shkencore të botuar (nëse ka të tilla) ose një përshkrim të shkurtër të temës së studimit të ardhshëm. Certifikatën e lindjes me fotografi. Raportin mjekësor për aftësi studimesh dhe
raportin mjekësor për virusin SIDA si dhe katër fotografi 4x6.

Formulari A2, kalon afati MASH ende nuk ka bërë publikimin e tij
Formulari A2, në të cilin maturantët do të bëjnë listimin e 10 preferencave për degët e universiteteve nuk ka mbërritur ende në duart e maturantëve. Ndërkohë bazuar në rregulloren e Maturës Shtetërore, Ministria e Arsimit duhet të kishte miratuar në datën 1 prill formularin A2. Në neni 21 i kësaj rregullore përkatësisht shkruhet: “MASH miraton deri më datë 1 Prill: Formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë) si dhe Udhëzuesin e formularit A2”.
Gjithashtu, në këtë nen thuhet se kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta duhet të plotësojnë edhe formularin A2, brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë atë në KSHMSH. Në datën 24 mars në një njoftim për shtyp MASH bëri të ditur se për plotësimin e A2 është ende herët, pasi MASH nuk ka shpallur afatet e plotësimit të tij. Në këtë njoftim për shtyp MASH sqaronte se sipas rregullores së Maturës Shtetërore 2008, afati i plotësimit të këtij formulari nuk mund të fillojë para datës 20 prill 2008, që është edhe afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve të kandidatëve që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit. Pas kësaj date MASH, do të njoftojë të gjithë maturantët për afatet e plotësimit të formularit A2, që përmban të gjithë degët e universiteteve publike nga të cilat maturanti, sipas sistemit Meritë-Preferencë (MEP), duhet të zgjedhë 10 degë të universiteteve ku ai preferon të kryejë studimet e larta. MASH ka kujtuar se vitin e kaluar afati për të plotësuar A2-shin ka qenë në fillim të muajit qershor 2007. Në njoftimin bëhej e ditur se formulari A2 është menduar të plotësohet në muajin maj, pasi maturantët njihen me të gjithë të dhënat e Maturës, programet orientuese, koeficientet, testet-model, apo të marrin pjesë në seminare të organizuara për Këshillimin e Karrierës.

2 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›